E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënkryetari i KLD sot "beteja" për kandidatët, nis mbledhja

TIRANE-Kreu i shtetit Bamir Topi po zhvillon sot në ambientet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë 'betejën' e radhës me mazhorancën qeverisëse.

Teksa do të drejtojë mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti Topi do të propozojë dhe emrin e nënkryetarit të institucionit të lartë të drejtësisë, vend që mbeti vakant pas dorëheqjes së Kreshnik Spahiut. 

2 kandidate
"Gazeta Shqiptare" ka mundur të mësojë se, në pikën e parë të rendit të ditës është vendosur të shqyrtohet pikërisht zgjedhja e nënkryetarit të ri të Këshillit, që ndryshe nga sa më parë, këtë herë do të çojë në një përballje të fortë mes Presidentit dhe përfaqësuesve të qeverisë në KLD. Kreut të shtetit do t'i duhet këtë herë të luftojë për të siguruar votat për miratimin e emrit që do të propozojë për numrin dy të Këshillit. Natyrisht që kandidatura e tij nuk duket se do të pritet mirë, pasi zgjedhja e Elvis Çefës, si anëtari më i ri i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duket se është bërë pikërisht që ky i fundit të marrë dhe postin e nënkryetarit. Burime të rezervuara për "GSH" thanë se emri i parë që do të propozojë z.Topi për nënkryetar të KLD-së është Ilir Mustafaj, që vjen nga shtresa e të përndjekurve politikë. Mustafaj është anëtar i Gjykatës së Tiranës, i cili ka spikatur për cilësitë e tij profesionale, por zor se mund të "rrëmbejë" votat e nevojshme nga kolegët e tij në KLD-së për t'u ngjitur deri në postin e nënkryetarit. Madje, ka zëra që thonë se Mustafaj do të tërhiqet vetë nga gara edhe pse emri i tij do të shqiptohet nga Bamir Topi.

Burime nga PD-ja thanë për "GSH" se ka dy skenarë për bllokimin e zgjedhjes së nënkryetarit të KLD. Varianti i parë është përpjekja për të bindur të zgjedhurin e Topit që të refuzojë kandidimin dhe i dyti është më i thjeshtë: ai do të rrëzohet me votat e shumicës së anëtarëve të KLD. Megjithatë, fakte të tilla pritet të konfirmohen gjatë mbledhjes së sotme. Nëse dështon me marrjen e votave të nevojshme për emërimin e z. Mustafaj, si numri dy i KLD-së, kreu i shtetit ka edhe emrin rezervë për një post të tillë. Dritan Hallunaj, gjykatës i Krimeve të Rënda, i cili është zgjedhur si anëtar nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, do të jetë propozimi i radhës i Presidentit që nuk dihet nëse do të mundet të sigurojë votat e nevojshme që të jetë në postin e nënkryetarit të Këshillit. Por çfarë pritet të ndodhë sot në mbledhjen e Këshillit? Propozimet e Presidentit natyrisht do të prodhojnë debate të forta dhe me shumë gjasa përfaqësuesit e mazhorancës do të lëvizin të gjithë "gurët" për të bllokuar zgjedhjen e nënkryetarit të ri të Këshillit.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›