Shkodër, 200 fëmijë në garën e këngës
SHKODËR-Festivali i 46-të mbarëkombëtar i këngës për fëmijë, hap siparin e tij nesër në qytetin e Shkodrës. Në ndryshim nga vitet e fundit, ku aktiviteti kryesor i këngës për fëmijë u zhvillua në pallatin e sportit në Shkodër, këtë edicion ai do të zhvillohet në teatrin “Migjeni”. Sipas drejtorit të festivalit, Kujtim Alija, në këtë edicion ka zbritur dukshëm mosha e pjesëmarrësve në të, duke sunduar cikli i ulët shkollor.
“Kjo ka ndikuar dhe tek 30 këngët e reja për fëmijë që do paraqiten në këtë edicion, që janë këngë që zbresin emocione që i drejtohen këtyre moshave, tema e të cilave është më së shumti me kafshë, ëndrra etj”- thotë ai. Duke u zhviluarr festivali në teatër, sipas drejjtorit, ndryshon dhe koncepti i tij, pasi skena zhvendoset në publik dhe për herë të parë në drejtim të tij do jenë dy personazhe të reja, Enki dhe Pomki, figura kukullash, të cilët jo vetëm do bëjnë prezantimin e këngëve të festivalit, por përmes tyre do njihet dhe historia e festivalit në vite.
Janë rreth 200 fëmijë pjesëmarrës në edicionin e sivjetshëm të festivalit mbarëkombëtar , të cilët vijnë nga qytete brenda kufijve shtetërorë, por dhe nga trevat shqipfolëse. Kështu përveç këngëve e interpretuesve nga Shkodra e Tirana, do të ketë të tillë dhe nga Durrësi, Korça, Elbasani, Vlora, Gjirokastra etj, por dhe nga Shkupi, Prishtina, Gjakova, Gjilani, Ulqini e diaspora.