Jozefina Topalli, në ceremoninë e betimit të presidentit Barack Obama
Kryetarja e Kuvendit, sot në ceremoninë zyrtare
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është nisur dje drejt Washingtonit, (SHBA) ku do të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Presidentit të zgjedhur Barak Obama, në 20 Janar 2009.
Ceremonia, zyrtare do të mbahet në mesditë në orën 12, ku pas shëtitjes me George Bush nga Shtëpia e Bardhë në Capitol Hill, Obama do të betohet si presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke përshkruar kështu një traditë 220 vjeçare. Duke vendosur dorën mbi Biblën që Linkolni përdori në vitin 1861, i shoqëruar nga bashkëshortja Michele, Obama do të betohet se do të bëjë më të mirën për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Pranvera e ngrohtë dhe ditë më të mira do të vijnë për SHBA”, deklaroi Presidenti i zgjedhur Obama, pasi mbërriti me tren, në Washington.
Kryeparlamentarja Topalli do të jetë e shoqëruar në këtë ceremoni nga zv/Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, njëkohësisht deputet i Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj, deputetja socialiste, njëkohësisht Kryetare e Grupit Kuvendor të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, si dhe lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Në këtë ceremoni të përmasave botërore do të jenë të ftuar dhe shumë personalitete, politikanë, kryetarë shtetesh e qeverish, si dhe zyrtarë të ndryshëm e të rëndësishëm nga e gjithë bota.