Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua sot pasdite mbledhja e Komitetit Ndërministror të Politikave të Sigurisë Kombëtare, e cila u përqëndrua në hartimin dhe zbatimin e platfor
Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua sot pasdite mbledhja e Komitetit Ndërministror të Politikave të Sigurisë Kombëtare, e cila u përqëndrua në hartimin dhe zbatimin e platformës së masave për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë kësaj mbledhjeje, u analizuan çështjet mbi realizimin e detyrave të parashikuara në strategjinë "Për kontrollin e kufirit dhe menaxhimin e integruar të tij", platformën dhe masat konkrete për realizimin e lëvizjes së lirë të shtetasve, ecuria e reformës së modernizimit të shërbimit të gjendjes civile, si instrument për realizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe veprimtarinë e administratës doganore në shërbim të qarkullimit të lirë të shtetasve dhe të luftës antitrafik.
Në përfundim të takimit, Kryeministri Nano la si detyrë ngritjen e menjëhershme të një grupi pune, në bashkëpunim me institucionet e përfshira në këtë proces, me qëllim hartimin brenda vitit 2004 të planit të masave, që do të përbëjnë dhe substancën e Paketës Shengen, që synon lehtësimin e lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë.
Mbi bazë të detyrave të parashtruara për dikasteret përkatëse, grupi i punës do të hartojë dhe prezantojë brenda muajit shkurt një raport progresiv për gjendjen dhe mbi bazën e të cilit do të bëhet rishikimi i planit të masave veçanërisht për vitin 2004, duke synuar që pjesa substanciale e masave legjislative dhe e studimeve të fizibilitetit për ndërhyrje teknike, strukturore, organizative, administrative, trajnime etj, të jetë gati brenda këtij viti.
Sipas platformës së dalë nga mbeldhja e sotme, brenda muajit qershor do të bëhet azhornimi i këtij raporti, në mënyrë që të krijohet ritmika e duhur e presionit institucional mbi dikasteret që kanë detyra në këtë fushë. Me përparësi, - theksoi Kryeministri Nano, - do të shihen institucionet që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejta, si akset Rend-Mbrojtje-Transport, përfshi dhe shërbimin doganor dhe ai Drejtësi-Pushtet Vendor në funksion të masave të reformës në Shërbimin e Gjendjes Civile. Nga kjo platformë do të identifikohet më pas edhe një matricë aktesh për inisiativat legjislative apo aktet e tjera vendimarrëse që duhen ndërmarrë në këtë kuadër.
Ky plan masash, shtoi Z. Nano, do të çojë në hartimin brenda këtij viti të Paketës Shengen. Në funksion të saj, Kryeministri Nano kërkoi marrjen e kontakteve intensive dhe shkëmbimin e eksperiencës me vende të rajonit si Bullgaria, që kanë përvojë në këtë fushë.