E Diel, 1 Nëntor 2026

Të nderuar pjesëmarrës, Tryeza e sotme e Komitetit Ndërministror të Politikave të Sigurimit Kombëtar mblidhet për një çështje vërtet të ndjeshme dhe po aq të rëndësishme për vendin,

Të nderuar pjesëmarrës,
Tryeza e sotme e Komitetit Ndërministror të Politikave të Sigurimit Kombëtar mblidhet për një çështje vërtet të ndjeshme dhe po aq të rëndësishme për vendin, opinionin publik dhe shtetasit tanë, në hullinë e proçesit të përafrimit dhe integrimit europian – lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.

Megjithëse, e drejta e lëvizjes së lirë të çdo qenieje njerëzore sanksionohet në dispozitat e para të të gjitha akteve themelore juridike ndërkombëtare dhe kombëtare, që trajtojnë aspekte të ndryshme të të drejtave të njeriut, për shtetasit e një numri të madh vendesh si ky i yni, vazhdojnë të ndeshin ende barriera dhe këto mbeten çështje në diskrecion të autoriteteve kompetente të shteteve, ku kërkohet të udhëtojnë edhe shtetasit tanë.

Pra, objektivisht çështja për të cilën flasim është tepër e vështirë dhe komplekse, me aktorë vendas dhe të huaj, pasi, në fund të fundit, ajo nuk ka të bëjë vetëm me dëshirën apo me përpjekjet e strukturave tona shtetërore, por vetvetiu ngërthen edhe aspekte ndërkombëtare, legale, institucionale, financiare, praktike, etj. Aspekte që lidhen me menaxhimin dhe kontrollin e kufijve, migrimin dhe politikën e vizave, azilin dhe dokumentat e identifikimit dhe udhëtimit, si dhe sigurinë e transportit në det, ajër e tokë.

Qeveria Shqiptare, e vetëvedijshme për domosdoshmërinë e krijimit të hapësirave të nevojshme për qarkullimin e lirë legal të shtetasve, si një ndër oportunitetet e nxitjes së zhvillimit të vendit dhe përshpejtimit të proceseve integruese, me platformën që po diskutojmë sot dhe masat e mëtejshme ekzekutive, duhet të tregojë seriozitetin, përgjegjësinë dhe vullnetin e palëkundur në të gjitha drejtimet, brenda dhe jashtë vendit.

Në këtë frymë, dhe duke parë në lidhje të pandarë lëvizjen e lirë të shtetasve me menazhimin e kufijve shtetërorë, kërkoj nga ju dhe institucionet që drejtoni, gjykimin dhe konceptimin e kufijve shtetërorë, jo si caqe, korniza dhe pengesa që vihen për t'i ngushtuar individëve apo grupeve të caktuara mundësinë e lëvizjes jashtë territorit të vendit. Kjo logjikë e vjetëruar administrative, i ngelet të shkuarës, duke këmbëngulur se ajo duhet të ekzistojë dhe forcohet, vetëm për individë, grupe dhe veprimtari me natyrë kriminale e terrioriste. Ka ardhur koha që kufijtë shtetërorë, këto vija tokësore e ujore që na ndajnë me shtetet fqinjë, të kthehen në vija ndarëse figurative dhe imagjinare duke shërbyer si ura bashkëpunimi, integrimi dhe besimi reciprok.

Synim primar i kësaj tryeze është pikërisht eksplorimi, evidentimi i mundësive dhe marrja e masave ekzekutive, në funksion të krijimit të lehtësirave në qarkullimin e shtetasve tanë, sidomos në vendet e Shengenit.
Ndërmarrja e një hapi të tillë do të sillte një stabilizim më të madh në vend, forcimin e luftës kundër trafiqeve ilegale dhe krimit të organizuar, sepse qytetarët tanë nuk do t'i drejtoheshin më rrugëve ilegale për të emigruar dhe nuk do të shërbenin më si "lëndë e parë" për trafikantët, por do të preferonin rrugët legale për kalimin e lirë të kufirit.

Kjo do të sillte jo vetëm reduktimin edhe më të trafikut të qenieve njerëzore, kontrollin më efikas të situatës së lëvizjeve të njerëzve ndërmjet kufijve, por do t'i krijonte mundësi akoma më të mëdha shtetit, për të goditur më fuqishëm trafiqet e ndryshme, si dhe veprimtaritë e tjera kriminale, që realizohen duke përdorur kufijtë tanë tokësorë dhe detarë.

Pozicionimi i Shqipërisë në listën e vendeve, qytetarët e të cilëve duhet të pajisen me vizë për të qarkulluar në vendet e BE-së, ka kushtëzuar nevojën e hartimit të një plani masash për të përcaktuar elementët ku do të përqëndrohet puna e administratës shqiptare, veçanërisht e atyre sektorëve që kanë lidhje direkte me këtë proces.

Më konkretisht:

Së pari, është çështja e menaxhimit dhe e kontrollit të kufijve, e cila kërkon nga strukturat e Ministrisë së Rendit Publik, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera të përfshira në proces, aftësi administruese në drejtim, organizim dhe menaxhim për kufijtë shtetërorë, duke ju përmbajtur ligjeve, akteve nënligjore dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ky menaxhim dhe kontroll, fillon që nga plotësimi i bazës ligjore, ngritja e strukturave të përshtatshme, trajnimi profesional i tyre dhe efikasiteti i punës së strukturave.

Mund të thuhet se ekziston një kuadër i gjërë ligjor, i shoqëruar me strategjitë përkatëse, infrastrukturë kjo e cila kërkon implementimin serioz dhe të menjëhershëm.

Krahas procesit të ristrukturimit të të gjitha pikave të kalimit kufitar, është në proçes kompjuterizimi dhe lidhja e tyre me sistemin qendror pranë Ministrisë së Rendit Publik, me qëllim qarkullimin dhe komunikimin e shpejtë të të dhënave në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Ndërkohë duhet të përshpejtohet instalimi në pikat e kalimit kufitar tokësor, detar apo ajror i aparaturave për identifikimin e dokumentave të parregullta, zbulimit dhe survejimit të individëve dhe veprimtarive kriminale.

Një aspekt i rëndësishëm është edhe forcimi i bashkëpunimit policor ndërkombëtar për luftën kundër trafiqeve të paligjshme, krimit të organizuar dhe emigracionit ilegal, për çka vendi ynë bashkëpunon me shumë vende mbi bazën e marrëveshjeve përkatëse. Kohët e fundit, siç është bërë e qartë me trasparencën e nevojshme, këto marrëdhënie janë shtrirë edhe përsa u përket shërbimeve tona inteligjente, çka ka sjellë një rritje të efikasitetit të luftës sonë komplekse kundër këtyre fenomeneve, sidomos akteve terroriste.

Mendoj se ka ardhur koha, që Ministria e Rendit Publik të shikojë mundësinë e hartimit të marrëveshjeve bilaterale, në funksion të krijimit të grupeve të përbashkëta të policisë kufitare me vendet fqinjë. Gjë e cila e bën më të monitorueshëm dhe të lehtë proçesin, si dhe rrit përgjegjësitë dypalëshe.

Për menaxhimin dhe kontrollin e integruar kufitar, përsëris se nuk duhet të mungojë dhe duhet rritur ndjeshëm edhe bashkëpunimi ynë institucional. Ku duhet veçuar ai midis strukturave të Ministrisë së Rendit Publik, Ministrisë së Mbrojtjes, SHISH-it dhe Ministrisë së Financave. Dueti Polici Kufitare - Roje Bregdetare ka nevojë për një riformatim, të mbështetur në akte dhe rregullore të përbashkëta.

Vetëm kështu, mund të arrihet në krijimin dhe bashkëpunimin e strukturave operative dhe efikase, struktura të cilat po nuk vepruan dhe dhanë rezultate në kohë, nuk do të kenë asnjë dallim nga gurët e kufirit, që rrinë palëvizuar dhe memecë, në një vend dhe në çdo kohë.

Së dyti, drejtim tjetër ku po punohet për arritjen e objektivit tonë për lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë në hapësirat e Shengenit, është edhe proçesi reformues për modernizimin e shërbimit të gjendjes civile.

Përmirësimi i lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë në Europë, kushtëzohet, ndër të tjera, edhe me pajisjen e tyre me dokumenta identiteti të besueshme. Për të arritur në pajisjen e shqiptarëve me dokumenta të tilla, është planifikuar të ngrihet një sistem i tërë modern, i kompjuterizuar i regjistrimeve të gjendjes civile. Mbi këtë sistem të besueshëm të pajisjes së shtetasve me dokumenta identiteti (letërnjoftime), do të bazohet edhe nxjerrja e pasaportave për jashtë shtetit. Nga ana tjetër, ekzistenca e një sistemi të tillë do të ofrojë database-in që do të përdoret më shumë në të ardhmen, Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Ekzistenca e këtij regjistri do të krijojë besueshmëri në çdo lloj statistike, apo database, që përdor si burim të dhënat nga zyrat e gjendjes civile.

Për të arritur synimet e caktuara për modernizimin e këtij shërbimi, po punohet paralelisht për plotësimin e kuadrit ligjor të nevojshëm, ristrukturimin e Shërbimit të Gjendjes Civile, përmirësimin e dokumentacionit, kompjuterizimin e Shërbimit të Gjendjes Civile, kualifikimin e punonjësve etj.

Nga ana tjetër, krijimi i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, do t'u krijojë mundësinë shumë përdoruesve të tjerë, si organeve tatimore, të doganave, sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Institutit të Statistikave, organeve të drejtësisë, të mbrojtjes dhe shumë përdoruesve të tjerë privatë, që në bazë të një kuadri ligjor të përcaktuar, të kenë kopje të besueshme, të plota apo të pjesshme të të dhënave të këtij regjistri. Kjo e gjitha do të jetë edhe më mirë në shërbim të menaxhimit më të mirë dhe bashkëkohor të problematikave të qeverisjes së vendit.
Kjo reformë dhe projektet e nevojshme për realizimin e saj, kërkojnë edhe mbështetjen financiare. Për këtë arsye Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit së bashku me atë të Financave, pa harruar mbështetjen dhe donacionet ndërkombëtare, duhet të gjejnë dhe propozojnë sa më shpejt zgjidhjen e duhur.

Në këtë mënyrë krijohet mundësia dhe gjenden format e duhura për lëshimin e dokumentave të identitetit me elemente sigurie sipas standarteve të komunitetit europian.

Së treti, kur pranova më sipër se lehtësimi i lëvizjes së shtetasve është një çështje me karakter juridiko-ndërkombëtar, kam parasysh nevojën e bashkëpunimit dhe arritjes së marrëveshjeve me shtetet e tjerë.

Në se me vendet e Europës Lindore e Juglindore apo të tjerë në rajone më të largët ka pasur disa rezultate, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për vendet e sistemit të Schengenit.

Megjithatë përvoja e vendeve të tjerë tregon se brenda legjislacionit të shteteve të Schengenit (sepse efektivisht në përmasat e tyre ndeshen me tepër barriera), ka hapësira që mund të shfrytëzohen në interes të krijimit të lehtësirave të lëvizjes së lirë.

E konsideroj si një shqetësim të ligjshëm dhe në të njëtën kohë edhe si kontribut të përgjegjshëm për të eksploruar së bashku mundësitë eventuale për të hedhur hapa përpara në këtë drejtim. Në këto rrethana, Ministria e Punëve të Jashtme duhet të bëjë përpjekje të shumta për të siguruar lehtësi për lëvizjen e lirë të shtetasve tanë nëpërmjet rrugës bilaterale. Rezultatet e arritura dhe të raportuara nuk janë ato që duam dhe presim.

Procedurat e marrjes së vizave, për kategori të përzgjedhura personalitetesh të shoqërisë shqiptare nga fushat e politikës, kulturës, artit, sportit, biznesit, etj., në zbatim të Protokolleve të Përbashkëta për Bashkëpunim, duhet të shoqërohen edhe me procedura të lehtësuara për grup mosha të caktuara apo njerëz në nevojë.

Së katërti, jo pa rëndësi për procesin është edhe përmirësimi i gjendjes dhe rritja e sigurisë në portet e vendit dhe aeroport. Modernizimi i filluar në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza", duhet të shoqërohet me të njëjtën përgjegjësi edhe në Portet e Durrësit dhe të Vlorës, pa qenë i shkëputur nga krijimi dhe vendosja e strukturave të specializuara të sigurisë në to.

Në procesin e lëvizjes së lirë të shtetasve, ndikon edhe paisja e tyre me një leje drejtimi automjeti (patentë) sipas standarteve të Bashkimit Europian. Edhe këtu Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit së bashku me Ministrinë e Financave, duhet të gjejnë dhe sugjerojnë rrugën për mbështetjen financiare të procesit.

Së pesti, gjithmonë në funksion të lehtësimit të lëvizjes së lirë të shtetasve dhe në bashkëpunim me strukturat e tjera shtetërore, Shërbimi Doganor, duhet të forcojë kontrollin tokësor dhe ujor, në funksion të mbylljes së çdo shtegu ligjor apo fizik për trafik lëndësh narkotike, trafik mjetesh dhe paisjesh të ndaluara nga ligji, mbrojtje të shëndetit të popullit, paisje për veprimtari kriminale apo për kontrabandë tregtare.

Shërbimi Doganor, duhet ndërgjegjësuar se ashtu si kudo në botë, nuk vjen vetëm si institucion i fiskut që realizon të ardhura, por është edhe një strukturë e rëndësishme parandaluese, në fushën e sigurisë në vend. Funksion ky që në të ardhmen do të zërë vend parësor.

Kjo lëvizje strukturore në të mirë të punës, ka ardhur koha të shoqërohet me pastrimin e radhëve të këtij shërbimi nga elementë të korruptuar që abuzojnë me detyrën.
Shërbimi Doganor duhet të rrisë dhe fuqizojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit në rajon dhe më gjerë. Në këtë kontekst, nuk arrij të kuptoj se si për një periudhë 1-vjeçare, struktura doganore nuk emëron punonjësin e saj pranë SECI-t në Bukuresht.

Së fundi, duke pritur diskutimet dhe sugjerimet tuaja për të konkluduar përfundimisht hapat që do të ndërmerren për të standartizuar parametrat që garantojnë lëvizjen e lirë të shtetasve kërkoj që: Ministria e Rendit Publik, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit si dhe ajo e Financave, duhet të angazhohen urgjentisht për rivlerësimin e legjislacionit të fushës, nxjerrjen e akteve ligjore dhe nënligjore të nevojshme, për të parë dhe analizuar përqasjen e tij me standartet e BE-së dhe rekomandimet e dhëna nga Bashkimi Europian.

Natyrshëm pasi të kemi arritur këtë standartizim me reforma dhe veprime ligjore e ekzekutive konkrete, do të jemi në gjendje të kërkojmë me përgjegjësi dhe mirëkuptimin e përfaqësuesve të Komisionit Europian që Shqipëria të nënshkruajë marrëveshjen Shengen me BE-në.

Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›