E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëna e Kapelos: “Kam frikë për Fabion”

Fabio Kapelo u zyrtarizua si trajneri i ri i Anglisë duke nënshkruar një kontratë katër vjecare e gjysmë me Federatën Angleze të Futbollit. Trajneri italian vendosi firmën në një kontratë me vlerë prej 6 milionë sterlinash në vit dhe me një klauzolë largimi që mund ta lejojë atë të ndërpresë marrëdhëniet në vitin 2010. Kapelo do të sjellë në stafin e tij ndihmësit Franko Baldini, Italo Galbiati, Franko Tankredi dhe Masimo Neri. Pranë tij do të jenë edhe disa trajnerë angleze.
NËNA EVELINË - Nëna e Fabio Kapelos pranoi se është e shqetësuar në lidhje me presionin e shtypit që do ta shoqërojë djalin e saj pasi ai të marrë punën si trajner i Anglisë. Fabio Kapelo ka pranuar të jetë tekniku i Kombëtare së "Tri luanëve" pas viteve të punës si trajner klubesh në Itali e Spanjë. Në të kaluarën thuajse jeta e cdo trajneri të Anglisë janë shkatërruar nga ndërhyrja e shtypit britanik dhe nëna e Don Fabios paralajmëron se edhe i biri i saj do ta ndjejë këtë. Evelina Tortul, nëna e 61-vjecarit Kapelo pohon shqetësimin e saj për gazetën "Daily Telegraph": "Unë nuk jam shumë e lumtur rreth punës së tij. Gazetat dhe televizioni do të jenë gjithmonë pas shpinës së tij, dhe të flasësh keq rreth gjithckaje që ai do të bëjë, nuk do të ishte një gjë e lehtë. Ditët e mia në paqe përfunduan tashmë. Problemi me median është se kur ju fitoni ajo është e sjellshme me ju, por kur humbisni është e gatshme edhe të të presë fytin", shtoi ajo. "Unë jam nëna e tij, kështu që kjo më bën mua të palumtur".
PARATË- Caktimi i Fabio Kapelos si trajneri i ri i Anglisë u aprovua nga bordi ekzekutiv i Federatës Angleze dhe italiani do të marrë në total 6 milionë sterlina (rreth 18 milion dollarë) në vit, pas pagimit të taksave. Kjo e vendos fitimet e Kapelos të barabarta me pagën e kapitenit të Anglisë, Xhon Terrin, i cili fiton 130.000 sterlina (302.000 dollarë) në javë. Federata angleze pohoi se kishte punësuar një trajner "world-class" dhe shuma e shpenzuar për të ia vlente. Dy trajnerët e fundit të Anglisë: suedezi Sven Goran Erikson fitonte 4 milionë sterlina (9.3 milion dollarë në vit) dhe skocezi Stiv Meklaren, 2.5 milionë sterlina (5 milionë dollarë) në vit, por kostoja e dështimit të kualifikimit në finalet e Euro 2008 kushtuan të paktën 12 milionë sterlina (27.9 milionë dollarë), duke sjellë dëmtime të mëdha financiare emrit të Anglisë.
Ish-trajneri i Anglisë, Sven Goran Erikson, beson se FA nuk është duke bërë një gabim me Kapelon. "Unë e njoh Fabio Kapelon prej vitesh. Unë isha kundërshtari i tij në Serinë A për gati 10 vjet. Ai është një njeri shumë i mirë dhe një menaxher i zoti. Arritjet e tij flasin shumë qartë. Ai ka fituar shumë tituj. Kur ju flisni për këtë nivel trajnerësh dhe përmend emra të tillë si Morinjo, Lipi, Kapelo, Ferguson e Venger ju nuk mund të gaboni pasi janë të gjithë trajnerë të mirë, Natyrisht, Kapelo duhet t'i trajtojë lojtarët në mënyrën e duhur. Të gjithë njerëzve unë u kam thënë se ai do t'ia arrijë", - thotë Erikson. Kapelo flet për momentin një anglishte të kufizuar. "Kjo nuk do të jëtë aspak problem. Sigurisht nuk ishte as për mua të flisja atij në italisht".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›