E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e minatorëve, METE: Nesër takime me të dyja palët

TIRANE- Lidhur me situatën e krijuar në minierën e kromit në Bulqizë, ku 700 minatorë janë futur sot në ditën e tretë të protestës për plotësimin e kushteve nga kompania austriake e kromit, ACR vjen edhe reagimi i ministrisë së Ekonomisë, e cila sqaron se do të inspektojë aktivitetin e kësaj kompanie, me qëllim për të zgjidhur këtë situatë.

“Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zoti Nasip Naco me urdhër 413, datë 3 Qershor 2011 ka ngritur grupin e punës për vlerësimin e përgjithshëm të aktivitetit minerar të shoqërisë ACR, e cila kryen aktivitetin e saj në minierën e Bulqizës. Ky kontroll i cili përfshin aktivitetin minerar të shoqërisë për periudhën 2010-2011 po kryehet në zbatim të detyrimieve të marrëveshjeve repektive koncesionare dhe detyrimeve të legjislacionit minerar në fuqi.“, sqaron METE.

Po sipas zëdhënësit të kësaj ministrie, nesër METE do të zhvillojë takime me të dyja palët, si me minatorët, ashtu edhe me përfaqësuesit e firmës për të arritur në zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës. „Për sa i përket zhvillimeve të fundit në minierë ne kromit në Bulqizë, METE do të zhvillojë nesër takime me të gjitha palër dhe do të informohet me pretendimet e tyre, ndërkohë që inkurajojmë dialogun për zgjidhjen e situatës së krijuar“, thuhet në reagimin e ministrisë.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›