Dëbora, izolon veriun e vendit

Reshjet e dëborës që kanë rënë gjatë gjithë natës kanë vështirësuar situatën në zonën veriore dhe verilindore të vendit duke sjellë bllokime komunash dhe rrugësh. Më e rënduar situata paraqitet në Kukës, Tropojë, Shkodër dhe Pukë ku në disa fshatra mungon edhe energjia elektrike ndërsa dëbora ka arritur mbi 70 centimetra. Në Milot, Mamurras, dhe në Kurbin energjia ka ikur prej orësh dhe sipas pushtetit vendor rrjeti është dëmtuar nga era e fortë. Komunat e bllokuara në Dibër janë Kalaja e Dodës dhe Komuna Lurë, në Bulqizë është e bllokuar komuna Zerqan, në Mat është bllokuar Xibri, Martaneshi dhe Macukulli, në Tropojë komuna e Lekbibaj, në Shkodër komuna e Kelmendit. Të bllokuara janë dhe 10 fshatra në malësinë e Krujës. Ndërkaq janë bllokuar tërësisht akset rrugore Qafa e Malit në Pukë, Peshkopi-Skuraj në Dibër, ndërsa në aksin Peshkopi-Milot është problematike Qafa e Buallit dhe kalimi bëhet me vështirësi dhe vetëm më zinxhirë. Autoritetet vendore në bashkëpunim me policinë kanë nisur punën për zhbllokimin e situatës. Ndërkaq reshje debore kanë rënë dhe në shumë qytete të tjera të vendit. Në Malin e Dajtit dëbora ka zbritur deri në kodrat rrëzë Tiranës.