E Diel, 1 Nëntor 2026

Trupi i emigrantit të vrarë gjendet në breg të Osumit

Kufoma e një emigranti të sapokthyer nga Greqia është gjetur paraditen e djeshme në një fshat të rrethit të Beratit. Trupi i pajetë i 28-vjeçarit Erjon Shuka nga Ura Vajgurore është gjetur në një zonë të braktisur në breg të lumit Osum, në fshatin Moravë. Policia tha se bëhet fjalë për një vrasje të pastër, motivet e së cilës ende nuk dihen.

Rreth orës 08.00 të mëngjesit të djeshëm, pranë Komisariatit të Policisë së Beratit ka mbërritur një informacion për një viktimë të gjetur në bregun e lumit të fshatit Moravë, vetëm pak kilometra larg këtij qyteti. Kanë qenë banorët e fshatit, të cilët punonin tokat e tyre, ata që kanë parë një kufomë shumë pranë bregut të lumit.

Ekspertët e policisë, mjekët ligjorë dhe shumë agjentë policie kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ka qenë një parcelë e pambjellë vendi ku është gjetur trupi i pajetë. Ekspertët e policisë thanë se i riu është gjetur pa shenja jete, ndërsa pranë vendit ishin shpërndarë disa veshje dhe sende personale të tij. Policia bllokoi menjëherë vendin e ngjarjes, ku nisi hetimet e para me këqyrjen e trupit të pajetë, sigurimin e provave dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Nga dëshmitë e para mësohet se ka qenë një bari i zonës personi i parë që ka vënë re prezencën e kufomës, ndërsa kulloste bagëtitë. Ai mësohet të ketë njoftuar banorët e tjerë të zonës dhe më pas ata kanë telefonuar policinë. Nga këqyrja e trupit të pajetë është mësuar se ai është vrarë me armë zjarri. Kështu, sipas burimeve zyrtare të Komisariatit të Policisë Berat, personi është vrarë me një plumb pistolete model 54. Plumbi ka hyrë në gjoks dhe ka dalë në kurriz. Nga të dhënat paraprake rezulton se personi mund të jetë vrarë pas mesnatës së të premtes, rreth 7 orë përpara se të gjendej trupi.

Në afërsi të kufomës është gjetur një bluzë trikotazhi ngjyrë kafe dhe pak më larg një xhup ngjyrë kafe në xhepin e brendshëm të të cilit është gjetur një telefon celular me kartë telefonike greke. Policia tha se personi është identifikuar si Erjon Shuka, 28 vjeç, banor i qytezës së Urës Vajgurore.

Trupi i pajetë është dërguar më pas në morgun e spitalit të Beratit, ku u është nënshtruar hetimeve të rastit. Policia ka nisur menjëherë hetimet dhe po punon në disa pista, përfshirë atë të një vrasjeje për grabitje, ose të një vrasjeje për motive hakmarrjeje. Viktima mësohet se ishte emigrant në Greqi me dokumente të rregullta dhe vetëm pak ditë më parë ishte kthyer pranë familjes. Të afërm të viktimës, banorë të lagjes "Guri i Bardhë" të Urës Vajgurore treguan se i riu ishte kthyer tri ditë më parë nga Greqia ku jetonte prej vitesh. Mbrëmjen e së premtes ai ishte larguar nga banesa për t‘u takuar me disa shokë. Familjarët kanë deklaruar në polici se djali i tyre nuk kishte konflikt me askënd. Policia ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por ende nuk mund të flitet për të dyshuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›