E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënë Tereza e BerishësNga TemaFjalimin e tij në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Sali Berisha ia kushtoi Nënë Terezës. Ai tha se ky do jetë viti i Nënë Terezës. Berisha arriti aty sa tha se askush nuk i ka dhënë më shumë nder njeriut, sa Nënë Terez

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Nënë Tereza e BerishësNga TemaFjalimin e tij në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Sali Berisha ia kushtoi Nënë Terezës. Ai tha se ky do jetë viti i Nënë Terezës. Berisha arriti aty sa tha se askush nuk i ka dhënë më shumë nder njeriut, sa Nënë Tereza. “Ky vit, për Shqipërinë dhe shqiptarët, do të jetë viti i Nënë Terezës. Këtë vit, gruaja që u shenjtërua për së gjalli dhe që ia doli që me misionin e saj të pushtojë zemrat e jo miliona, por miliardave njerëzve në planet e të shpallet nënë e mbarë njerëzimit, ka 100 vjetorin e lindjes së saj. Në të gjithë jetën e saj, Nënë Tereza u shqua për besimin e saj të jashtëzakonshëm tek Zoti, vlerat, dashuria dhe forca e saj transformuese, shpresa dhe forca e saj udhërrëfyese. Askush nuk i ka dhënë më shumë nder dhe dinjitet njeriut, sesa ajo, me veprimtarinë dhe virtytet e saj,” tha Berisha.
Edhe pse kryeministri tha se nuk duhet të ketë pompozitet në kremtimin e këtij 100 vjetori të lindjes së saj, sërish të gjitha nismat reflektonin pompozitet e zhurmë për njeriun e thjeshtë që ndihmoi të varfrit.
“Ndaj duhet të ngrihet një Komitet, i kryesuar nga Ministri i Kulturës dhe i përbërë nga personalitete të të gjitha fushave. Një grup pune ka qenë aktiv dhe prej disa kohësh është marrë me hartimin e një projekti për këtë 100 vjetor, i cili nuk mund të karakterizohet nga pompoziteti dhe madhështia, tipare që nuk kishin asgjë të përbashkët me shpirtin dhe karakterin e Nënë Terezës,” tha Berisha, që më pas kërkoi të ngrihet një muze për Nënë Terezën, që shtëpia ku ka jetuar nëna e motra në Tiranë, dhe motra e vëllai në Shkodër, të merren në mbrojtje nga Ministria e Kulturës dhe më vonë të vendoset për tu shpallur shtëpi muze.
Berisha, që shkaktoi një skandal të vërtetë kur kërkoi eshtrat e Nënë Terezës nga India, dje tha se ajo është Nënë Tereza e Kalkutës.
Media në Shqipëri, por edhe në botë trajtuan këtë skandal të kryeministrit, duke e quajtur një akt mitomanie. Më poshtë janë dy shkrime të botuara në atë kohë në gazetën Tema.

Nënë Tereza e Sali Berishës!

Nga Mero Baze

Ka qenë një kohë e gjatë dhe e paarsyeshme, kur Nënë Tereza kishte nevojë për Shqipërinë, por ajo e mbajti larg. Tani ka filluar një epokë tjetër, kur Shqipëria ka nevojë për Nënë Terezën, por ajo është larg. Ka qenë një kohë, kur qeveria e parë e zotit Berisha kishte nevojë për shtëpitë bamirëse të Nënë Terezës, për të zbutur varfërinë dhe imazhin e tij në ditët e para të demokracisë në vend. Ka ardhur një kohë, kur zonja Berisha iu fal ndihma shtëpive bamirëse të Nënë Terezës. Pra duket qartë se ka ardhur koha që Sali Berisha është gati të japë gjithçka, vetëm që t’i citohet dhe të bashkohet në opinion me Nënë Terezën. Deklarata e tij për sjelljen e eshtrave të Shenjtores nobeliste në mëmëdheun e saj ngjante më shumë si dëshirë për të prodhuar lajm se sa si një projekt konkret. Por dhe me kaq ia ka arritur qëllimit. Prej një jave shtypi perëndimor po merret me ato që quhen polemika në distancë mes qeverisë së Indisë, ndaj deklaratës së kryeministrit Berisha. Në këto ditë të vështira politike për Berishën në arenën ndërkombëtare, kur Bashkimi Evropian hedh dyshime për deformimin e demokracisë në vend dhe kur imazhi i tij ka probleme me ringjalljen e hijeve të së shkuarës, shfaqja e tij në medien botërore si një bashkatdhetar i Nënë Terezës dhe njeri që po përpiqet të riatdhesojë trupin e saj, është një kurim i mirë imazhi.
Por përtej cinizmit të kryeministrit shqiptar, i cili do dhe di të përdorë edhe historinë në funksion të problemeve të tij të sotme, Shqipëria duhet ta shikojë me realizëm çështjen e respektit ndaj shenjtores me origjinë shqiptare, nobelistes së Paqes, Nënë Tereza.
Së pari, dëshira dhe kërkesa që Nënë Tereza të varrosej në Shqipëri ka ekzistuar që kur ajo u nda nga kjo botë, por atëherë as që mund të flitej për këtë çështje. Nëse përjashtojmë periudhën e errët të komunizmit, kur ambasadori ynë në OKB braktiste seancën ku do fliste shenjtorja shqiptare dhe kur Enver Hoxha e quante atë një agjente të përdalë të imperializmit, ne kemi pasur boll kohë në liri të nderojmë figurën e saj dhe ta njësojmë sa më shumë me Shqipërinë. Përveç disa iniciativave shumë të mira, siç është vendosja e emrit të aeroportit apo sheshit Nënë Tereza në Tiranë, Shqipëria mund të kishte bërë më shumë lidhur me historinë shqiptare të Nënë Terezës, sidomos me prirjen që Shqipëria të prodhojë lajme dhe imazhe që të kujtojnë Nënë Terezën. Në të vërtetë, kur vdiq Nënë Tereza, ne ishim në luftë me njëri-tjetrin dhe më të ndarë se kurrë. Në qendër të kësaj zallamahie që po rrënonte vendin, ishte largimi nga pushteti i Sali Berishës, pas një dhune 6-mujore që pasoi deformime të mëdha të demokracisë në vend. Edhe pse te varri i saj shkuan të gjitha palët, mëmëdheu i saj ishte një shembull i kundërt me jetën e saj.
Së dyti, Shqipëria duhet të jetë serioze edhe kur kryeministri i saj ka dëshirë të përdorë figurën e Nënë Terezës për të tërhequr vëmendjen nga problemet e tij politike. Kur thuhet që Shqipëria do të kërkojë eshtrat e Nënë Terezës, duhet të kemi vërtet një histori të tillë zyrtare ose së paku një procedurë zyrtare, qoftë dhe për hipokrizi. Në të vërtetë nuk kemi asgjë të tillë. Madje, nëse pyet qeverinë shqiptare sot, se kush e ka autoritetin mbi varrin e saj, qeveria indiane, Urdhri Nënë Tereza apo Vatikani, çdonjëri të jep një përgjigje siç e mendon vetë. Kjo do të thotë që s’ka pasur negociata, dhe as që ka ndonjë linjë negociatash në këtë drejtim. Por mbi të gjitha kjo do të thotë se nuk jemi seriozë, dhe kur duam të keqpërdorim Nënë Terezën.

Dhe së fundmi, Shqipëria duhet të bëhet bindëse në ndriçimin e portretit shqiptar të Nënë Terezës, edhe nëse nuk ia arrin të sjellë eshtrat e saj në Shqipëri. Ne duhet të kemi guximin të ndërtojmë në memorien e shoqërisë sonë figurën e saj, duke pranuar dhe fajin tonë për sjelljen barbare të komunizmit ndaj saj. Ne duhet të dëshmojmë se dimë të përulemi dhe të kërkojmë ndjesë si komb dhe për atë pjesë të errët që s’na përkiste të gjithëve, por na e imponoi një ideologji barbare. Kjo do nguliste në shoqërinë shqiptare një linjë urtësie dhe përuljeje që i përngjan Nënë Terezës dhe do të na bënte më pak qesharakë nga sa dukemi sot në megalomaninë tonë për të përfituar ç’të mundim për momentin nga Shenjtorja e Madhe. Ndryshe, ashtu sikundër urrejtja artificiale ndaj saj në kohën e komunizmit, edhe dashuria artificiale për nevoja politike të ditës e kryeministrit Berisha, do të na bëjë po aq dëm ne dhe Nënë Terezës. Ne, në vend që të afishohemi si populli i Nënë Terezës, do të shfaqemi si një shoqëri hipokrite, ndërsa Nënë Tereza do të humbasë dimensionet e saj të mëdha botërore që ka duke hyrë në rrjetën meskine të interesave të ditës së politikës sonë. Kjo do të bëjë që ne të shihemi me dyshim nga gjithë ata miliona njerëz në botë që e adhurojnë shenjtoren me origjinë shqiptare. Ne duhet të dimë të sillemi si populli i Nënë Terezës, që ta meritojmë atë. Ndryshe, nëse jemi sipërfaqësorë dhe momentalë me një njeri të Përjetshëm, askush s’do na e njohë Atë për vlerën tonë. Kështu si po veprojmë duket sikur kjo është Nënë Tereza e Sali Berishës dhe ne një turmë që s’dimë para kujt po përulemi.

Manitë e Sali Berishës

Nga Thomas Roser, “Die Presse”

Shqiptarët mezi presin që të nderojnë sa më shumë gruan më të famshme të kombit të tyre: Dita e Lumturimit të Nënë Terezës në vitin 2003 u shpall si ditë feste kombëtare. Emri i murgeshës së vdekur në vitin 1997 në Kalkutë, i është vendosur edhe aeroportit të Tiranës. Me çmimin “Nënë Tereza” në vendin e shqiptarëve nderohen personalitetet e angazhuara në çështje sociale.
Shumë monumente në nderim të fitueses së çmimit Nobel gjenden dhe në Maqedoninë fqinje: atje ajo u lind me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu në vitin 1910, si bijë katolikësh shqiptarë, në kryeqytetin e sotëm, Shkup.
Fakti që eshtrat e saj ndodhen në Indinë e largët, atdheun e përzgjedhur prej saj, që kur ajo udhëtoi atje në vitin 1929, bën që disa patriotë shqiptarë të mos ndihen të qetë.
Miratimi i shumë bashkëkombësve bëri që kryeministri shqiptar, Sali Berisha, të ishte i sigurt, kur shpalli së fundmi rikthimin e eshtrave të Terezës së bekuar me rastin e 100-vjetorit të ditëlindjes, vitin që vjen.
Tirana ka nisur tashmë bisedimet me qeverinë e Indisë dhe do i “intensifikojë ato, për të sjellë eshtrat e Nënë Terezës sërish në vend.”
Por në subkontinentin e largët, kërkesa shqiptare shkaktoi indinjatë dhe habi.
Qeveria indiane sqaroi se nuk ka një kërkesë të tillë të Tiranës e as nuk mund të vihet në diskutim, nëse do ketë një të tillë për transferimin e eshtrave të saj në Tiranë.
Nënë Tereza është një shtetase indiane, bëri të ditur Ministria e Jashtme: “Ajo prehet në vendin e saj, në tokën e saj”.
Zhurma e medieve në Indi përfshiu shumë shpejt shtypin botëror.
Eshtrat e Nënë Terezës mund të bëhen subjekt i një “përplasjeje të shëmtuar në tri fronte” mes Shqipërisë, Indisë dhe Maqedonisë, parashikonte londinezja “Times”.
Për vendprehjen e një shenjtoreje në qiell shpërtheu në tokë një “debat djallëzor”, - komentonte kanali amerikan, CNN.

***

Ndërsa në Indi, katolikët e zemëruar po bëheshin gati për protesta, në Tiranë i vrullshmi Berisha po përpiqej që të qetësonte gjërat. Përpjekjet e tij ishin para së gjithash për “qëllime humanitare”: “Çdo njeri e meriton që të prehet pranë nënës së tij”, - tha ai.
Megjithatë vëzhguesit thonë krejt të kundërtën, që shefi i qeverisë kujdeset më shumë për imazhin e tij mediatik, sesa ku prehen eshtrat e shenjtores së njohur nga vendi i tij: “Berisha vuan nga mania që të jetë çdo ditë i pranishëm në medie”, - mendon ish-këshilltari i tij, Ermal Hasimja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›