“Autoritetet e Kosovës të vendosin kontroll të plotë në Mitrovicë”

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha takohet me kryekomunarin Bajram Rexhepi
TIRANE - Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka zhvilluar dje një takim me kryetarin e Komunës së Mitrovicës dhe ish kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepin. Biseda mes ministrit Basha dhe Rexhepi u fokusua në zhvillimet më të fundit në Kosovë, ku një rëndësi e veçantë iu kushtua situatës aktuale në veri të Mitrovicës, si dhe funksionimit të misionit EULEX në territorin e vendit.
Gjatë bisedës me Rexhepin, ministri Basha, vlerësoi sigurisë të krijuar në Mitrovicë si dhe qetësimin e situatës. Ai theksoi nevojën e funksionalizimit të plotë të EULEX-it dhe reagimin e menjëhershëm të tij në bashkëpunim me KFOR-in dhe organet e tjera të rendit të Kosovës, për të shmangur çdo lloj dhune që do të kërcënonte situatën e sigurisë dhe rrezikonte jetën dhe pronën e qytetarëve të saj.
Ministri Basha theksoi se vendosja e kontrollit të plotë të autoriteteve të Kosovës në veri të Mitrovicës, përfshirë pikat e kontrollit doganor në kufirin me Serbinë përbëjnë një domosdoshmëri për funksionimin e shtetit ligjor në të gjithë Kosovën. Ministri Basha theksoi se ushtrimi i autoritetit ligjor do t’i presë rrugën veprimit të elementëve ekstremistë, kriminalitetit dhe kontrabandës, dhe do t’i kontribuojë forcimit të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Nga ana e tij zoti Rexhepi falënderoi ministrin Basha për ndihmën dhe mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë për Kosovën në konsolidimin e shtetit të pavarur e sovran, si dhe të njohjes së saj ndërkombëtare.