E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuhet Panajot Pano, mbreti i futbollit shqiptar

Autori i Lajmit: Redaksia
SHBA - Ka vdekur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës legjenda e futbollit shqiptar, Panajot Pano, njeriu i cilësuar si futbollisti më i mirë shqiptar i shekullit të 20-të. “Mbreti” i Partizanit dhe i Kombëtares Shqiptare, ka ndërruar jetë për shkak të një infarkti, ndërsa ishte për një vizitë familjare te vajza e tij në Amerikë. Pano nuk vuante nga probleme shëndeti kohët e fundit, kështu që ndarja e tij nga jeta i ka lënë të gjithë të shokuar.
Kush ishte Pano?
Pano e nisi karrierën e tij si portier. Por cilësitë e tij të rralla ofensive e shndërruan atë si sulmuesin më të madh me fanellën e Tiranës e Partizanit, përpos ndonjë ndeshje ndërkombëtare si i huazuar me Dinamon. Për Panajot Panon, ndër vite, çdokush është munduar që të shpikë nofka të reja. Ato më të goditurat janë: “Pele shqiptar”, “Pushkash i vogël”, ”gjeni”, “Gerd Myler shqiptar” dhe “viktima e komunizmit”(kjo fundit i është vënë lidhur me faktin se sistemi në atë kohë nuk e lejoi lojtarin që të shkonte të luante në Turqi me ekipin e Fenerbaçes). Por Joti gjithmonë e quante veten thjesht: një futbollist. Në rreth 700 ndeshje, 100 prej tyre ndërkombëtare (miqësore e zyrtare) Panajot Pano ka arritur që të shënojë 400 gola në Shqipëri dhe rreth 50 gola në ndeshjet ndërkombëtare. I pari që zbuloi talentin shqiptar ishte ish-trajneri i ekipit kombëtar të Shqipërisë, Adem Karapici. Ky i fundit arriti që të dallonte klasin e Panos që në moshën 13-vjeçare, kur ai frekuentonte shkollën “10 Korriku”. Më pas, Iljaz Dingu dhe Fadil Bakalli i japin mësimet e para për futbollin, ndërkohë që ishte merita e Xhavit Demnerit, i cili i gjeti vendin e duhur në fushë djaloshit të artë: atë të sumuesit me të rinjtë e “17 Nëntorit” (me këtë ekip ai fitoi titullin kampion në vitin 1957 dhe u shpall golashënuesi më i mirë me të rinjtë). Më pas, një tjetër trajner, Myslim Alla, e afroi Panajot Panon (168 cm) në ekipin e parë (atëherë 17 vjeç), ku luanin emra të mëdhenj si Fatmir Frashëri e Skënder Halili, Naim Balla, Fred Rruxho, Stefan Pavli. Ylli i Panos shkëlqeu shumë shpejt dhe “Partizani”, ndaj të cilit shënoi dy golat për Tiranën në humbjen 4-2, duke shfrytëzuar edhe thirrjen për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak, e rekrutoi në radhët e skuadrës së drejtuar nga trajneri Rexhep Spahiu, i cili i gjeti përfundimisht vendin e duhur golashënuesit të ri, si sulmues i djathtë, me të cilin fitoi edhe titullin e parë në kampionatin e vitit 1961. Legjenda e futbollit shqiptar, Loro Boriçi, ishte edhe trajneri që mori maksimumin nga thesari i tij i vogël. Partizani drejtohet nga Ilia Shuke, e më pas nga Refik Resmja, të cilët besuan shumë të cilësitë e jashtëzakonshme të Panajotit. Pano, i vlerësuar edhe me titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, ishte një nga lojtarët kryesorë të kohës futbollistike të tij. Joti ka mundur që të shpallet plot katër herë kampion i Shqipërisë (1961, 1962-1963, 1963-1964) dhe pesë herë fitues i Kupës së Republikës (1961, 1964, 1966, 1968, 1975). Pano ka qenë autor i mbi 100 golave ndërkombëtarë, e mbi 500 të tillë në 700 ndeshje gjatë karrierës së tij të gjatë futbollistike. Ai u nda nga fusha e blertë 35-vjet më parë, në vitin 1975. “Nëse Panajot Pano ndoshta nuk mund të më kujtojë më, unë e kam parasysh atë gjithmonë”, - është shprehur dikur për shtypin gjerman “Kaizeri”, Franc Bekenbauer, legjenda e madhe e futbollit botëror dhe Gjermanisë, për atë performancë të jashtëzakonshme “Jotit” në ndeshjen e Shqipërisë kundër Gjermanisë në vitin 1971. “I shpejtë si era, energjik, depërtues, i papërmbajtshëm, bomber i vërtetë”. Këto janë disa nga përcaktimet e bëra nga gazetarët dhe radiokronistët e kohës, për Panajot Panon, legjendën e futbollit shqiptar dhe ish-futbollisti i famshëm i Partizanit, që, gjatë karrierës së tij futbollistike, njeriun që ka luajtur mbi 700 ndeshje, 100 prej të cilave ndërkombëtare, përfshirë edhe ato miqësore të klubeve dhe ekipeve kombëtare dhe olimpike.
Ngushëllimet
Menjëherë pas mësimit të lajmit, reagimi i parë ka ardhur nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. “Dëshiroj tju gjendem pranë shpirtërisht në këto çaste dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të pazëvendësueshëm, Panajotit tonë të shtrenjtë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta! Sportisti i rrallë, korifeu i futbollit shqiptar, që me lojën e mahnitshme, shpirtin e tij luftarak dhe sidomos me golat e paharruar do mbetet ngaherë i gdhendur në historinë e futbollit shqiptar dhe në kujtesën e tifozëve dhe sportdashësve, do të vazhdojë ngaherë të admirohet jo vetëm nga ata që e njohën personalisht dhe patën fatin të luajnë me të apo kundër tij, por ai do të vazhdojë të kujtohet si një legjendë e gjallë e sportit shqiptar. Duke ndarë me ju dhimbjen për humbjen e parakohshme të “Nderit të Kombit”, të këtij njeriu me vlera të rralla njerëzore dhe qytetare, jam i bindur se të gjithë sportdashësit shqiptarë dhe të huaj do ti jenë përjetësisht mirënjohës Panajot Panos për shpirtin sportiv dhe artin futbollistik që tregoi në fushën e blertë si dhe për frymëzimin e sa e sa brezave futbollistësh të rinj me jetën dhe lojën e tij të pashembullt”,- shkruhet në mesazhin e ngushëllimit të Kreut të Shtetit shqiptar.
Ky lajm është publikuar: 20/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›