VOA: Zoti Nano, Kryesia e Partisë Socialiste ka zhvilluar dy takime, ka miratuar një rezolutë e cila u mbështet edhe nga Grupi juaj Parlamentar. Cili është synimi i kësaj rezolute? A do të shÃ
VOA: Zoti Nano, Kryesia e Partisë Socialiste ka zhvilluar dy takime, ka miratuar një rezolutë e cila u mbështet edhe nga Grupi juaj Parlamentar. Cili është synimi i kësaj rezolute? A do të shërbejë ajo si një armëpushim i përkohshëm apo marrëdhëniet tuaja me z.Meta janë dëmtuar në mënyrë të pariparueshme?
Kryeministri Nano: Besoj se këto dy elementë të pyetjes tuaj duhen konsideruar veçmas, sepse Kryesia e PS-së ishte me një arsyetim politik që është koherent me kalendarin e vitit dhe me përgjegjësitë e saj lidhur me zgjedhjet vendore dhe me problemet e përmirësimit të qeverisjes. Dhe rezoluta pasqyron saktësisht aftësinë e PS-së dhe të institucioneve drejtuese të saj për të integruar të dy problemet dhe për të vënë edhe analizat, qofshin edhe kritike, të aspekteve të ndryshme të qeverisjes aktuale, në funksion të përmirësimeve që garantojnë një veprim solidar dhe të organizuar që i shërben një fushate elektorale fituese për PS-në dhe, natyrisht, në funksion të një proçesi zgjedhor korrekt, pa deformime të cilat besoj se janë më pak të mundshme për shkak të përmirësimeve në Kodin Zgjedhor të miratuara me konsensus midis dy blloqeve të mëdha politike. Nga kjo pikëpamje raporti i Kryeministrit Nano me Zëvendëskryeministrin Meta besoj se nuk mund të afektojë angazhimin e PS-së dhe të Kryesisë së saj për veprimin politik zgjedhor, për veprimin qeverisës dhe për anagzhimin në të dy komponetët; zgjedhje korrekte dhe fitore në zgjedhje.
Natyrisht, marrëdhëniet e mia me Zëvendëskryeministrin ishin në objekt të analizave politike të Kryesisë dhe dokumenti politik, që dikush e ka cilësuar të natyrës së OSBE-së, konkludoi këtë analizë politike dhe i jep të gjithë hapësirën dhe instrumentat e mundshme për të kapërcyer diskordancat personale në funksion të një konvergjence politike koherente.
VOA: Z.Nano, Ju flisni për përmirësim të qeverisjes, por duke marrë parasysh mosmarrëveshjet e thella në gjirin e PS-së, a mund të qeverisë PS në mënyrë të efektshme?
Kryeministri Nano: PS ka gjashtë vjet që qeveris, që krijon efekte në qeverisje, që maten me ndryshime konkrete në funksionimin e institucioneve të jetës ekonomike dhe në gjendjen e stabilitetit, si dhe të qetësisë së shoqërisë shqiptare në raport me korrupsionin, krimin e organizuar, trafiqet dhe, natyrisht, me partneritetin me vendet fqinje dhe me faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë që na asistojnë në këtë tranzicion. Pra nuk besoj se ka ndonjë krizë të qeverisjes. Analiza politike që sapo ribëmë gjithashtu vlerëson se për shkak të stabilitetit qeverisës dhe të rezultateve të progresit të konstatuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë në 11 muajt e fundit, janë të gjitha premisat për të vazhduar prodhimin e rezultateve në dobi të shtetasve dhe të monitorueshme edhe nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara, OSBE dhe nga organizata të tjera të specializuara që na asistojnë në kurimin e dobësive të sistemit apo të shoqërisë shqiptare në një rajon problematik në të kaluarën dhe nga kjo pikëpamje unë besoj se kemi me se çfarë rezultatesh dhe angazhimesh të komunikojmë dhe me zgjedhësit shqiptarë në muajt që vijnë.
VOA: Z.Nano, ekziston një mendim i përgjithshëm se problemet e ngritura nga z.Meta janë legjitime dhe mbi të gjitha ai i ngriti këto probleme në mënyrë institucionale. A mos reaguat Ju më tepër sesa duhet me sulmet e ashpra ndaj numrit 2 në kabinetin Tuaj dhe duke kërkuar edhe dorëheqjen e z.Meta?
Kryeministri Nano: Unë nuk besoj se kam sulmuar z.Meta. E kundërta është e vërtetë realisht, sepse z.Meta ka ngritur probleme më pak sesa unë për qeverisjen. Unë kam vënë pikat mbi "I" për dobësitë e sistemit të institucioneve dhe të kapaciteteve të administrimit publik në Shqipëri që para gjashtë muajsh dhe z.Meta nuk bërë ndonjë gjë përveçse ka ndërtuar një sens opozite politike ndaj qeverisë ku bën pjesë dhe ka hedhur në opinionin shqiptar akuza politike ndaj qeverisë së tij, pra qeverisë të PS-së, ku ai është edhe një nga drejtuesit. Nga kjo pikëpamje unë nuk besoj se z.Meta ka formuluar ndonjë opsion përmirësues për qeverisjen përkundrazi ka formuluar një opsion as konkurues për veten si oponent politik brenda PS-së dhe qeverisë dhe unë jam akoma duke pritur që z.Meta të prononcohet midis alternativës të absorvimit të opozitës së tij politike brenda qeverisë duke u angazhuar politikisht dhe publikisht për të bashkëpunuar në suksesin qeverisës dhe elektoral të partisë ku bën pjesë ose të largohet, të japë dorëheqjen sepse ka zgjedhur opsionin e konkurentit socialist brenda qeverisë dhe kjo nuk mund të bashkëjetojë me aksionin ekzekutiv, aksionin e reformave, aksionin e luftës kundër krimit, trafiqeve dhe të integrimit që qeveria ku z.Meta është Zëvendëskryeministër vazhdon të jetë e monitoruar nga publiku dhe nga faktori ndërkombëtar.
VOA: Me një fjalë z.Nano ju i qëndroni ende kërkesës që z.Meta të japë dorëheqje?
Kryeministri Nano: Kjo varet. Unë natyrisht i qëndroj kësaj kërkese nëse z.Meta nuk është në gjendje të qetësohet, të absorvojë opozitën politike ndaj qeverisë së tij dhe të rishfaqet si një nga protagonistët e zhvillimit politik dhe europian që ka krijuar PS në Shqipëri në gjashtë vitet e fundit. Nëse jo, natyrisht duhet të largohet sepse nuk besoj se unë jam më i keq se Toni Bler, apo z.Meta është më i keq se Robin Kuk.
VOA: Z.Meta ka bërë të qartë se ai nuk ka ndërmend që të japë dorëheqjen. Në qoftë se ai nuk do të japë dorëheqjen a parashikoni ndonjë krizë institucionale?
Kryeministri Nano: Unë zotëroj të gjithë qetësinë dhe autoritetin politik, ligjor dhe institucional që të qetësoj çdo aventurë apo mbartës aventurash në qeveri apo në mazhorancën aktuale duke komunikuiar në mënyrë demokratike me partinë dhe me aleatët e saj në koalicionin qeverisës, me Presidentin e Republikës dhe natyrisht edhe në mënyrë shumë transparente edhe me opozitën në Kuvendin e Shqipërisë për të ruajtur vazhdimësinë e funksionimit të institucioneve demokratike të vendit në një stinë elektorale dhe për të nxitur dhe ndihmuar gjithashtu çdo konkurent apo oponent që të afishohet për karierë jo në kundërshtim me interesat kombëtare dhe të integrimit të vendit.
VOA: Z.Kryeministër, me gjithë përparimin e arritur nga qeveria juaj, përparim që është njohur si brenda vendit ashtu edhe jashtë, Shqipëria ende ndeshet me sfida tepër të vështira dhe puna e qeverisë lë shumë për të dëshiruar. A pritet ndonjë ndryshim, ndonjë masë për të përmirësuar gjendjen dhe qeverisjen e vendit tuaj?
Kryeministri Nano: Dëshirat për progresin në Shqipëri janë të mëdha dhe stimuli më i madh për qeverinë, për mazhorancën, për institucionet e shtetit demokratik dhe ligjor në Shqipëri, janë aspirat e njerëzve apo padurimi i tyre për të parë një vend më të begadë, më të sigurtë, më të hapur dhe më të integruar. Dhe ky është instrumenti kryesor me të cilin qeveria jo vetëm ndërton por edhe korrigjon programet dhe aksionet e veta ekzekutive, ky është stimuli kryesor që mazhoranca ndërton dialog dhe bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me opozitën për të përshpejtuar zhvillimin dhe integrimin e vendit. Prandaj është krejtësisht e natyrishme, që edhe dëshira e bashkëatdhetarëve, ju jeni një bashkëatdhetar shumë i shquar për t'u konsideruar si përfaqësues i aspiratave të shqiptarëve kudo ku janë, është pjesë e këtij stimuli dhe nxitje për përmirësime dhe aksione reformatore më efikase. Prandaj do t'ju ftoja që të kuptoni se nuk ndjehemi vetëm në këtë angazhim për progres dhe të gjitha kontributet që vijnë nga brenda dhe nga jashtë vendit për përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve në institucionet euro-atlantike janë të mirëpritura dhe të pazëvendësueshme.