Vdes 13-vjeçari, e zë dheu duke rrëmuar për skrap
TIRANË –Ishte duke rrëmuar për skrap, por humbi jetën kur një masiv i rëndë dheu e zuri poshtë. Ngjarja ndodhi, jo më larg, por në kryeqytetin shqiptar, kur 13-vjeçari, A.N nga Puka mbeti pa jetë nën masivin e dheut pranë zonës së ish-uzinës së Autotraktorëve.
Si për ironi të fatit, ngjarja e rëndë ndodhi pikërisht në ditën Ndërkombëtare kundër punës së fëmijëve dhe pak orë pas fjalimeve prekëse të qeveritarëve për minimizimin e fenomentit të punësimit të fëmijëve dhe afrimin e tyre në bangat e shkollës.
Fill pas ngjarjes, në vend mbërritën forca të shumta policia dhe forca të RENEA-s,
të cilët nisën kërkimet për trupin e tij. U deshëm disa kohë kërkime, pasi mes dheut gjetja e trupit të tij ishte e vështirë.
Më në fund, sipas burimeve policore u gjet trupi i fëmijës, që për fat të keq nuk kishte më asnjë shenjë jete. Mbetej vetëm që ai të përcillej në drejtim të morgut, ndërkohë ekspertët do të thonë fjalën e tyre rreth shkaqeve të kësaj ngjarjeje.
Sipas të dhënave të para të policisë mësohet se i mituri së bashku me pjesëtarët e familjes së tij angazhoheshin për të nxjerrë skrap dhe për t’i shitur më pas, në këmbim të parave me të cilat mbahen.
Hetimet paraprake dëshmojnë se fëmija në momention e ngjarjes ka qenë i vetëm brenda gropës, ku futej përditë për të gjetur hekurishte dhe materiale të tjera që mund të shiten.