E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Nuk tërhiqemi nga transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit”



Në kushtet kur afati i vënë nga ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës politike ka përfunduar, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dje i bëri të ditur kryeministrit Sali Berisha se opozita nuk tërhiqet nga kërkesa e saj për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Dy krerët e grupeve europarlamentare, Martin Shults dhe Zhozef Daul, dy ditë më parë, nëpërmjet një deklarate për shtyp, njoftuan dy forcat politike shqiptare se afati për zgjidhjen e krizës përfundoi. Ata shprehën shqetësimin që nuk mundën të ndihmonin në gjetjen e një kompromisi mes palëve.
Vendimi
“Ne nuk tërhiqemi nga kërkesa jonë, ne nuk lëkundemi në përpjekjen tonë për të gjetur zgjidhjen e kompromisit që i hap rrugë transparencës, ne nuk ndalemi në rrugën e betejës sonë për transparencë dhe liri e ndershmëri të garantuar të zgjedhjeve”, - deklaroi Rama.
Lideri i opozitës, deklaratën e përbashkët të dy kryetarëve të grupeve të Parlamentit Europian e ka cilësuar si pasqyrën më shqetësuese që i është vënë ndonjëherë përpara në këta 10 muaj Shqipërisë për krizën e për pasojat e mundshme të saj. “I vetmi njeri që sot i kthen shpinën kësaj pasqyre është Sali Berisha. Theksi i fortë që vë deklarata mbi mospërmbushjen e kriterit politik për të shkuar më tutje në rrugën e integrimit është kambana më e fortë e alarmit që ka rënë deri më sot në Europë për krizën e sotme në Shqipëri. I vetmi njeri që sot nuk do ta dëgjojnë këtë kambanë është Sali Berisha”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “sot unë mund të shoh drejt e në sy çdo shqiptar të interesuar për zgjidhjen e kësaj krize, socialist a demokrat, pa dallim, e t’i them se zgjidhja përmes kompromisit ishte e mundshme, është e mundshme, mund dhe duhej të ishte pranuar për të mirën e Shqipërisë e të shqiptarëve, duke i hapur rrugë transparencës e integrimit. I vetmi njeri që nuk e pranoi zgjidhjen e mundshme dhe transparencën e domosdoshme ishte Sali Berisha”.
Falënderimi
Kryesocialisti ka falënderuar të gjithë ndërkombëtarët për kontributin e tyre që dhanë në favor të zgjidhjes së krizës politike, edhe pse Berisha nuk pranoi kompromisin. “I falënderojmë miqtë e partnerët tanë për të gjithë përpjekjen e tyre të derikëtushme dhe jemi të keqardhur që ende nuk ka një zgjidhje, ndërkohë që koha që Sali Berisha kujton se fiton është koha që në fakt i shkurtohet Shqipërisë në rrugën drejt provimit të saj të madh për statusin e vendit kandidat. Për të mbajtur me çdo çmim të mbyllura kutitë ku fshihen gjurmët e krimit të 28 qershorit, Sali Berisha është gati ta mbesë përsëri Shqipërinë në klasë dhe madje të luajë deri në fund me fatin e liberalizimit të vizave për shqiptarët”, - tha Rama. Sipas tij, Berisha është i gatshëm të sakrifikojë vizat, sesa të hapë kutitë ku fshihet krimi elektoral. “Mes vizave e integrimit për të gjithë, Shqipërinë dhe shqiptarët dhe vizës mbi Shqipërinë e shqiptarët, Sali Berisha preferon të dytën, vetëm e vetëm që të mos hapen kutitë e të mos dalë e vërteta. Do të vazhdojmë përpara me dinjitetin e një opozite që nuk e negocion lirinë e saj, nuk i fal e as i shet të drejtat e saj, nuk e braktis për asnjë arsye e çmim një kauzë për të cilën ka dëshmuar se është e gatshme të sakrifikojë shumëçka dhe të mos kursejë asgjë”, - tha Rama.

18 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›