E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat u rrezuan pasi PD risolli djegien e fleteve

Opozita akuzon Kryeministrin: Je shkaktar për dështimin

Negociatat për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit kanë dështuar përfundimisht, duke risjellë si “patate të nxehtë” nenin e famshëm 178 të Kodit Zgjedhor, i cili flet për djegien e fletëve të votimit. Në bisedimet finale që nuk arritën sukses, Partia Socialiste solli draftin në të cilin shkruhet se “procesi i hetimit do të përfshijë administrimin e të gjithë dokumentacionit zgjedhor që përfshihet në kutitë e materialeve zgjedhore, të cilat ngarkohet KQZ t'i ruajë dhe t'i vendosë në dispozicion të Komisionit Hetimor të Kuvendit në kohën, vendin dhe mënyrën e përcaktuar nga Komisioni Hetimor i Kuvendit”. Por mazhoranca ka kërkuar që duhet të zbatohet neni, pra që fletët të digjen, edhe pse Kryeministri Sali Berisha, pak kohë më parë garantoi se fletët nuk do të digjen. Në seancën e djeshme të Kuvendit, opozita deklaroi se shkaku i dështimit të negociatave PD-PS ka qenë Sali Berisha. Opozita kërkoi që kryetari i KQZ-së të raportojë direkt në komisionin hetimor për të ashtuquajturën ‘masakrën e zgjedhjeve të shkuara’, ndërsa mazhoranca kërkoi zbatimin e Kodit Zgjedhor, që nënkupton edhe djegien e fletëve të votimit nëse hapen materialet zgjedhore. Kjo është pika ku dy palët kanë inkorporuar dështimin në negociatat pesëditore. Kryetari i grupit, Gramoz Ruçi, dhe një nga negociatorët e PS-së, Fatmir Xhafaj, kanë zbardhur dje në Kuvend pikat defektoze të negociatave pesëditore për hetimin e zgjedhjeve të shkuara. “Ke thënë jo për objektin e hetimit, ke thënë jo për shumicën në komision, i ke thënë jo hapjes së kutive dhe materialeve zgjedhore dhe listat e zgjedhësve në përdorim nga komisioni, dhe po kështu ke thënë jo për disponimin e dokumentacionit të KQZ-së nga ky komision hetimi”, u shpreh Xhafa. Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, theksoi se Kryeministri nuk kërkon një komision hetimi, por vëzhgimi. Opozita kërkoi në Parlament që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mos nxitojë të hapë kutitë e materialeve zgjedhore dhe të djegë fletët e hetimit.

Akuzat për Berishën

Opozita shpërthen ndaj Kryeministrit Berisha me akuza duke kërcitur dhëmbët dhe duke premtuar se “do na kesh përballë në të gjitha betejat elektorale”. Ky ishte premtimi i kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i cili akuzoi dje drejtpërdrejtë Kryeministrin Berisha për mosngritjen e komisionit që do të hetojë zgjedhjet e 28 qershorit. Drejtuesi i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, nga foltorja e Kuvendit vuri gishtin e akuzës edhe te një “bashkëfajtor” i mazhorancës për zgjedhjet e shkuara, duke kërkuar që kryetari i KQZ-së të raportojë në komisionin hetimor parlamentar. “Ai kryetar komisioni që ka bërë këtë kasaphanë dhe maskaradë elektorale le të vijë të raportojë atje me ajër të kondicionuar. Me çfarë besimi do të futemi me këtë arbitër në zgjedhjet e ardhshme elektorale”, tha Ruçi. Sipas tij, Kryeministri Berisha pavarësisht nga premtimet që bën nuk kërkon t’i konkretizojë ato, duke shtuar se edhe në zgjedhjet e ardhshme kërkon të bëjë të njëjtën gjë. “Njeriu që nuk do të implementohen rekomandimet e ndërkombëtarëve qëndron stoik në qëndrimin e tij, i cili me deklaratat e tij populiste nuk do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi Ruçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›