Vizita e Berluskonit, Harasani hedh dyshime mbi investimet italiane
Investimet italiane, nënshkrimi për furnizimin me energji elektrike përtej brigjeve të Adriatikut u bë objekt i debatit në Parlament, ndërmjet deputetit socialist Andis Harasani dhe Ministrit të Energjetikës, Genc Ruli. Deputeti socialist tha se shteti shqiptar, përpara se të mendojë të furnizojë me energji Italinë, duhet të zgjidhë këtë problem në Shqipëri. Ai hodhi dyshime për mungesën e transparencës së këtyre marrëveshjeve. “Partnerët shqiptarë, në këtë rast, qeveria e Sali Berishës, më së paku ka disa detyrime kushtetuese, politike dhe morale për të dhënë: Së pari, këto investime direkte italiane në fushën e energjisë, sa ndikojnë në zgjidhjen e problemit tonë të mungesës së energjisë në vend? Çfarë pjese do të zërë energjia e prodhuar në Shqipëri për të shkuar në dobi të konsumatorit shqiptar? Me çfarë kushtesh është afruar kjo kontratë prodhimi energjie? Kush do të paguajë, e kam fjalën në vlerë monetare, përveç shëndetit të shqiptarëve, për emetimin e gazrave të dëmshëm?”, iu drejtua Harasani ministrit. Ndërsa Ministri i Energjetikës, Ruli u shpreh se investimet që do të realizohen pritet të sjellin përfitime për Shqipërinë. “Ne po prodhojmë energji dhe këtë energji do e marrë Italia, skam dëgjuar ndonjë francez të thotë se po ia çojmë energjinë Italisë. Pra të tilla koncepte në një treg që sapo po krijohet dhe në duhet të bëhet pjesë e këtij tregu, këto me duket se janë tërësisht antiglobaliste”, deklaroi Ruli. Ministri theksoi se “kontratat kanë pasur një ekspertizë shumë të kualifikuar dhe e quajti mjaft të rëndësishëm faktin se këto projekte pas mbarimit të koncesionit 20-vjeçar do të kalojnë nën pronësi të shtetit shqiptar”. Ndërsa për sa i përket çështjes së projektit të gazit, Ruli e paraqiti si mjaft të vlefshëm për Shqipërinë. “Projekti i krijon mundësi Shqipërisë të krijojë një treg të gazit për qëllime energjetike. Avantazhet që do të kemi nga ky investim prej 1 miliard eurosh është se ai do të jetë një burim punësimi, do të përmirësojë ndjeshëm rrjetin rrugor të zonës, duke rehabilituar rreth 50 km rrugë ekzistuese dhe 70 km të tjera rrugë të reja, ndërsa të ardhurat fiskale do të jenë 30% e shumës së investimit”, deklaroi ministri.