E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykatë; “Modem”, sot masa për të arrestuarit e kartave dixhitale



Në Gjykatën e Tiranës zhvillohen sot masat e arrestit për 16 të arrestuarit për klonimin e kartave dixhitale. Hetimi për këta shtetas ka nisur në nëntor të vitit të kaluar, pas një kallëzimi se në disa pika të ndryshme në Tiranë, tregtohen aparate dhe karta “dixhitale” të riprogramuara dhe të klonuara. Agjentët e policisë, nën drejtimin e Task-Forcës së Krimit Ekonomik pranë Prokurorisë së Tiranës, nisën menjëherë nga puna. Ata fillimisht mundësuan identifikimin e disa prej pikave që tregtonin këto aparate në kryeqytet dhe më pas në disa rrethe të vendit. Sipas burimeve nga akuza, personat e përfshirë në këtë aktivitet, pasi kryenin riprogramimin e aparateve dixhitale nëpërmjet sinjalit të internetit, bënin të mundur marrjen e të dhënave në lidhje me programet e kompanive të ndryshme televizive, si “Tring”, “Dixhitalb”, “Premier Leauge”, “Sky”, “Nova”, si dhe paketa të aktivitete sportive të ndryshme. Dyshohet se personat e arrestuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë klonuar dhe u kanë shitur qytetarëve karta të televizioneve dixhitale kombëtare dhe ndërkombëtare. Disa prej tyre merreshin me klonimin e kartave, ndërkohë që më pas ata i shpërndanin në pika të caktuara, nga ku ato hidheshin në shitje. Sipas policisë, kjo gjë realizohej nëpërmjet aparateve kompjuterike dhe aftësive të të arrestuarve, të cilët pasi dekodifikonin sinjalin, i shisnin programet e këtyre paketave dixhitale nga 200 deri në 350 euro. Pas dokumentimit të veprimtarisë kriminale të çdo personi për veprën penale të “mashtrimit kompjuterik”, të kryer në bashkëpunim, policia e Tiranës në bashkëpunim me ato të qarqeve Durrës, Shkodër, Fier, Vlorë, Berat dhe Korçë, të koordinuara me Drejtorinë Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme organizuan me sukses operacionin e koduar “Modem”, ku vunë në pranga 16 persona. Sipas burimeve nga policia, numri i të shoqëruarve në komisariat në lidhje me këtë rast ishte rreth 50 persona, por 34 prej tyre u lanë të lirë më pas. Gjykata e Tiranës, katër ditë më parë ka vendosur masën e sigurisë në mungesë “arrest në burg” për 11 persona. Për këtë arsye janë ndaluar shtetasit Saimir Kuniqi, 55 vjeç, Alfred Kadiu, 30 vjeç, Eldi Vorpsi, 23 vjeç, Edison Shema, 32 vjeç, Sokol Shalca, 48 vjeç, dhe Sokol Kadare, 38 vjeç nga Tirana. Gjithashtu u arrestuan Spiro Zguri, 48 vjeç, Dhimitraq Papa, 55 vjeç, Saimir Likollari, 31 vjeç, Marin Palushi, 36 vjeç dhe Ilir Nushi, 32 vjeç lindur dhe banues në Fier. Ndërsa u ndaluan me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë shtetasit Xhaferr Gixharri, 23 vjeç, Artan Priftuli, 44 vjeç, Fatmir Çupi, 32 vjeç, Ilir Dylja, 38 vjeç dhe 42-vjeçari Eduart Koka. Sipas burimeve zyrtare nga policia, gjatë shoqërimit dhe kontrolleve të banesave të shtetasve të lartpërmendur u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale rreth 50 copë kompjuterë dhe serverë të markave të ndryshme, 20 “Laptop” 1000 copë aparate “dixhitale” të tipave të ndryshme të markave “Dream Box”, “Echolink”, “Orbitum” dhe “Metabox”. Gjithashtu u kapën 500 copë karta plastike me çip për dekodifikimin e sinjalit dhe 30 copë aparate telefoni celularë. Personat e arrestuar u shoqëruan në qelitë e paraburgimit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “mashtrimit kompjuterik” në bashkëpunim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›