Nëntë misione ekspertësh në Shqipëri për të verifikuar përgjigjet e Pyetësorit
Nëntë misione ekspertësh nga Komisioni Europian do të vizitojnë Shqipërinë për të verifikuar se përgjigjet e dhëna në Pyetësor janë të vërteta. Këtë e bëri të ditur dje gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Integrimin, kryeministri Berisha. Kryeministri tha se vlerësimet për Pyetësorin kanë qenë pozitive dhe kjo është një arritje shumë e madhe. Kryeministri Berisha tha se ashtu siç pritej, Komisioni Europian ka dërguar rreth 180 pyetje të reja, si dhe ka kërkuar sqarime të tjera, statistika, vendime, ligje dhe qartësime definicionesh, të cilat duhet të dorëzohen në datën 10 qershor.
“Kjo është metoda më transparente që Komisioni ka dhe përbën një avantazh shumë të madh për ne. Procesi i bashkëpunimit me Komisionin është procesi më i gjerë që vendi ka njohur ndonjëherë, por dua të theksoj se është procesi më transparent”, - tha Berisha. Kryeministri ritheksoi porosinë që përgjigjet të jenë sa më të shkurtra dhe sa më të sakta, sikundër është vepruar me të gjithë dokumentin e përgjigjeve të Pyetësorit, një praktikë kjo e dëshmuar më e suksesshme. “Gjithashtu, janë planifikuar të vijnë edhe 9 misione ekspertësh, pasi, ndër të tjera, Komisioni ka edhe një specifikë. Nëse nuk i sheh gjërat vetë, nuk i beson, pra, i lexon, por vjen edhe vetë këtu. Kjo është metoda më transparente që Komisioni ka dhe përbën një avantazh shumë të madh për ne. Sigurisht, procesi i bashkëpunimit me Komisionin është procesi më i gjerë që vendi ka njohur ndonjëherë, por dua të theksoj se është procesi më transparent. Avantazhet e këtij bashkëpunimi apo lehtësia më e madhe tij është transparenca. Me këtë institucion ne kemi një mirëkuptim të plotë dhe ky mirëkuptim buron nga transparenca, me të cilën ne sillemi ndaj tyre dhe me të cilën ata sillen ndaj nesh”, - është shprehur Berisha, ndërsa kërkoi që përgjigjet të hartohen sa më shpejt, në mënyrë që të dërgohen brenda datës 10 qershor. “Mbetet që në njësi kohe sa më të shkurtër dhe për këtë ka një datë, 10 qershori, në të cilën ata i presin përgjigjet. Një datë kjo shumë e rëndësishme. Ndonëse nuk përkon ditë më ditë me datën e firmosjes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, më 12 qershor, por në këto dy data, nga 10-12 qershori, ne kemi data të mëdha në historinë tonë kombëtare. Një prej tyre është firmosja e MSA-së. Po ashtu, 10 qershori është një ogur i bardhë, është përcaktuar si dita fundit që ne duhet të dorëzojmë të gjitha sqarimet dhe përgjigjet për rreth 180 pyetjet e reja, të shtuara, dhe kjo është normale, të cilat ministrja Bregu i ka shpërndarë sipas grupeve”, - është shprehur Berisha.
21 Maj 2010