E Diel, 1 Nëntor 2026

Neil Armstrong letër Obamës: “Po shkatërroni astronautikën amerikane”

Autori i Lajmit: Redaksia

Uashington – Ish-astronauti që shkeli i parë në Hënë, Neil Amstrong, ka kritikuar ashpër politikën e presidentit amerikan, Obama, për ti dhënë fund programit hapësinor që administrata e tij pritet ti japë fund shumë shpejt. Amstrongu, së bashku me astronautët James Lovell dhe Eugene Cernan, e quajti një propozim të tillë “shkatërrimtar” në një letër siguruar nga televizioni NBC. Ja se çi shkruan Amstrong Obamës: “Shtetet e Bashkuara hynë në sfidën e eksplorimit të hapësirës në mandatin e parë të presidentit Ajzenhauer. Megjithatë, ishte Bashkimi Sovjetik, ai që shkëlqente në atë kohë. Nën vizionin e guximshëm të presidencës Kenedi, Xhonson dhe Nikson dhe me miratimin e pjesës më të madhe të popullit amerikan, ne arritëm ta mbyllnim diferencën me sovjetikët në një kohë shumë të shkurtër në fund të shekullit XX dhe arritëm të bëheshim liderët botërorë të eksplorimit hapësinor... Kur presidenti Obama kumtoi së fundmi buxhetin e tij për NASA-n, ai propozoi një rritje shumë të vogël fondesh për kërkimin dhe zhvillimin teknologjik...”, – thuhet në letrën e Amstrongut. “Edhe pse shumë nga këto propozime duhen vlerësuar, vendimi për të anuluar programin e Konstelacionit, raketat “Ares 1” dhe “Ares V” dhe anijen “Orion”, është shkatërrimtar. E vetmja rrugë e Amerikës për të ulur orbitën e tokës dhe Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar tani do të jetë objekt i një marrëveshjeje me Rusinë për të blerë hapësirë në “Soyuzin” e tyre (me një çmim mbi 50 milionë dollarë për vend, ndërsa ky çmim pritet të shumëfishohet në të ardhmen). Mundësia e arritjes së transportit komercial në orbitë, ashtu siç është parashikuar në propozimin e presidentit, nuk mund të parashikohet me saktësi, por ka shumë të ngjarë që të zgjasë dhe kushtojë më shumë se sa ne e kishim parashikuar... Pa asnjë aftësi dhe eksperiencë që të ofron operacioni i ardhshëm hapësinor, SHBA-ja ka shumë mundësi që të bjerë në mediokritet. Amerika duhet të vendosë nëse do të mbetet lider në hapësirë. Nëse është kështu, ne duhet të ndërtojmë një program që do të na japë mundësinë më të mirë për të arritur këtë qëllim (Neil Amstrong).

Ankand, shitet për 152 mijë $ plani i fluturimit në Hënë

Nju-Jork - U shit në Nju-Jork, për 152 mijë dollarë, plani i udhëtimit të parë të njeriut në Hënë, i autografuar nga austronauti amerikan Neil Amstrong. Mbi fletët e planit shkruhet edhe fraza e shqiptuar prej Armstrongut në momentin kur preku mbi sipërfaqen e Hënës: “Një hap i vogël për njeriun, një hap i madh për gjithë njerëzimin”. Neil Amstrong shkeli për herë të parë sipërfaqen e Hënës më 20 korrik të vitit të vitit 1969, 8 vjet nga udhëtimi i parë në hapësirë, kryer prej rusit Juri Gagarin. Dokumenti i rrallë që besohet se është i vetmi vend ku Amstrong ka shkruar frazën e famshme, doli në ankand dhe pritej të arrinte shifrën e 80 mijë dollarëve. Shprehja simbol e shekullit XX ka qenë për një kohë të gjatë pjesë e debatit se çfarë donte astronauti amerikan të thoshte me të vërtetë. Në transmetimin e dëgjuar nga gjysmë miliardi njerëz, Armstrongu dëgjohet të thoshte: “Një hap i vogël për njeriun, dhe një hap i madh për njerëzimin”. Me sa duket, kushtet e transmetimit nuk kanë lejuar të dëgjohet fjala “një” në fjali, duke humbur dhe kuptimin e vërtetë të saj. Dokumenti është firmosur nga astronauti dhe i është dorëzuar nëpunësit të zyrës së shtypit në NASA, John McLeaish. Më pas dokumenti është ligjëruar nga McLeaish, i cili e arkivoi dhe shkroi një shënim mbrapa. Në një intervistë të zotit
McLeaish në vitin 2001 ai tregoi se i kishte kërkuar Amstrongut se çfarë kishte thënë menjëherë sapo kishte vënë këmbën në Hënë dhe ai i ishte përgjigjur: “Thashë atë që kisha ndërmend të thosha”. Më pas Amstrongu e kishte shënuar fjalinë në planin e fluturimit. Zoti McLeaish e ruajti dokumentin e astronautit në zyrën e tij për vite të tëra dhe e ka vlerësuar si një nga sendet e tij më të çmuara. Ky dokument u shit pas vdekjes së zotit McLeaish më 2007. Amstrong thotë në autobiografinë e tij se ai nuk e ka shkuar kurrë një frazë të tillë, por ekspertët besojnë se ai mund të ketë harruar dhe një gjë të tillë mund ta ketë bërë pasi u ul në tokë.

Ky lajm është publikuar: 15/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›