Zhvendosen statujat e fundit të rrezikuara në Apoloni
Ka përfunduar zhvendosja e plotë e statujave të rrezikuara nga shkarja e portikut. Dje në qytetin antik të Apolonisë janë zhvendosur statujat e fundit që kanë qenë të ekspozuara në Portikun e Apolonisë. Rrëshqitjet e shumta të dheut kanë sjellë shqetësime për drejtuesit e Parkut Arkeologjik, të cilët kanë menduar të përgatiten për të parandaluar dëmtimet e mundshme. Pas zhvendosjes së bërë të disa objekteve më të vogla si pitosa, sarkofagë apo objekte qeramike, është bërë dhe zhvendosja e statujave. Posaçërisht për të kanë mbërritur disa specialistë gjermanë që do të merren me statujat. Kjo masë parandalon dëmtimin e tyre në rast të ndonjë shembjeje të mundshme të Portikut. Të gjitha objektet që janë larguar nga portiku janë vendosur në një sektor tjetër brenda perimetrit të manastirit. “Statujat do të vendosen në një vend më të sigurt në depot e Apolonisë”, shprehet drejtori i Parkut Arkeologjik, Marin Haxhimihali. Specialistë të ardhur nga Gjermania kanë ndihmuar për zhvendosjen e statujave. Përveç Portikut, shembje dhe dëmtime të mëdha kanë ndodhur në murin rrethues të parkut, si dhe të një zonë të re arkeologjike, e cila është gërmuar muajt e fundit të vitit 2009. Drejtori i Parkut Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali, ndërsa ka dhënë alarmin e shembjes së muzeut, javën e kaluar, ka vijuar të prononcohet për mbrojtjen e monumenteve dhe vlerave arkeologjike, të cilat qëndronin të ekspozuara në muzeun aktualisht të rrezikuar nga shembja. Është bërë e ditur se është mundësuar largimi i pjesës më të madhe të objekteve të zbuluara në Apoloni drejt Institutit të Monumenteve në Tiranë. Rikthimi i objekteve të zhvendosura drejt Tiranës shihet si mjaft i largët, ndërsa nuk është premtuar ndërhyrja në infrastrukturën e dëmtuar të muzeut, portikut dhe murit rrethues. Drejtori Marin Haxhimihali ka thënë se prej 25 vjetësh nuk është ndërhyrë në infrastrukturën e rënduar të muzeut arkeologjik, i cili sot ndodhet në prag të shembjes së plotë. Prej disa vjetësh në portikun ku ekspozohen gjetjet në qytetin antik të Apolonisë janë konstatuar çarje arkitektonike. Ndërsa arkeologu gjerman Grigor Dyner, që ndodhet në Apoloni ka thënë se kemi për qëllim të shpëtojmë dhe të parandalojmë dëme të mëtejshme, të riparojmë atë që ka ndodhur me qëllim që këtë teatër ta bëjmë të vizitueshëm për turistët. Muzeu rrezikohet, pasi muret kanë pësuar plasaritje, ndërkohe që çarje janë vënë re edhe në afërsi të themeleve. Shkak i rrëshqitjeve janë bërë shirat e shumtë të rëndë gjatë ditëve të fundit. Ky portik ndodhet brenda perimetrit të manastirit. Kjo ka ardhur si rezultat i gërmimeve që janë bërë në vitet ‘90 në pjesën e pasme të oborrit dhe brenda tij. Gërmimet kanë dobësuar strukturat mbajtëse dhe për rrjedhojë çdo vit konstatohen shkarje të këtij portiku. Për këtë situatë është njoftuar edhe Instituti i Monumenteve që e ka për detyrë mirëmbajtjen dhe restaurimin e monumenteve, por sipas drejtorit, për fat të keq, nuk është marrë asnjë përgjigje konkrete.
Liza në boten e çudirave shfaq premierën në Londër
Është prezantuar në “Leicester Square” të Londrës filmi më i fundit i Tim Burton “Liza në botën e çudirave” me një kastë të zgjedhur aktorësh. Premiera londineze do pasohet nga shfaqja e filmit në pjesën më të madhe të kinemave botërore. Të pranishëm në premierë ishin aktorët Johnny Depp, Helena Bonham Carter, Anne Hathaëay dhe Cristopher Lee. Ky është një nga filmat më të shumëpritur të vitit 2010. Në ceremoninë e premierës ishin të pranishëm edhe princi Karl me Camilla Parker Boëles. Mbrëmja ka shërbyer edhe si një eveniment bamirësie.
1 Mars 2010