Surroi: Nuk iu zvarrita Thaçit që të më bënte President

Në reagimin e tij, publicisti kosovar shprehet i habitur “se si një diplomat amerikan bëhet krijues dhe shpërndarës i thashethemeve”.
Ambasadori Dell, në një intervistë për gazetën “Kosova Sot” ka pohuar se Surroi ishte imponuar si kandidat për President të vendit, “duke iu zvarritur Kryeministrit Hashim Thaçi”.
“Kam shkuar në rezidencën amerikane me ftesë të Ambasadorit Dell për darkë, në të cilën ai ka insistuar në prani të Hashim Thaçit që do të ishte mirë për vendin që unë të bëhem President pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut”, thotë Surroi, derisa Dell ka thënë se ky takim është realizuar me kërkesën e Surroit.
“Me arsyetimin se kjo do të ishte mirë për të tejkaluar krizën institucionale dhe për ta prezantuar Kosovën më mirë në botë, për shkak të perceptimit negativ që ka z. Thaçi në botë”, ka thënë Surroi, në reagimin e tij.
“Nuk ka pasur kurrfarë zvarritje, as lutje nga ana ime, po ka qenë ide e Ambasadorit Dell dhe pjesë e bisedës së tij. (Kurse) Pacollit asnjëherë nuk i jam kërcënuar, por në një takim i kam thënë se do t’i bënte dëm Kosovës zgjedhja e tij për president”.
Në reagimin e tij, Veton Surroi mundohet të distancohet nga kompania mediale që e ka themeluar, Grupin Koha.
“Çfarëdo përmendje të gjoja ngritjeve të mia politike në kontekst të asaj që e raportojnë ‘Koha Ditore’ dhe KTV është plotësisht e pabazë”, ka nënvizuar ai.
Dell: Surroi i zvarritej Thaçit për ta bërë President
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Christopher Dell, ka bërë publike detajet për lojërat politike që u zhvilluan në garë për postin e Presidentit në vitin 2010 dhe 2011, gjatë një interviste për Gazetën “Kosova Sot”.
Ambasadori tregon se si Veton Surroi, ish-Kryetar i Partisë Ora dhe pronar i Gazetës “Koha Ditore”, ka bërë përpjekje që ta marrë mbështetjen e Hashim Thaçit për ambiciet e tij për t’u bërë President.
Dell thotë se mënyra se si tentonte ta arrinte këtë qëllim z. Surroi, duke përdorur edhe gazetën e tij, e ka bërë të ndihet i ndotur.
“Një veprim që më ka bërë të ndihem i ndotur, duke qenë dëshmitar i tij, ka qenë kur e kam shikuar Veton Surroin të zvarritet para Kryeministrit duke e lutur atë që ta bëjë President. Dhe kjo ka ndodhur në shtëpinë time në fund të tetorit apo fillim të nëntorit të vitit 2010”, thotë Ambasadori amerikan.
Ai ka shpjeguar se si ka ardhur deri tek ky takim.
“Ai (Surroi) ka kërkuar nga unë që ta organizojë një darkë me Kryeministrin Thaçi, në mënyrë që ai të mund të flasë me të dhe ai ka kërkuar nga Kryeministri që ta konsiderojë atë për President”, thotë Dell.
Më pas, ai përshkruan ndryshimet në vijën editoriale të Gazetës “Koha Ditore” më qëllim të arritjes së synimit të pronarit të saj, Veton Surroit.
“Dhe nëse ktheheni prapa dhe e shihni tërë atë që ka botuar gazeta (Koha Ditore), atëherë e shihni se në vjeshtë 2010 përnjëherë ajo vija e tyre tradicionalisht armiqësore ndaj Hashim Thaçit u bë dukshëm më miqësore. Dhe kjo vazhdoi deri në shkurtin e vitit 2011, kur ata iu kthyen vijës së tyre tradicionale me një armiqësi të shtuar, jo vetëm ndaj Kryeministrit, por edhe ndaj meje”.
Dell ka folur edhe për një takim të Surroit me Behgjet Pacollin.
“Gjatë asaj periudhe kohore, z. Surroi e ka pasur edhe një bisedë me Behgjet Pacollin, të cilit i ka thënë se do të bëjë gjithçka brenda mundësisë për ta shkatërruar atë. Së pari ndaj Pacollit, e më pas ndaj Jahjagës – kjo ka qenë një politikë konsisitente redaktuese e gazetës së z. Surroi. Natyrisht, e tërë kjo është mbështjellë me pretendime për parime, përkushtim ndaj demokracisë dhe lirive, e gjëra të ngjashme, por në të vërtetë krejt kjo ka të bëjë me aspiratën e Vetonit për t’u bërë vetë President dhe për manovrimet e tij për ta siguruar përkrahjen e LDK’së për kandidaturën e tij”, ka deklaruar Dell.
Në këtë intervistë, Ambasadori amerikan në largim, ka shpalosur edhe detaje tjera të skenarëve për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të fundit.
Dell thekson se plani i AAK’së ishte që të realizojnë opsionin e tyre që Ramush Haradinaj të vijë në postin e kryeministrit, kurse Hashim Thaçi të bëhej president.
Pas bërjes publike të opinionit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se Presidentja Atifete Jahjaga duhet të qëndrojë në krye të shtetit një mandat të plotë, deri në 2016, Ambasadori, Christopher Dell mendon se presidentja Atifete Jahjaga e ka bërë një punë të shkëlqyeshme në kthimin e rolit të Presidencës në atë që është paraparë sipas Kushtetutës.
Ai thotë Jahjaga e ka korrigjuar baraspeshën ndërmjet institucioneve, duke i dhënë fund rivalitetit institucional që ka ekzistuar më herët.
Sipas tij, në të kaluarën rivaliteti institucional ka ndodhur në dy forma: “Njerëzit kanë tentuar ta përdorin Presidencën për të krijuar një degë alternative ekzekutive ndaj kryeministrit dhe kjo pati krijuar tensione të shumta brenda strukturave qeverisëse. Por, kjo tendenca e dytë që, fatkeqësisht, është ende e gjallë në partitë politike, është që Presidenca të përdoret si një figurë në një lojë më të madhe shahu për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme dhe krijim të qeverive të reja. Një pjesë e reagimeve negative që kemi parë ndaj vendimit të Gjykatës dhe këto nga partia AAK, janë se kjo e ka prishur lojën e shahut që kanë dashur ta luajnë: ta sjellim Ramush Haradinajn në postin e kryeministrit, duke e shtyrë Hashim Thaçin në Presidencë në një të ardhme të afërt”, ka thënë Dell, në një intervistë për “Kosova Sot”.