E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla “NOBEL”, Taçi, skandal dhe me vlerën e blerjes dhe deklarimit të saj

Nga Tema

Vazhdon skandali i shkollës “NOBEL”. Të tjera dokumente flasin për skandalin e radhës në shkollën “NOBEL”, ku administrator dhe pronar i saj është z. Rezart Taçi, njëkohësisht dhe presidenti i kompanisë “Taçi Oil”. Një mospërputhje midis vlerës reale të blerjes së shkollës dhe asaj që ka deklaruar z. Taçi është skandali i radhës. Siç ju kemi vënë në dijeni në disa shkrime të mëparshme, skandali ka filluar të bëhet publik, kur z. Taçi, pasi kishte marrë një kredi prej 950.000 eurosh nga banka Emporiki, duke vënë si kolateral shkollën “NOBEL” (kredi që do të përdorej për blerjen e saj dhe pajisjet), pas jo më shumë se 6 muajsh kërkon një kredi tjetër nga banka NBG me vlerën 3.000.000 euro (tre milionë), po me kolateral shkollën. Banka NBG, mbi bazën e kërkesës të z. Taçi dhe vlerësimit nga ana e saj, i aprovon një vlerë prej 2.000.000 eurosh. (Sipas të gjitha gjasave vlerësimi i kësaj shkolle nga NBG duhet të ketë qenë nga 2,7-3 milionë euro). Themi sipas gjasave, se me gjithë përpjekjet tona, asnjëherë z. Taçi dhe banka NBG nuk kanë bërë transparente procedurat e marrjes së kësaj kredie, si dhe përdorimin e saj. Pra, një rivlerësim i shkollës nga banka NBG brenda 6 muajsh, gati me dyfishin e asaj që ishte vlerësuar më parë nga banka Emporiki. Një kredi, e cila u miratua nga banka NBG, edhe pse nuk ishte pranuar e firmosur nga ortaku tjetër i shoqërisë. Një kredi, e cila, siç rezultoi më vonë, ishte e dyshimtë dhe që nuk mbulohej me të ardhurat e shkollës “NOBEL”, edhe sikur ajo të dyfishonte kapacitetet e saj infrastrukturore. Kjo kredi e marrë nga z. Taçi u kundërshtua nga ish-drejtori i shkollës “NOBEL” dhe njëherazi ortak në këtë shoqëri, si dhe nga të gjithë mësuesit dhe një pjesë e prindërve të shkollës. I ndodhur përballë një presioni nga mësuesit dhe prindërit, z. Taçi zgjodhi rrugën më të thjeshtë, atë të hakmarrjes. Largohet nga puna drejtori i shkollës dhe njëherazi ortak i shoqërisë, iu ndërpriten marrëdhëniet financiare një pjese të mësuesve dhe drejtorit që më 1 qershor 2008, megjithëse mësuesit dhe drejtori kishin punuar deri më 30 qershor 2008, megjithëse kontrata përfundonte më 30 gusht 2008 dhe megjithëse në kohën e lajmërimit të ndërprerjes së marrëdhënieve financiare i gjithë stafi pedagogjik ishte me leje. Si reagim i kësaj hakmarrjeje të gjithë mësuesit refuzojnë të firmosin kontratat me z. Taçi për vitin shkollor 2008-2009 dhe rreth 60% e nxënësve të shkollës largohen nga shkolla “NOBEL”. Po ashtu, siç ju kemi bërë me dije në gazetën “TemA”, disa javë më parë, gati 60-65% e kredisë së dytë, rreth 1,2 milionë euro, nuk janë përdorur për shkollën “NOBEL”, por një pjesë ka shkuar për ndihmë për kompaninë “Taçi Oil” dhe pjesës tjetër nuk i dihet destinacioni, pasi z. Taçi jo rrallë ka operuar me tërheqje apo derdhje të hollash cash.

Sipas informacioneve të besuara, gazeta ka zbuluar skandalin e radhës të z. Taçi, lidhur me shkollën “NOBEL”. Çmimi i blerjes së shkollës me atë çka deklaron z. Taçi ndryshojnë dhe ky ndryshim nuk është i vogël. Gjithsesi, mbeten shumë enigma të tjera, të cilat do të zbulojnë totalisht një nga skandalet më të dhimbshme të këtyre kohëve, një skandal ku shkolla, ky tempull i dijes, keqpërdoret. Një skandal ku një njeri në performancë mjaft i fuqishëm financiarisht, që privatizon ARMO -n apo paguan Milanin, me një cinizëm dhe arrogancë të paparë iu heq bukën e gojës fëmijëve të mësuesve dhe drejtuesve të shkollës “NOBEL”, që me një përkushtim e devocion shembullor bënë të mundur ngritjen e kësaj shkolle.

Gjithsesi, për bëmat e tij lidhur me shkollën “NOBEL” dhe stafin e saj pedagogjik z. Taçi po përballet me jo pak, por me pesë padi në gjykatë, ecuria e të cilave do të jetë objekt i shkrimeve të ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›