Kina i thotë jo “Avatarit”, arsyet politike
Autori i Lajmit: Redaksia
Pekin - Kina i ka thënë jo “Avatarit”. Filmi gjigant i James Kamerun është tërhequr nga shumica e kinemave kineze me vendim të China Film, që ka vendosur ta zëvendësojë me një biografi të filozofit Konfucio. Nuk është hera e parë që Kina censuron filma të Hollivudit. Pak ditë më parë, filmi “Avatar” mori dy çmime në ceremoninë e “Golden Globe”, si regjia më e mirë dhe si filmi më i mirë dramatik. Të hënën në mbrëmje në “Ballroom Intenacional”, në Beverly Hilton, ku është zhvilluar edicioni i radhës i ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Golden Globe”, “Avatar” rrëmbeu dy çmime. Çmimi kryesor i këtij eventi i shkoi filmit fantastiko-shkencor “Avatar” të regjisorit amerikan Xhejms Kamerun. Regjisori i filmit, Xhejms Kamerun, fitoi gjithashtu çmimin për regjinë më të mirë në ceremoninë që u mbajt në Beverli Hills të Kalifornisë. Lajmi konfirmohet nga shtypi kinez, ndërsa filmi pritej të shfaqej nga 22 janari. Vetëm versioni tridimensional që shikohet me syzet tridimensionale në kinema, do të lejohet të jetë në qarkullim. Megjithatë, audienca që shijon filmin në këtë mënyrë është shumë e vogël. Me daljen e “Avatarit” në Kinë pritej që fitimet e filmit të shumëfishoheshin shumë më tepër se rekordet që ka thyer deri tani në tregjet e SHBA-së dhe Evropës. Në komentet e bëra në internet, theksohet se vendimi është politik dhe se është vendosur ti jepet hapësirë një filmi patriotik që është prodhuar në Hong-Kong (Konfucio). Ky film do të shfaqet më 23 janar. Të tjera komente theksojnë se autoritetet e kishin vlerësuar filmin si të rrezikshëm për minoritetet etnike të Kinës, si tibetianët dhe ujgurët. Sipas gazetës së Hong-Kongut “Apple Daily”, vendimi do të ishte politik dhe urdhri për bllokimin e tij do të vinte direkt nga Departamenti Qendror i Propagandës së Partisë Komuniste.
Ky lajm është publikuar: 20/01/2010