E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu në Shkodër: Gjykime të dobëta

Cilësia e gjykimeve penale është e dobët dhe puna e gjyqtarëve për seancat e masave të sigurisë lë për të dëshiruar". Kështu ka pohuar nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu në Shkodër, gjatë analizës së punës njëvjeçare të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit, bërë në hotel "Europa" paraditen e djeshme. Këshilli i Lartë i Drejtësisë vijon kështu takimet me gjyqtarët dhe prokurorët nëpër rrethet e vendit. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, deklaroi gjatë fjalës së tij, se cilësia e gjykimeve penale është e dobët, ndërsa kritikoi gjyqtarët për seancat e masave të sigurisë. Si shqetësuese u cilësua edhe numri i lartë i vrasjeve në Shkodër për vitin e kaluar. Sipas të dhënave, 25 për qind e vrasjeve në të gjithë vendin për vitin e kaluar kanë ndodhur në Qarkun e Shkodrës. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, pohoi se si problematikë e punës së gjykatës është mungesa e ambienteve dhe e infrastrukturës në përgjithësi, të cilat e kanë kushtëzuar punën e këtij institucioni. "Mungesa e infrastrukturës dhe informacioni i dobët kanë bërë që gjyqësori në përgjithësi dhe Gjykata e Shkodrës në veçanti të mos ketë një realizim të plotë të nevojave që ka kjo gjykatë. Jemi koshientë që pa realizimin e këtyre kushteve do të jetë shumë e vështirë që niveli i solemnitetit dhe i transparencës së proceseve gjyqësore të arrijnë nivelet e kërkuara", deklaroi nënkryetari i KLD-së.

Pas fjalëve të para dhe leximit të raporteve mes institucioneve të përfshira në këtë analizë, kanë nisur debatet e forta dhe akuzat. Ndryshimet e vendimeve që ka bërë Gjykata e Apelit për çështje të gjykuara nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër kanë qenë shkak për këtë situatë të ndezur. Sipas një gjykatëseje të Shkallës së Parë, mes Prokurorisë së Shkodrës dhe Gjykatës së Apelit janë krijuar klane. Ajo ka dhënë eksperiencën e saj dhe ka pohuar se "klani i prokurorisë ka pasur influencë tek 50 për qind e trupit gjykues. Kur është gjykuar çështja në Gjykatën e Shkallës së Parë, prokurori është shprehur se do ta prishë në Apel këtë vendim të Shkallës së Parë dhe ashtu ka ndodhur. Ku është këtu logjika e drejtësisë dhe e veprimeve të kësaj gjykate?" - tha gjykatësja.

Por, Gjykata e Apelit i është përgjigjur menjëherë kësaj akuze, duke pohuar se në të gjitha rastet vendimet kanë ndryshuar në bazë të një arsyetimi të qartë ligjor. Kryetari i Gjykatës së Apelit në Shkodër, Fatmir Hoxha, ka sqaruar të gjithë sallën, duke dhënë raste konkrete. Madje, ai nuk ka ngurruar të ftojë të pranishmit në sallë të jepnin mendimin e tyre në lidhje më çështjet në fjalë. Kryetari i Gjykatës së Apelit ka akuzuar gjykatën më të ulët për paaftësi dhe për gafa gjatë gjykimit. "Në të shumtën e rasteve, Apeli i kthen vendimet, pasi në arsyetimet e Gjykatës së Shkallës së Parë vërehen neglizhenca. Ka raste kur vërejmë një mungesë totale të arsyetimit të vendimit të kësaj gjykate. Më thoni ju nëse është e logjikshme që të jepet vendimi për dënim me burg të përjetshëm dhe arsyetimi vjen nga gjykata me një fletë. Po kështu edhe për dënime me 25 vite burg është e pafalshme që nga gjykata të na vijnë vendime telegrafike. Ka vendime ku gjykata gjykon për katër vjet dhe pas katër viteve shprehet që akuza nuk i është komunikuar të pandehurit. Në vendimet gjyqësore ka gabime të rënda, që arrijnë deri në gafa, si për masat e sigurisë, e deri në vendimet e themelit", ka pohuar kryetari i Gjykatës së Apelit, Hoxha.

I pakënaqur me Gjykatën e Shkallës së Parë ka qenë edhe prokurori i rrethit, Përparim Kulluri, i cili ka bërë publike disa nga mangësitë e gjykatës në raport me Prokurorinë e Rrethit Shkodër. "Shpallja e pavlefshme e akteve të ekspertimit, masat e sigurisë dhe vonesat në zbardhjen e vendimeve, janë pikat e dobëta të Gjykatës së Shkodrës", ka pohuar Kulluri.

Replikat

Gjyqtarja e Faktit:

Klani i prokurorisë ka pasur influencë tek 50 për qind e trupit gjykues. Kur është gjykuar çështja në Gjykatën e Shkallës së Parë, prokurori është shprehur se do ta prishë në Apel vendimin e Shkallës së Parë dhe ashtu ka ndodhur. Ku është këtu logjika e drejtësisë dhe e veprimeve të kësaj gjykate?

Kreu i Apelit:

Në të shumtën e rasteve, Apeli i kthen vendimet, pasi në arsyetimet e Gjykatës së Shkallës së Parë vërehen neglizhenca. Ka raste kur vërejmë një mungesë totale të arsyetimit të vendimit të kësaj gjykate. Më thoni ju nëse është e logjikshme që të jepet vendimi për dënim me burg të përjetshëm dhe arsyetimi vjen nga gjykata me një fletë. Po kështu edhe për dënime me 25 vite burg është e pafalshme që nga gjykata të na vijnë vendime telegrafike. Ka vendime ku gjykata gjykon për katër vjet dhe pas katër viteve shprehet që akuza nuk i është komunikuar të pandehurit. Në vendimet gjyqësore ka gabime të rënda, që arrijnë deri në gafa, si për masat e sigurisë, e deri në vendimet e themelit.

Kreu i Prokurorisë:

Shpallja e pavlefshme e akteve të ekspertimit, masat e sigurisë dhe vonesat në zbardhjen e vendimeve janë pikat e dobëta të Gjykatës së Shkodrës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›