E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkodra, Ruli inspekton punimet në argjinatura

SHKODËR- Ministria e Bujqësisë nis punën për rehabilitimin fizik dhe përforcimin e veprave ujore mbrojtëse në zonat e përmbytura të Nënshkodrës. Me një financim të buxhetit të shtetit prej më shumë se 1 mld lekë ka nisur ndërtimi në të gjithë argjinaturat ekzistuese, si dhe po punohet për ngritjen e argjinaturave të reja aty ku është e domosdoshme. Ndërhyrja bëhet pas një studimi hidrik të plotë, të të gjithë kësaj zone të kryer me mbështetjen e Bankës Botërore.

“Pothuajse të gjitha veprat mbrojtëse të zonës së Nënshkodrës dhe të Lezhës, kam parasysh bendin e Torovicës, i nënshtrohen një rikonstruksioni total, mos të them që janë dhe shumë argjinatura të reja ose që kanë qënë të shkatërruara gjatë viteve, ose që ngrihen për herë të parë. Janë rreth 20 km argjinatura që ngrihen, si gjatë bregut të Bunës, etj. Investimi është rreth 1 mld lekë dhe mendohet që rreth muajit shtator mund të përfundojnë”, tha Ruli.

Gjatë inspektimit të punimeve ministri i Bujqësisë Genc Ruli, i shoqëruar nga deputeti i zonës Gjok Uldedaj ka deklaruar se asnjë prej investimeve të rëndësishme të dikasterit që drejton nuk preket nga shkurtimet buxhetore

“Këto janë konsideruar në investimet e prioritetit nr.1. Në shkurtimet që u kryen, jo vetëm në investimet e drejtuara në zonën e Shkodrës, por edhe investime që ne kemi në zonën e Vlorës, Gjirokastrës apo të Korcës, jemi munduar të ruajmë investimet kryesore“, shtoi Ruli.

E gjithë zona e Nënshkodrës është pjesë e një projekti të madh të menaxhimit të ujrave që do të financohet me më shumë se 40 mln dollarë nga Banka Botërore.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›