E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Negociatat e Berishës me krerët e PPSH"

Edhe pse kanë kaluar 19 vjet, Robert Koli nuk i harron ngjarjet e vrullshme të 7 dhe 8 dhjetorit të vitit 1990, të cilat e bënë atë protagonist të disa zhvillimeve të rëndësishme në vend, që kanë si kulm negociatat mes përfaqësuesit të lëvizjes studentore dhe lidershipit të atëhershëm komunist. "Unë jam dëshmitari ndoshta i vetëm i takimeve të Berishës me drejtues të shtetit dhe të PPSH-së së asaj kohe", thotë Robert Koli, i cili ka doktoraturë në ekonomi dhe në jurisprudencë, por që sot punon noter në qendrën e kryeqytetit...

Z. Koli, në vitin 1990 ju ishit një nga drejtuesit lokalë të Partisë së Punës, konkretisht Komitetit të Partisë së Tiranës, kur nisët bisedimet me studentët. Si ndodhi?

Para se të vijmë te dita e diel, 8 dhjetor, do të tregoj ndodhitë e datës 7, ditës së shtunë. Te korpusi qendror i Universitetit të Tiranës kishte 2 javë që rrinte varur një fletërrufe, ku studentët e inxhinierisë në lidhje me kushtet e jetesës në konvikte, kërkonin kushte të njëjta me kolegët e tyre të Europës. Nisur nga kjo, Kryeministri i asaj kohe, Adil Çarçani, me porosi të Ramiz Alisë vendos të shkojë vetë në Qytetin Studenti. Në atë kohë unë isha sekretar i Komitetit të Partisë së Tiranës ku mbuloja ekonominë. Sekretari i Parë, Xhelil Gjoni, më thërret e më thotë: ‘Shoku Adil do të shkojë te studentët, shko dhe ti më të‘. Çarçani kontrolloi mensat e fjetoret. Mbaj mend se ishte mjaft i shqetësuar deri në ankth, përsëriste vazhdimisht se kushtet nuk janë aq të këqija. Duke kaluar nga njëra godinë te tjetra, mbaj mend një episod. Kryeministri Çarçani, edhe për shkak të moshës, ishte mjaft i lodhur dhe ne e mbanim për krahu. Një nga studentet që kishte dalë në dritare na thirri: ‘Është plakur qeveria‘. Nejse, mbajtëm në një sallë takim me studentët ku situata precipitoi. Një studente, më duket se ishte nga Vlora, i tha A. Çarçanit se po na sterilizoni, pasi ne lahemi me ujë të ftohtë. Situata evoluoi, kur nga kërkesat ekonomike u avancua me kërkesa për ndryshime politike, por jo të formuluara qartë. Një student tha: ‘Nëse qeveria s‘është në gjendje të ndihmojë popullin, përse nuk përfitoi nga ndihma gjermane‘. Kryeministri premtoi se kërkesat do të shqyrtoheshin dhe do të plotësoheshin. Por situata ishte acaruar. Në mbrëmje vonë morëm vesh se studentët kishin fikur dritat e Qytetit Studenti dhe kërkonin reforma e ndryshime politike. Në qytetin e studentëve kishte shkuar vetë ministri i Brendshëm i asaj kohe, Hekuran Isai, i cili nuk e kishte qetësuar dot situatën...

Pra, situata u përshkallëzua, çfarë ndodhi një ditë më pas?

Rreth orës 08.30 të së dielës shkova në Kryeministri për të pyetur këshilltarin e Kryeministrit për arsimin, Asim Bedallin, për kërkesat. Por sa mbërrita dëgjova të thirrurat e studentëve dhe brohoritjet e tyre që vinin nga rruga e Liceut. Pa e bërë dysh vajta menjëherë në vend për të parë situatën. Kur mbërrita në orën 10.00 takova drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Laedin Bardhin, të cilit i thashë të më raportonte për situatën. Ai më tha se studentët arritën deri këtu, por se i kishin ndalur të mos shkonin më poshtë dhe se do të përpiqeshin t‘i mbanin deri sa të shpërndaheshin. I thashë: Laedin, sido që të ndodhë nuk duhet të goditen studentët, të mbahen me shpatulla, por të mos vihet dorë mbi ta, në të kundërt do të përgjigjesh. Ndërsa ai m‘u më tha: ‘Nuk do të vë dorë mbi ta, këtë porosi e kam edhe nga ministri‘. Aty pashë mjaft pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë, si dhe një pararojë studentësh që hidhnin parullat: "Liri Demokraci", "Poshtë diktatura", "E duam Shqipërinë si gjithë Europa" dhe përpiqeshin të çanin rrethimin.

A e ndiqte kupola e lartë e shtetit situatën?

Për rreth 2 orë Ramiz Alia vazhdimisht vihej në korrent për situatën që e ndiqte çdo moment. Nga ora 11.45, R. Alia kërkoi Lisien Bashkurtin që të bisedonte me disa studentë. Dërgata shkoi te Ramizi e u kthye të raportonte ç‘i kishte thënë Ramizi. I pari foli Lisieni që e fërshëllyen. Më pas foli një studente, që në fillim e dëgjuan e më pas e fërshëllyen. Në këtë çast situata arriti kulmin, studentët shtynë kordonin e policisë ku ai po çahej, policia nisi të godasë mbi studentët, të cilët më pas u shpërndanë. Policia qëlloi me shkopinj dhe jo me lopata siç u tha më pas.

Pra, gjithçka u qetësua?

Jo, jo, policia i ndoqi studentët, ndërkohë që në vendngjarje vijnë disa punonjës të Sigurimit të Shtetit që nisën të arrestojnë studentët. Mes tyre dikush kapi edhe Lisien Bashkurtin dhe e tërhoqi zvarrë. Unë zbres nga shkallët dhe i thashë lëreni Sekretarin e Parë të BRPSH-së. Në këtë moment, në krahun tim ishte dr. Berisha me Besnik Mustafajn, të cilët kishin veshur pardesy të bardha. Doktori pa më dhënë as dorën më tha: ‘Shoku sekretar, kjo që ndodhi këtu dhe goditja ndaj studentëve është e pafalshme dhe unë do të protestoj me të gjitha energjitë‘. Doktor i them, kjo punë e nisi rrugën e saj, dhe i futa krahun. Berisha vazhdimisht përsëriste se policia kishte vepruar brutalisht, pasi studentët kërkonin disa të drejta dhe ju si parti duhet t‘i dëgjoni mirë. Në këtë moment u rrethuam nga një grup njerëzish. Mbaj mend Zef Bushatin dhe një mësuese të gjimnazit "Çajupi" që i tha dr. Berishës: ‘Kur ti i the Ramiz Alisë për të vrarët në Malin me Gropa, ai se pranoi kurse ne tani pamë me sytë tanë se policia goditi studentët. Ndokush mund edhe të ketë vdekur‘. Doktori i tha qetësohu se gjithçka tani do ta ndjekim ndryshe. Vazhdoja të isha me Berishën, ku i kisha futur krahun e ai më tha: ‘Dua të shoh vendin e ngjarjes ku policia sulmoi studentët për herë të parë. U afruam e ai më tha se njerëz të policisë thanë se studentët sulmuan të parët, por siç duket këtu s‘ka as gurë. Kishte vetëm disa këpucë dhe unë me humor i them se i kanë qëlluar me shkelma. Berisha tha: ‘Jo, s‘është e vërtetë. Demonstrata ishte paqësore, do ta ndjek deri në fund‘. Doktorit i them se studentët kanë nevojë për ty, ata të duan dhe mirë është të qetësohen, se kjo punë e mori udhën e saj. Ndërsa ai më tha se atje jam nisur që t‘i takoj, sepse me të vërtetë policia veproi brutalisht. I thashë që për çdo gjë më ke në Komitetin e Partisë.

Dhe Berisha erdhi t‘ju takonte?

Po, nja 1 orë më vonë mbërriti në zyrën time dr. Berisha bashkë me Mustafajn e më thotë: ‘Vij nga grumbullimet e studentëve. Ata janë të irrituar dhe janë gati për të zbritur në sheshin ‘Skënderbej‘, madje më thanë vihu ti në ballë e ne vijmë pas, por unë mora përsipër që kërkesat e tyre do t‘i diskutoj me autoritetet e larta dhe ata presin përgjigje nga unë. Ndaj kërkoj: 1. Jepni urdhër të lirohen menjëherë studentët e arrestuar dhe 2. Të merret kontakt me spitalin për të plagosurit dhe të interesohet a ka të vdekur‘. Unë mora në telefon zv.ministrin e Brendshëm, Veip Prodën, e i thashë se në demonstratë janë arrestuar disa studentë ndaj kërkoj t‘i lironi urgjentisht për të mos acaruar gjendjen. Ai më tha se do e bëjmë menjëherë, pasi të kryejmë disa veprime procedurale. Më pas telefonin ia kalova Berishës, i cili foli vetë me drejtuesin e ministrisë. Mbaj mend se Berisha reagoi ashpër dhe e uli receptorin vetëm kur mori garanci të plotë. Studentët u liruan në kohë rekord. U lidh vetë me spitalin dhe Berisha foli direkt me ta dhe e siguruan se asnjë student i plagosur nuk e kishte humbur jetën. Pjesa më e madhe, pasi ishin mjekuar, ikën në shtëpitë e tyre dhe vetëm njëri ishte në reanimacion në gjendje të rëndë. Këtë student e mbaj mend mirë që kur e hidhnin në kamion i rridhte gjak nga koka e ishte zverdhur. Fatmirësisht jeta e tij u shpëtua.

Ǒndodhi më pas?

Në atë kohë, në zyrën time vjen një instruktor e më tha se në zyrën e Xhelil Gjonit po zhvillohej një mbledhje për situatën e krijuar nga protesta e studentëve. Unë i them Berishës: Shko më mirë te zyra e Sekretarit të Parë dhe mund të diskutosh gjendjen fare hapur atje. Ai më tha pse jo, do të shkoj t‘ia them të gjitha.

Çfarë u bisedua në atë mbledhje?

Nuk e di ç‘është thënë, por di që ai kontaktoi edhe me Ramiz Alinë. Si e mora vesh? Të nesërmen më thërret Xhelil Gjoni e më thotë: Na duhet doktori, sepse e kërkon sërish Ramiz Alia. S‘ka kush na e bën këtë ndaj shko ti. M‘u duk paradoksale, por gjithçka e mora vesh nga vetë Berisha. Shkova në Fakultetin e Mjekësisë dhe e mora doktorin nga salla e leksionit e i thashë se e kërkon Ramiz Alia në zyrë. Kur ishim në makinë, ai me mllef të madh më tha: Se di çfarë mund të diskutoj me atë njeri. Ai nuk është serioz, ndryshe biseduam dje në orën gjashtë të mbrëmjes dhe ndryshe në orën 23.00 kur më mori në telefon. Unë po vij, por kësaj here do t‘ia them me forcë. E çova deri në derën e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe që në atë moment, Berisha vazhdoi punën e tij dhe unë timen. Nuk na u kryqëzuan më rrugët...

Po ju nuk e vazhduat më karrierën në partinë e re të së majtës, Partinë Socialiste?

Eh, histori interesante. Pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991 u bëra Sekretar i Parë. Bëra gati Konferencën e Tiranës për të përgatitur Kongresin e 10 të PPSH-së dhe në sallë vetëm ne nuk e vumë bustin e Enver Hoxhës. Mbaj mend që na kryqëzuan. Luan Rama, atëherë gazetar i "Zërit të Popullit", më tha që duhet ta merrja dhe ta mbaja në krah bustin e Enverit. Unë i thashë se janë kushte të tjera, duhet të ecim përpara me mentalitet të ri. U zgjodha Sekretar i Parë sërish me unanimitet, por më pas u largova. Kam qenë lojtar në mbrojtje u thashë, tani na duhet dikush që të jetë në sulm. Kreun e PPSH-së së Tiranës e mori grupi i "Zërit të Popullit" me Halil Lalën dhe Musa Ulqinin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›