E Diel, 1 Nëntor 2026

Otranto, 4 shqiptarë me 316 kg drogë

 

ITALI/LEÇE

Katër skafistë shqiptarë u arrestuan dje nga policia italiane pasi tentuan të trafikonin 316 kile hashash me gomone në brigjet Salentine përmes Otrantos. Operacioni për arrestimin e Shpendi e Benjamin Islamaj, Metla Imamaj dhe Lorenc Beqirajt, është zhvilluar pas mesnatës së të premtes, duke u gdhirë dita e shtunë, ndërsa ata po tentonin të shkarkonin në breg drogën që kishin sjellë nga Shqipëria. Sipas mediave lokale të cilat iu referohen burimeve zyrtare të Guardia di Finanza-s, gomonia që mbartte narkotikun ishte e gjatë rreth 7 metër dhe pajisur me një motor prej 250 kuaj fuqi. Kjo është parë nga ana e Guardia di Finanza-s gjatë natës, duke u gdhirë e shtuna rreth 5, 6 milje nga bregu në jug të zonës së San Cataldos. Gjatë kësaj kohe gomonia me katër shqiptarët në bord udhëtonte me shpejtësinë e rreth 25-30 nyje. Për të bërë të mundur arrestimin e tyre veç dy motovedetave, Guardia di Finanza ka vënë në operacion një avion dhe një helikopter, të cilët kanë patrulluar nga ajri gjithçka. Drejtuesi i gomones, sapo ka vënë re që mjeti i tyre ishte vënë në survejim nga autoritetet italiane të rojës bregdetare, ka ndezur motorët dhe është kthyer drejt lindjes me shpejtësinë maksimale. Pas kësaj dy motovedetat dhe dy mjetet që patrullonin nga ajri janë vënë në ndjekje të tyre, duke i arrestuar pas disa orësh ndjekje në det të hapur. Ndërkohë në një konferencë shtypi, mëngjesin e djeshëm komandanti provincial i Guardia di Finanza-s, Patrik Vezzoli, ka pohuar se skafistët nuk i janë përgjigjur urdhrit të policisë për dorëzim, çka ka bërë që të ndiqeshin derisa u vunë në pranga. Vezzoli pohoi gjithashtu, se katër shqiptarët nuk kanë qenë të armatosur dhe janë arrestuar pa reaguar, ndërsa tashmë do të përgjigjen për trafik ndërkombëtar të drogës. Ndërkohë, zyra e prokurorit të Donno Leçes, pohoi dje zyrtarisht për mediat lokale se: "Kontrolli i kanalit të Otrantos nga Guardia di Finanza është bërë në mënyrë të intensifikuar, pasi ishte konstatuar se për disa muaj kishte lulëzuar trafiku i narkotikëve ndërmjet Shqipërisë dhe Brigjeve Salentine". Sipas tij trafikantët kanë përdorur sërish rrugën e vjetër, ndërsa zbarkonin në bregun midis Brindisit dhe Leçes. Sipas deklarimeve që kanë dhënë në policinë italiane lënda narkotike ishte blerë nëpër zona të ndryshme të Shqipërisë.                      fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›