Nën shembullin e Sorbonës
Edmond Tupja
Nuk ma ha mendja që të ketë qytetarë shqiptarë, të paktën ndër ata që i kanë përfunduar me nder studimet e mesme dhe që, për pasojë, e kanë merituar të ashtuquajturën dëftesë të pjekurisë, që të mos e dinë se ç’është Sorbona, aq më tepër që Shqipëria, prej disa vitesh, është anëtare me të drejta të plota e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. Sorbona, pra – sa për t’u freskuar kujtesën atyre që mund ta kenë harruar se për çfarë bëhet fjalë – është Universiteti më i vjetër në Francë, themeluar që në vitin 1257 nga Robert dë Sorbon, d.m.th. plot shtatëqind vjet para themelimit të Universitetit Shtetëror të Tiranës, i cili, nga viti 1985 deri në atë 1991, mbajti paturpësisht emrin e diktatorit Enver Hoxha.
Pyetja mund të lindë me të drejtë në mendjen e lexuesit të vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime të së dielës: “Ku doni të dilni sot, zoti Tupja, me Sorbonën? Ç’lidhje ka ajo me universitetet shqiptare, përveç faktit që në auditorët e saj janë formuar një numër intelektualësh shqiptarë, një pjesë të të cilëve, me shumë gjasë, duhet t’i ketë përndjekur deri në internim, burgim apo pushkatim, diktatori i lartpërmendur?”
Po, ka një lidhje. Qysh pardje në mëngjes, kur dëgjova te RFI-a lajmin që në Paris, gjashtë universitete franceze, dalë nga gjiri i Sorbonës së para disa dhjetëvjeçarëve, kanë hyrë në garë për të përcaktuar se cilit prej tyre i takon të mbajë, i vetëm, emrin e Sorbonës pikërisht. Pse ndodh kjo? Sepse emri i Sorbonës është shumë prestigjioz sot në botë dhe diplomat që jep ajo janë tejet të besueshme, madje të lakmueshme jo vetëm në Europë, por edhe përtej Atlantikut e më gjerë. Sa i lumtur do të isha unë, edhe si i student diplomuar dikur në Sorbonë, edhe si pedagog prej kaq e kaq vitesh në Universitetin e Tiranës, sikur një ditë të bukur, tri universitetet e Tiranës, pra, Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik dhe ai i Kamzës, të hynin në garë për të përcaktuar se cilit prej tyre i takon të mbajë, i vetëm, emrin...? Vërtet, cilin emër? Me gjithë mend, ç’emër mban Universiteti i Tiranës? O Zot, ç’mynxyrë qesharake! Gjithë ky universitet u quajtka thjesht Universiteti i Tiranës! Por i Tiranës është edhe Universiteti Politeknik, edhe ai i Kamzës! Asnjë nga këta tri universitete nuk janë të ndonjë qyteti tjetër! Të paktën, në Elbasan, universiteti mban emrin e Aleksandër Xhuvanit, në Durrës atë Aleksandër Moisiut, në Gjirokastër atë Eqrem Çabejit etj., etj. Jam thuajse i sigurt që pas disa dhjetëvjeçarësh, kur nga gjiri i universitetit të Elbasanit të kenë dalë disa universitete, secili prej tyre do të kërkojë ta mbajë, i vetëm, emrin e Aleksandër Xhuvanit, sidomos nëse diplomat e fituara atje do të kenë të paktën gjysmën, madje qoftë edhe çerekun e prestigjit të diplomave që merren në Sorbonë. Po kështu, në të njëjtat kushte të hamendësuara, uroj të ndodhë me gjasë në Durrës, Gjirokastër e në qytete të tjera universitare të Shqipërisë.
Gjithsesi, nuk duhet të shqetësohemi shumë nga fakti që universitetet e Tiranës janë deri tani pa emër. Sepse, po të ishim ende në diktaturë, Universiteti i Tiranës do të mbante emrin e Enver Hoxhës dhe, sot, të tri universitetet, nën shembullin e Sorbonës, do të hynin detyrimisht në garë për të mbajtur emrin e diktatorit ose, në rastin më pak tragjikomik, emrin “Universiteti i Hoxhonës”, dhe kjo për analogji me emrin e Sorbonës që vjen pikërisht nga emri i dijetarit Robert dë Sorbon. E di, lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës, do të më vërë në dukje se analogjia në fjalë nuk është e plotë, se Enver Hoxha mund të ishte gjithçka veç jo dijetar, se vërtet emri Robert (shqipto Rober) rimon me emrin Enver (ashtu si “dijetar” rimon, mjerisht, me “gjakatar”, sepse i këtillë ishte diktatori ynë frëngjishtfolës), por mbiemri Sorbon nuk rimon me atë Hoxha, se Robert de Sorbon-i ishte aristokrat (këtë e dëshmon pjesëza de), ndërkohë që Enver Hoxha ishte autokrat (këtu rima rishfaqet si për ironi), se emri Robert, sido që t’ia kombinosh shkronjat, nuk jep asgjë me kuptim, ndërsa emri “Enveri”, po t’ia rendisësh ndryshe dy germat e para, formon fjalën “Neveri” (sepse jo vetëm i përgjakshëm, por edhe i neveritshëm ishte sistemi që ai krijoi), se vërtet Enver Hoxha u orvat të bënte studime në Francë, por nuk guxoi të regjistrohej në Sorbonë dhe kishte të drejtë, sepse edhe në universitetin e Monpeliesë ku përfundoi, ngeli në klasë ngaqë vetëm te studimet nuk e kishte mendjen.
Së fundi, meqë në Shqipëri po hapen shumë universitete, aq sa thuhet proverbialisht “Qytet e universitet, fshat e dekanat”, propozoj që, kur të përurohet së shpejti universiteti aq i mezipritur i Bërrakës, të mos quhet thjesht “Universiteti i Bërrakës”, por t’i vihet emri që meriton prej kohësh, Othello ose, më afër nesh (në kohë, por jo në hapësirë), Mandela. Ky është edhe mendimi internacionalist i Xim Çukullatës, banor shumë i vjetër, gati i lashtë, i Bërrakës, i cili, kur është ndonjëherë çakërrqejf, del e ulet para Komisariatit nr. 3 të kryeqytetit duke thirrur: “Bërraka, republikë!”