E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, 40 minuta pa makinë, Berluskoni kërkon të largohet në këmbë

Autori i Lajmit: Redaksia

Uashington - Dyzet minuta me vonesë në trotuarin e Qendrës së Mbledhjeve në Uashington për të pritur makinën e tij. Kjo eksperiencë e shëmtuar i ka ndodhur një ditë më parë kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për samitin e armëve bërthamore dhe pritja ndodhi pas darkës së organizuar nga presidenti amerikan, Obama, me 46 kryetarë shtetesh që ishin të pranishëm në samitin e sigurisë bërthamore. Makinat e shërbimit amerikan të sigurisë, të cilat kishin nisur transportimin e krerëve të qeverive botërore mbërritën me shumë vonesë dhe nuk arritën të koordinoheshin me orën që kavalieri përfundoi darkën. Kjo e mërziti shefin e qeverisë italiane, i cili kërkoi të largohej në këmbë deri tek hoteli “Uillard”, ku qëndronte delegacioni italian. Por personi i shërbimit sekret amerikan, i ngarkuar me akomodimin e të ftuarve, refuzoi që Berluskoni të largohej nga vendi, duke e detyruar kavalierin që të priste me durim derisa makina e eskortës së tij të ishte gati. Nga Lufta e Ftohtë në luftën kundër të ftohtit. Kjo është ajo që ka ndodhur me pak fjalë në Coventin Center të Uashingtonit ku mbante punimet samiti i sigurisë bërthamore. Dhe duhet pranuar se në sallën ku zhvillohej takimi ishte me të vërtetë shumë ftohtë. Mbase ka qenë për shkak se amerikanët mund të kenë kursyer energjinë duke preferuar të mos e hapin koncidionerin, por Berluskoni mendoi ta zgjidhte vetë këtë “problem”, ndërsa nën xhaketë kishte veshur një triko me jakë “v”. “Unë jam më i moshuari, për moshën dhe rolin politik...”, – u kishte thënë me humorin e tij karakteristik kavalieri, duke ndërhyrë gjatë punimeve të seancës. Vetëm pak çaste më parë, Berluskoni kishte qenë i vetmi lider mes krerëve të tjerë të shteteve që ishte veshur trashë për ti shpëtuar të ftohtit. Ndërkohë që në foton zyrtare pati një “informalitet” të vogël, pasi pulovra që dukej qartë nën këmishë thyente “kodin e veshjes” së një protokolli të tillë. Gjithsesi, pavarësisht këtyre incidenteve që Berluskoni nuk u shpëton dot, u arrit marrëveshja mbi pikat kryesore midis 47 vendeve që morën pjesë. Çështjet kryesore të paktit lidhen kryesisht me bashkëpunimin për të frenuar përhapjen e armatimit, shtimin e sigurisë, duke respektuar sovranitetin e shteteve, si dhe sigurimin e materialit bërthamor pak të mbrojtur. Gjithashtu, vendet pjesëmarrëse u zotuan për të mbështetur Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore. Plani i bën thirrje çdo vendi të mbrojë rezervat e materialeve bërthamore dhe të mbajë materialin larg duarve të terroristëve. Më herët, Rusia dhe SHBA-ja kanë nënshkruar një marrëveshje për shkatërrimin e 68 tonëve shtesë të plutoniumit.
Disa vende të tjera, duke përfshirë Meksikën, Kilin dhe Ukrainën, janë pajtuar më herët që të heqin dorë nga rezervat e tyre të uraniumit të pasuruar. Për sa i përket Iranit, Franca dhe SHBA-ja kanë qenë mbështetësit kryesorë për vendosjen e sanksioneve më të ashpra kundër Teheranit, pas dyshimeve se ky shtet synon krijimin e bombës bërthamore. Gjithsesi, regjimi klerikal hedh poshtë këtë pretendim të Perëndimit dhe thotë se dëshiron vetëm zhvillimin e një programi bërthamor për qëllime civile, - raporton AFP.

Ky lajm është publikuar: 15/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›