E Diel, 1 Nëntor 2026

Galaktikët në Tiranë, tapeti i blertë sot kushton miliarda

Autori i Lajmit: RedaksiaTiranë - “Galaktikët” e Real Madridit do të zbresin sot në Tiranë për të luajtur një miqësore luksi me ekipin e Gramozit të Ersekës. 90-minutëshi i vlefshëm për “Trofeun Taçi Olil” do të luhet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Real Madridi, njëri nga klubet më të mëdha në Botë, vjen në Shqipëri për të zhvilluar këtë miqësore. Madrilenët janë një nga skuadrat, lojtarët e së cilës në merkato kushtojnë mbi 600 milionë euro apo e thënë ndryshe sa 1/4 e buxhetit shqiptar. Vetëm verën e kaluar, presidenti Florentino Perez shpenzoi 252 milionë euro për të marrë futbollistë si Kristiano Ronaldo, Rikardo Kaka, Karim Benzema apo Xabi Alonso. Për ndeshjen e së mërkurës, mungesat e vetme të ekipit madrilen janë ato të Higuain, Van der Vart dhe Van Nistelroi, që janë të dëmtuar dhe nuk kanë marrë pjesë as në seancën stërvitore të së hënës. Kjo do të thotë se pjesa tjetër e skuadrës, e kryesuar nga presidenti Florentino Perez, do të jetë e gjitha në Tiranë. Edhe Benzema e Kasijas, që gjithashtu mungonin në stërvitjen e së hënës, nuk kanë probleme serioze. Në uebsajtin zyrtar të tij, Reali ka njoftuar se do të luajë një ndeshje në “Qemal Stafa”, stadiumin që është kthyer në një makth për shumë vjet për skuadrat e mëdha të kontinentit. Në fakt, bëhet fjalë për një ndeshje miqësore, duke parë diferencën tepër të madhe mes klubeve, por Reali bën të ditur se dëshiron tia shtojë edhe këtë trofe vitrinës së tij të tejmbushur. Portieri i Besës, Orges Shehi, mbrojtësi i verdhezinjve, Alban Dragusha, mesfushori Artion Poçi si dhe sulmuesi i kavajasve, Daniel Xhafaj, do të jenë në dispozicion të trajnerit të Gramozit, Agim Canaj, për sfidën miqësore kundër Real Madridit, të vlefshme për trofeun “Taçi Oil International”.
Axhenda
Real Madridi do të mbërrijë në aeroportin ndërkombëtar shqiptar “Nënë Tereza” rreth orës 12:00 të ditës së mërkurë, 20 janar 2010, pra kur luhet dhe takimi. Skuadra spanjolle do të akomodohet në hotel “Rogner”. Në orën 18:00 do të luhet ndeshja dhe pas këtij takimi 9-herë fituesit e Champions League do të nisen direkt për në Spanjë. Madrilenët do të vijnë në Shqipëri të mërkurën në mesditë dhe më pas, Rikardo Kaka, Kristiano Ronaldo, trajneri Pelegrini dhe presidenti Florentino Perez, do të dalin në një konferencë shtypi. I gjithë ekipi do të shoqërohet me masa të forta policore, duke qenë se bëhet fjalë për ekipin më të madh në botë për sa i përket emrit. Veç tyre, në Shqipëri do të vijnë edhe një numër i madh gazetarësh spanjollë.
Masat e Policisë
Ndeshja miqësore Real Madrid – Gramozi pritet të sjellë në Tiranë një numër të madh tifozësh nga e gjithë Shqipëria. Për të shmangur çdo lloj incidenti si dhe për të siguruar mbarëvajtjen e ndeshjes, Drejtoria e Policisë së Tiranës ka marrë masat organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të këtij aktiviteti sportiv. Kështu nga e Policisë së Tiranës njoftohet se do të ndalohet parkimi i të gjitha automjeteve përreth stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, sheshit “Italia” dhe sheshit “Nënë Tereza”, duke filluar nga ora 08.00 e ditës së nesërme deri në përfundim të këtij aktiviteti. Po ashtu, nga ora 15.00, deri në përfundim të ndeshjes do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në rrugët drejt stadiumit “Qemal Stafa” si dhe në rrugët përreth tij, si rruga “Lek Dukagjini” dhe “Dervish Hima”, e cila lidhet në kryqëzimin me rrugën “Asim Zeneli”. Ndërkohë, gjatë hyrjes së sportdashësve në stadium, nga ana e policisë do të ushtrohet kontroll i imtë në drejtim të parandalimit të futjes në stadium, të sendeve të ndaluara.
Ky lajm është publikuar: 20/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›