Zyrtari i lartë amerikan viziton rajonin, nuk vjen në Tiranë
Zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Filip Gordon, përfundoi turin e tij në Ballkan, por kësaj radhe Tirana zyrtare nuk ka qenë në axhendën e tij. Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euro-Azisë, Gordon, dy ditë më parë ishte në Beograd dhe në Kosovë, ndërsa ditën e djeshme vizitoi Shkupin, ku u takua me presidentin Ivanov, kryetarin e BDI-së, Ahmeti dhe kryetarin e LSDM-së, Cërvenkovski. Mediat e Shkupit njoftuan që paradite se të enjten në mbrëmje Gordon do të takohet në Zagreb me kryeministrin Gruevski për shkak të ndryshimit të itinerarit të lëvizjes së tij nga reja vullkanike. Po ashtu, ditën e sotme do të zhvillohen takime në Zagreb mes krerëve të vendeve të rajonit, ku është i pranishëm edhe Gruevski edhe zoti Berisha. Nuk ka të dhëna për axhendën e mëtejshme të zyrtarit të lartë amerikan, Filip Gordon, por nuk përjashtohet mundësia që ai mund të takohet me kryeministrin Berisha dhe, nëse do të ndodhë kjo, pa dyshim, në axhendë do të jetë edhe kriza që ka mbërthyer politikën shqiptare që pas zgjedhjeve të 28 qershorit.
Presidenti i PPE-së
Luka Volonte: “Rama është në kundërshtim me deklaratën e KiE-së”
Presidenti i Partive Popullore Europiane në Këshillin e Europës, që i përket spektrit të partive të djathta europiane, Luka Volonte, gjatë një takimi që zhvilloi dje me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se Rama është në kundërshtim me deklaratën e bërë pak ditë më parë nga KiE. Ai i bëri thirrje kryetarit të PS-së të tregojë sens përgjegjësie ndërsa theksoi se iniciativa e grevës se urisë është në kundërshtim me atë që ka deklaruar në KiE. “Veprimet e Ramës janë kontradiktore me ato që i ka kërkuar Këshilli i Europës”, - është shprehur Volonte. Duke folur rreth situatës më të fundit në Shqipëri, presidenti Volonte tha se veprimet e PS-së janë të pajustifikueshme. “Veprimet e zotit Rama në këto muajt e fundit janë krejtësisht të pajustifikueshme. Rama po gabon dhe në planin institucional, pasi po jep përgjigje kontradiktore me çka i ka kërkuar KiE. Asambleja Parlamentare ka thënë që debati bëhet në parlamentet dhe bojkoti është i papranueshëm. Iniciativa e grevës së urisë është në kundërshtim me atë që ka deklaruar se do të bëjë”, - është shprehur Volonte. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit është shprehur se "mbështet tërësisht deklaratat e Komitetit Presidencial, si dhe deklaratën e Byrosë së Këshillit të Europës bërë para pak ditësh për Shqipërinë”. Presidenti Volonte ka reaguar dhe ndaj bllokimit të qarkullimit rrugor në Tiranë dhe në qytetet e tjera, duke e quajtur “kundër çdo norme civile që ekziston në të gjitha vendet demokratike”. Presidenti i PPE-së ka mbyllur deklaratën e tij duke u shprehur se “kjo që po ndodh e skualifikon totalisht opozitën. Unë shpresoj që Edi Rama dhe Partia Socialiste të tregojnë sens përgjegjësie, të ndjekin udhëzimet e dhëna nga Këshilli i Europës, të vijnë në Parlament jo vetëm ndonjëherë, por të kontribuojnë në përpjekjet e gjithë vendit për integrim”.
14 Maj 2010