Meta: “Berisha po shpërdoron anëtarësimin e Shqipërisë në NATO për qëllime të ngushta elektorale”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka reaguar pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili kritikonte qeverinë shqiptare se nuk ka plotësuar standardet minimale për eliminimin e trafikut të qenieve njerëzore. Meta tha se është shumë shqetësues rikthimi i vlerësimeve të tilla për vendin tonë, sidomos tani që Shqipëria është bërë anëtare e NATO-s. Kreu i LSI-së e akuzoi kryeministrin Berisha se nuk po përpiqet për arritjen e standardeve të kërkuara, përkundrazi, po e përdor anëtarësimin e Shqipërisë në NATO për qëllime të ngushta elektorale dhe partiake. “Sali Berisha, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO po e përdor vetëm për fushatë elektorale, për llogari të ngushta partiake, ndërkohë dhe ato pak standarde që ishin përmirësuar tashmë kanë marrë të tatëpjetën. Ndaj LSI-ja denoncon shpërdorimin që kryeministri Sali Berisha i ka bërë anëtarësimit në NATO për qëllime të ngushta elektorale dhe cenimit të imazhit të Shqipërisë tashmë si një vend anëtar i NATO-s, që ka probleme të tilla që janë tërësisht të patolerueshme. Këto shpjegojnë më së miri që përse kjo qeveri po bëhet pengesë për liberalizimin e vizave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, sepse nuk është në gjendje të garantojë kontrollet e kufijve dhe nuk është në gjendje të plotësojë as standardet minimale në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore”, - tha Meta. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, kreu i LSI-së komentoi edhe sondazhet zgjedhore që po publikohen në media kohët e fundit. Meta tha se asnjë shqiptar nuk mund të ndikohet nga sondazhe të porositura. Kreu i LSI-së tha se sondazhi i vërtetë do të jetë më 28 qershor, kur LSI-ja do të fitojë më shumë se 30 deputetë. “Nuk ia vlen të merremi me sondazhet e porositura prej gati 6 muajsh, pasi ashtu siç e thashë, shqiptarët nuk mund të ndikohen më nga të tilla sondazhe me porosi. Unë dua t’ju siguroj me bindje të plotë se LSI-ja, sipas të gjitha sondazheve që ne kemi deri tani dhe që janë tepër profesionale, tashmë i është afruar numrit të 30 deputetëve dhe pritet që gjatë këtyre pak ditëve, deri në datën 28 qershor, të tejkalojë si koalicion dhe si LSI atë objektiv minimal që unë kam shpallur prej gati 9 muajsh, pra 35 deputetë”, - tha Meta.
18 Qershor 2009