E Diel, 1 Nëntor 2026

(Nis një fazë krejtësisht e re e luftës kundër trafikut të drogës) Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano u mblodh sot paradite Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës Kundër Dr

(Nis një fazë krejtësisht e re e luftës kundër trafikut të drogës)

Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano u mblodh sot paradite Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës Kundër Drogës. Në fillim të mbledhjes Kryeministri theksoi angazhimin e strukturave të ekzekutivit, në një fazë krejtësisht të re të luftës kundër trafikut të drogës.

"Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, duke fokusuar sot këtu, për nga rëndësia, situata dhe kompleksiteti i problemit, luftën kundër trafikut të drogës, tashmë ka hyrë në një fazë krejtësisht të re. Pavarësisht nga kompleksiteti me të cilin shfaqet trafiku i drogës, më rezulton se mbyllja e trafiqeve të paligjshme të qenieve njerëzore, si dhe ndalimi i kalimit të paligjshëm të kufijve na ka sjellë natyrshëm në rezultate efikase në kapjen, bllokimin, sekuestrimin e sasive të mëdha të drogës, nga me të lehtat te me të rëndat dhe në penalizimin e autorëve të tyre, u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar se goditjet ligjore dhe ekzekutive kundër trafiqeve, siç është dhe ky i drogës kërkojnë një bashkëveprim dhe bashkërendim të të gjitha strukturave shtetërore të specializuara, krahas bashkëveprimit dhe me shoqërinë civile".

Ministri i Rendit Publik Luan Rama dhe Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Kujtim Hysenaj informuan komitetin për dukurinë e drogës në Shqipëri, strategjitë e përshtatura, objektivat e arritura, për bashkëpunimin dhe bashkëveprimin institucional si dhe për detyrat që dalin në këtë fazë të re te luftës kundër trafikut të drogës. Ata nenvizuan nevojen e krijimit te strukturave te nevojshme institucionale dhe te instrumenteve të veprimit si dhe të akteve ose ndryshimet e duhura në infrastrukturën ligjore në këtë fushë.

Anëtarët e Komitetit në diskutimet e tyre shprehën mendimet dhe bënë propozime konkrete, për parandalimin dhe luftën kundër prodhimit dhe përhapjes së paligjshme të substancave narkotike dhe psikotrope si dhe për forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve në këtë fazë krejtësisht të re të luftës kundër trafikut drogës. Diskutimet u përqëndruan në realizimin e dy objektivave kryesore: -Ndalimin e kultivimit dhe përpunimit, të bimëve narkotike në territorin e Republikës së Shqipërisë; - Identifikimin dhe goditjen e ashpër ligjore të personave, grupeve dhe rrjeteve kombëtare dhe ndërkombëtare të trafikut të drogës, që e përdorin Shqipërinë si bazë dhe vend tranziti. Plotësimi i këtyre objektivave, u tha në komitet, kërkon anagazhim të shumë aktorëve shtetërorë dhe shoqërorë në të dyja nivelet, atë qëndror dhe vendor.

"Ju dhe institucionet që drejtoni, në harmoni dhe bashkëveprim institucional duhet të krijoni kuptime dhe vlerësime të qarta për lartësinë e barrierave të nevojshme që kemi ngritur dhe sa të papërshkrueshme janë ato në parandalimin dhe goditjen e këtij lloj trafiku, sa shqetësues aq dhe të rrezikshëm për shoqërinë dhe të ardhmen e vendit'' – u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar masat e nevojshme që do t'i shërbejnë bashkërendimit institucional në luftën kundër drogës, pasi tashmë trafiku i drogës është një fenomen kompleks, ka dimensione ndërkombëtare dhe është i ndërthurur më një pafundësi faktorësh, socialë, kulturorë, shëndetsorë, kriminalë, etj.

Kryeministri hodhi idenë e hartimit dhe në Shqipëri të një legjislacioni i cili lejon prokurorët e krimeve të rënda të grumbullojnë indicje që kanë vlerën e provës për të kërkuar nga gjykatat e krimeve të rënda të konfiskojnë pasuritë që dyshohet se krijohen mbi bazë të paligjshme nga burime trafiqesh veçanërisht të drogës dhe pas konfiskimit i takon zotëruesit të pasurive dhe jo e kundërta të provojë legalitetin e burimit të krijimit të tyre.

"Pra, në dallim nga principet universale të jurisprudencës nuk i takon vetëm akuzes të provojë dyshimin dhe ta kthejë në provë, por i takon dhe zotëruesit të pasurive të dyshimta të vërtetojë burimin e ligjshëm të krijimit të tyre'' tha zoti Nano.

Është e nevojshme, nënvizoi Kryeministri, që të programojmë dhe të financojmë fushat publike që janë të njohura efektet negative të drogës krahas garantimit të publikut për struktura që ofrojnë asistencë shëndetësore dhe rehabilituese dhe në funksion të riintegrimit social të toksidipendentëve.

Ministrat dhe ekspertet që e morën fjalën dhanë mendimet e tyre për një studim, mbi mundësinë e orientimit të investimeve dhe krijimit të tregjeve të punës, në vendet dhe zonat më problematike, ku kultivohen dhe prodhohen substancat narkotike, si dhe vënien në lëvizje të strukturave të tyre, për sensibilizimin e opinionit publik në luftë me fenomenin e narkotrafikut si dhe pasojat negative të tij në jetën e shoqërisë shqiptare, duke promovuar edhe fushata për të bërë të njohura efektet negative të drogës, si dhe asistencën shëndetsore për rehabilitimin dhe integrimin shoqëror të toksikodipendentëve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›