Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Ambasadorin Robert Barry, Shef i Misionit të Monitorimit të Zgjedhjeve OSBE- ODIHR dhe Ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, Osmo Liponen. Në
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Ambasadorin Robert Barry, Shef i Misionit të Monitorimit të Zgjedhjeve OSBE- ODIHR dhe Ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, Osmo Liponen.
Në fillim të këtij takimi, Kryeministri Nano vlerësoi mbështetjen dhe asistencën që OSBE dhe ODIHR vazhdon të ofrojë në realizimin e proçeseve elektorale korrekte, drejt standarteve demokratike, në Shqipëri. "Vlerësoj angazhimin e organizmave që Ju përfaqësoni për të monitoruar zgjedhjet në Shqipëri. Ky është një kontribut shumë pozitiv për këtë proçes. Ne të gjithë duhet të punojmë në përputhje me kodin elektoral dhe të sigurojmë zgjedhje të moderuara dhe të pakontestuara nga asnjë forcë politike", tha Kryeministri Nano.
Kryeministri është shprehur se roli i OSBE-së dhe prezenca e saj në zona prioritare veçanërisht në proçesin elektoral do të ndihmojë të gjithë aktorët politikë të kapërcejnë sensitivitetet e tyre dhe të aplikojnë standarte dhe sjellje korrekte për proçesin, gjatë periudhës së fushatës.
Zoti Nano garantoi në emër të qeverisë për vullnetin e plotë në sigurimin e zgjedhjeve të lira, dhe demokratike, sigurimin e financimit të këtij proçesi, si dhe për zhvillimin e një dialogu institucional me administratën zgjedhore në këtë funksion.
Është i rëndësishëm - tha Kryeministri Nano – proçesi i monitorimit nga ju, i cili nënkupton vlerësim për maturimin e institucioneve në Shqipëri dhe që të mos humbim kontrollin për shkak të emocioneve të partive politike që konkurojnë në këtë garë elektorale.
"Demokracia në Shqipëri është në rrugën e maturimit të vazhdueshëm dhe, në këtë rrugë, klasa politike duhet të kryejë detyrat e saj në raport me përgjegjësitë që mban, që do të thotë se nuk na lejohet të ndërhyjmë me një optikë "partizane" për aplikimin e standarteve të BE-së dhe të ushtrojmë autoritetin ligjor, duke respektuar institucionet e pavarura që kanë një rol të rëndësishëm në konstituimin e zgjedhjeve", tha Kryeministri Nano.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i lartë i ODIHR-it ka shprehur vlerësimin e tij për arritjet në përgatitjen e këtij proçesi zgjedhor dhe administrimit të tyre. "Jam i impresionuar nga mënyra se si u implemntua Kodi i ri Elektoral dhe mendoj se janë të gjitha kushtet për një proçes elektoral të suksesshëm. Po konstatoj një vullnet politik të madh në përballimin e këtyre zgjedhjeve", u shpreh ai.