Celulari i katërt, qeveria shkel MSA-në me BE-në
Reagon opozita: Kjo është vjedhja e fundit e qeverisë Berisha. Duam dokumente shtesë
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit kërkon konkurrim për licensat në fushën e telekomunikacionit
Qeveria shqiptare nuk shkel vetëm ligjin shqiptar "Për prokurimet Publike", por edhe Marrëveshjen e
Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian në dhënin e licenës së operatorit të katërt të telefonisë së lëvizshme. Që nga data 1 Prill e këtij viti, ka hyrë në fuqi MSA-ja mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Në bazë të kësaj marrëveshjeje qeveria jonë është e detyruar që për shumë fusha të zbatojë Acquis Communitare.
Në marrëveshje është e shprehur qartë se të gjitha licensat në fushën e telekomunikacionit, përfshirë edhe ato GSM, jepen nëpërmjet konkurrimit. Ndërkohë që në rastin e dhënies së licensës së katërt, konkurrimi nuk po aplikohet si procedurë.
Opozita
Zyrtarë të Partisë Socialiste e konsideruan projektligjin e qeverisë për licensën e katërt të telefonisë së lëvizsshme si vjedhjen e fundit të qeverisë. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, tha dje në një konferencë për shtyp se licenca po procedohet me shkelje në kuvend, për të fshehur parregullsitë. "Mjafton të lexosh thjesht dhe vetëm relacionin që shoqëron projektligjin dhe kupton qartë se kjo është vjedhja e fundit",- tha Braçe.
Ai shtoi se Partia Socialiste i ka kërkuar qeverisë dokumente shtesë për këtë çështje. Ndërsa qeveria në relacionin që shoqëron projektligjin e dërguar për miratim në kuvend argumenton faktin se dhënia e kësaj license jepet në shërbim të interesit publik. Në funksion të këtij argumenti, qeveria i kërkon Kuvendit që të miratojë këtë kontratë edhe pse është në shkelje të ligjit.
"Nëse Kuvendi miraton këtë nismë për shkaqe vetëm ekonomike dhe të konkurrencës së ndershme në treg, operatorët janë të detyruar të vijojnë reduktimin e vërtetë të tarifave",- thuhet në relacion.
Argument tjetër përveç uljes së tarifave është edhe kriza globale dhe se investimi nga konsorciumi që do të marrë licensën mund të krijohet një numër i konsiderueshëm vendesh pune dhe rritje investimesh.
"Për çështje të interesit publik dhe angazhimeve politike, përfshi interesat kombëtare, gjykohet që në përfundim të konkurrimit oferta e paraqitur nga bashkimi i ofertuesve përfaqësuar nga "Postë Telekomunikacioni i Kosovës", është një instrument tjetër i përshtatshëm për të siguruar "rrugë të reja komunikimi", tarifa me kosto më të lirë, në shërbimin celularë shqiptar dhe në Republikën e Kosovës",- citohet në relacionin bashkangjitur projektligjit.
Nëse Kuvendi i Shqipërisë nuk e miraton këtë projektligj, atëherë Auroriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare do të zbatojë ligjet në fuqi për dhënien e kësaj license.
KRITERET E VLERËSIMIT
Çmimi i ofertës, 20%
Koha e mbulimit me shërbime në shkallë gjeografike, 20%
Tarifat e shportës së shërbimeve, 45%
Aftësitë dhe eksperienca, 15%
Konsorciumi shqiptar, 7.2 milionë euro për licensën
Qeveria ka propozuar një projektligj, të dërguar për miratim në kuvend, i cili parashikon t'i japë një konsorciumi shqiptar të kryesuar nga "Postë Telekomunikacioni i Kosovës" licensën e operatorit të katërt të telefonisë së lëvizshme. Procedura e dhënies së licensës nuk respekton ligjin "Për prokurimet Publike".
"Pas një procedure konkurruese tender i hapur ndërkombëtar, të shpallur në gazeta të rëndësishme ndërkombëtare, megjithëse disa kompani të huaja prestigjioze shprehën interesin për pjesëmarrje, në datën e njoftuar për tenderin publik u paraqitën vetëm dy oferta...",- thuhet në relacion.
Sipas tij, është e qartë se oferta është shumë e vlefshme, por nuk mund të shpallet fituesi, pasi sipas procedurës së prokurimit publik, rregullave të prokurimit, përcaktohet se një procedurë është e suksesshme kur numri i ofertave konkurruese të vlefshme duhet të jetë më shumë se numri i frekuencave të dhëna. Konsorciumi shqiptar do të paguajë 7.2 milionë euro për licensën me një afat 15-vjeçar.
Tenderi për operatorin e katërt celular, parashikohej të përfundonte që në muajin janar të këtij viti, por ai dështoi dy herë. Në garë ishte vetëm "Univers PG" dhe konsorciumi i kryesuar nga PTK, të cilat ofruan respektivisht 5 dhe 7.2 milionë euro.
Qeveria e konsideron ofertën e PTK-së për tarifat shumë konkurruese. Në relacion thuhet se konsorciumi shqiptar është angazhuar që brenda vitit të parë nga marrja e licensës të mbulojë 81% të territorit dhe 95% të popullsisë.
Ndërkohë që brenda tre viteve parashikon të mbulojë mbi 85% të territorit, nga 70% që është kërkuar në kontratë nga qeveria. Sipas qeverisë, hyrja në treg e operatorit të katërt celular do të ulë ndjeshëm tarifat.