Tymoshenko injoron thirrjet për të pranuar humbjen

Kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko, pati sot paraqitjen e saj të parë publike, që nga përfundimi i rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, i cili u zhvillua të dielën, por injoroi thirrjet që të pranojë humbjen në zgjedhje dhe që të jep dorëheqje nga funksioni i saj.
Tymoshenko, në dukje të parë e tendosur, por e vendosur, u paraqit para medieve, për të kryesuar mbledhjen e qeverisë. Ajo nuk komentoi drejtpërsëdrejti zgjedhjet, por sulmoi me këtë rast rivalin e saj pro-rus, Viktor Janukovicin, i cili e mposhti atë në zgjedhje, me një epërsi prej 3.5 për qind.
Refuzimi i saj që të pranojë humbjen sugjeron se ajo po përgatitet për një betejë të gjatë për pushtet me Janukovicin. Analistët theksuan se strategjia e saj tani duket se është që të minojë përpjekjet e Janukovicit për të konsoliduar pushtetin.
“Është e qartë sot se askush nga ekipi i Janukovicit nuk synon të ngritë standardet sociale”, tha Tymoshenko gjatë mbledhjes së qeverisë.
Fushata e Tymoshenkos ka vazhduar të kërkojë rinumërimin e votave në shumë qendra të votimit anembanë Ukrainës dhe ka tërhequr vërejtjen se do të sfidojë në gjykatë rezultatin e zgjedhjeve.