E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet vjedhja e pasqyrave të makinave, shënohen 50 raste

Në kryeqytet është rikthyer moda e vjedhjes së pasqyrave të makinave. Por këtë radhë, gjithë pasqyrat e vjedhura u përkasin makinave të shtrenjta. Kjo ka alarmuar policinë, e cila po lufton nga ditë në ditë krimin e vogël, që është kthyer në shqetësim për banorët. Vetëm gjatë javës që shkoi, policia ka regjistruar rreth 50 raste, ku janë vjedhur pasqyra makinash, pavarësisht se jo të gjithë të dëmtuarit kanë dashur të denoncojnë në polici. Por, fundjava ka qenë më problematike për policinë, pasi gjatë saj janë vjedhur pasqyrat e tetë makinave. Madje, nuk u janë vjedhur vetëm pasqyrat, por edhe u janë thyer xhamat, u janë marrë dokumentet dhe vjedhur sende të tjera brenda tyre. Por, në njërin prej rasteve, policia ka mundur të identifikojë dhe të arrestojë autorët.
Vjedhja e pasqyrave
Vjedhja e pasqyrave të mjeteve ka qenë një "biznes" i mirë për hajdutët edhe më parë. Ata lidheshin me servise dhe pika për shitje materialesh për makina dhe pasi vidhin pasqyrat, i shisnin me gjysmë çmimi. Megjithatë, ky fenomen shqetësues ishte zhdukur, deri para pak ditësh, kur policia është përballur me denoncimet e para. Kështu, ka nisur puna për goditjen e këtij fenomeni. Por, shumë prej drejtuesve të mjeteve nuk kanë preferuar të zgjaten me procedura denoncimi, por thjesht kanë bërë një lajmërim në polici dhe nga ana tjetër, i kanë riblerë pasqyrat e mjeteve të tyre, që zakonisht vidheshin gjatë natës. Ndërkohë ka edhe nga ata që të shqetësuar për këtë problem, pasi u ka ndodhur në grup, kanë denoncuar në polici dhe uniformat blu kanë nisur punën për identifikimin dhe kapjen e tyre. Kështu ka ndodhur edhe me dy rastet flagrante gjatë fundjavës, ku janë dëmtuar nga katër makina.
Vjedhjet në Laprakë
Sipas të dhënave të policisë, denoncimi i parë për këto dy raste është bërë ditën e premte, kur Alfred Marku, 33 vjeç, ka telefonuar në Komisariatin nr. 3 dhe ka treguar se i kishin vjedhur pasqyrat e mjetit të tij "Mercedes Benz", me targa TR 3500 R. Kur policia ka marrë kontakt me të, ai ka shpjeguar se këtë e kishte vënë re rreth orës 08:00 të mëngjesit, kur ishte zgjuar për të shkuar në punë. Ai ka shpjeguar se mjetin e ka pasur të parkuar te Rruga e Durrësit, në Laprakë. Policia ka nisur menjëherë kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërkohë që denoncimet në të njëjtën zonë janë shtuar. Kështu, dyshimet e para kanë rënë mbi Kastriot Braçen, 43 vjeç, i cili është hetuar në gjendje të lirë. Por, dy ditë më vonë, në lidhje me këtë fenomen, policia ka arrestuar dy të dyshuar mbi vjedhjen e pasqyrave të makinave. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se arrestimi i të dyshuarve u krye nga shërbimet e Komisariatit nr. 3. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë aksionit u ndaluan Renato Shkëmbi dhe Bledion Shkëmbi, kushërinj, përkatësisht 20 e 25 vjeç, me banim në Tiranë. Sipas policisë, Bledioni ka qenë edhe më parë i dënuar për vjedhje. Grupi hetimor sqaron se është dokumentuar se këta dy persona kanë arritur të vjedhin pasqyrat e katër mjeteve në Laprakë. Ata nuk e kanë pranuar akuzën, por sipas policisë, u janë sekuestruar edhe disa sende të vjedhura, që i mbanin të fshehura në një mjet "Golf", me targa TR 1460 C, që rezulton në pronësi të Renato Shkëmbit. Për këtë arsye, policia ka sekuestruar edhe mjetin e tyre.
Vjedhjet në Selitë
Vjedhjet e pasqyrave të makinave nuk kanë ndodhur vetëm në zonën e Laprakës, por edhe në Selitë. Pikërisht në një garazh pallati janë dëmtuar katër mjete të tjera, ndërkohë që policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Sipas të dhënave policore, administratori i një pallati ka telefonuar në sallën operative dhe ka deklaruar se ishin vjedhur pasqyrat, dokumentet dhe televizorët e katër mjeteve luksoze. Më tej, administratori i pallatit ka shpjeguar se ngjarja është regjistruar gjatë natës dhe është konstatuar vetëm në mëngjes. Me t‘u njoftuar për këtë ngjarje, eprorët e policisë kryeqytetase kanë dërguar në vendin e ngjarjes shërbimet e Komisariatit nr. 1 dhe ato të seksionit kundër vjedhjes së mjeteve. Grupi hetimor, i formuar në vendin e ngjarjes, shpjegoi se janë dëmtuar tre mjetet e familjes Dino, si dhe mjeti i Armand Zhukës. Të katërt kanë denoncuar në polici, ndërkohë që janë identifikuar edhe dy persona të dyshuar. Policia deklaroi se po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Pak ditë më parë, policia arrestoi edhe dy shkodranë, që u kapën nga shërbimet e Komisariatit nr. 2 në afërsi të stadiumit "Selman Stërmasi". Grupi i punës shpjegoi atë ditë se gjatë kontrollit në mjetin "Mercedes Benz", me targë TR 1689 M, u gjetën dhe bllokuan pesë pasqyra mjetesh, tre kaçavida dhe një çelës poligon, që dyshohet se janë të vjedhura. Për këtë arsye policia arrestoi Astrit Lokjan dhe Alban Hykën. Policia tha se ka shpërndarë agjentët e saj dhe po punon për dokumentimin e gjithë ngjarjeve kriminale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›