E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis shpërndarja e shtesave për pensionet

TIRANË- Vendimi i qeverisë për rritjen e pensioneve të pleqërisë në qytet dhe fshat ka nisur të aplikohet që nga dita e sotme.

Kështu pensionistet në qytet bashkë me pensionin kanë tërhequr pranë sporteleve të Postës Shqiptare edhe shtesën prej 4 përqind të akorduar nga qeveria 3 ditë me parë, ndërkohë që për fshatin kjo rritje shkon në 7 përqind.

Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore shtesa e pensionit nuk prek të ardhurat e tjera që burojnë nga vendime të mëparshme të qeverisë në formë kompesimi.

“Sot ka filluar zytarisht në të gjitha qëndrat paguase të Postës Shqiptare shpërndarja e pensioneve të rritura. Pensionet urbane janë rritur në masën 4 %, pensionet e fshatit janë rritur në masën 7% dhe të gjitha programet e vecanta të qeverisë, pensionet suplementare dhe trajtimet e vecanta janë rritur në masën 4 %”,- deklaroi drejtoresha e ISSH Evelina Koldashi.

Rritja me të njëjtat shifra vlen edhe për kategoritë e vecanta si ushtarakë, minatorë, invalidë, pilotë, të cilët trajtohen me pension të vecantë.

“Më lejoni t’iu them se nga ky vendim i Këshillit të Ministrave përfitojnë 545 mijë pensionistë që janë aktualisht në skemë nga të cilët 160 mijë janë pensionistë fshati dhe 385 mijë janë pensionistë qyteti dhe gjithashtu 25 mijë persona që janë përfitues të programeve të vecanta të qeverisë”,- theksoi Koldashi.

Fondi i vënë në dispozicion nga qeveria për rritjen shkon në 270 milionë lekë, ndërkohë që fatura financiare për tu paguar deri në fund të vitit 2011 është 1 miliardë e 634 milion lekë të reja. Në qytet shtesa e akorduar për pensionet minimale të pleqërisë shkon në 427 lekë ndërsa maksimalja në 854 lekë të reja.
“Po kishte rritje pensioni me 4%. Dhe me këtë rritje pensioni shkon në 133 mijë lekë”,- deklaroi një pensionist për NEWS24.

“Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka planifikuar një kalendar në mënyrë që të gjithë njerëzit që tërheqin pensionin nga data 1 deri në datën 5 të mund të tërheqin rritjen e muajit korrik brenda këtij muaji. Duke filluar që nga data 10 deri në datën 15 korrik ato mund të paraqiten në qendrat paguese ku tërheqin pensionin e tyre”,- nënvizoi drejtoresha e ISSH Evelina Koldashi.

Rritja më e fundit e pesioneve e aplikuar nga qeveria duket se është edhe më e ulëta e këtij lloi në dekadën e fundit. Kjo rritje është krahasimisht më e ulët se shtesa e aplikuar nga qeveria në vitin 2009 e cila për pensionet urbane ishte në vlerën 8% ndërsa për fshatin 10%.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›