E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritol banesës së avokatit Artan Zeneli, dyshime për shkak të funksionit



Tritol banesës së avokatit Artan Zeneli, dyshohet për një paralajmërim, për shkak të sasisë së vogël. Policia e Tiranës ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes, duke i mëshuar pistës së konfliktit për shkak të funksionit, ndërkohë që vijohet me verifikimet e çështjeve të këtij avokati ku mund të ketë pasur probleme. Vetë avokati Zeneli, pas ngjarjes, mohon të ketë pasur konflikte me ndonjë person. Burime zyrtare policore të policisë së kryeqytetit bëjnë të ditur se një sasi e konsiderueshme tritoli ka shpërthyer në orët e mesnatës, duke u gdhirë dita e djeshme në banesën e avokatit të njohur, Artan Zeneli, i njohur si avokat i disa çështjeve të bujshme, mes të cilave dhe ish-avokati i Nikolin Jakës dhe avokat aktual i drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2 të mesnatës, ndërkohë që sasia e tritolit ka shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale. Sipas burimeve policore, më datë 19.04.2009, ora 02.00, në rrugën “Sami Frashëri”, në banesën e shtetasit Artan Zeneli, me punë avokat, persona të pa identifikuar kanë vendosur një sasi lënde eksplozive, ku nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale. Burime policore bëjnë të ditur se nga hetimet paraprake dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet të jetë vendosur një sasi prej 50 gramësh tritol, ndërkohë që familja e avokatit, fatmirësisht, në momentin që ka ndodhur ngjarja, nuk ndodhej në banesë, pasi kishin shkuar për të pushuar në fundjavë në Mal të Zi. Hetimet paraprake flasin për një akt paralajmërues, nisur nga sasia e vogël e tritolit, ndërkohë që vetë avokati i njohur, ish-kreu i Gjykatës së Tiranës, pas viteve ’90 mohon ndonjë konflikt të mundshëm apo ndonjë përplasje të kohëve të fundit. Ndërkohë që, sipas burimeve policore, në pistat e hetimit mësohet të jetë duke u verifikuar edhe një “lajthitje” e mundshme në objektiv. Duke qenë se mbi banesën e Zenelit ndodhet apartamenti i presidentit të klubit sportiv “Vllaznia”, Valter Fushaj, policia ka hedhur dyshime se ngjarja mund të ketë lidhje edhe me humbjen e ekipit të shtunën në Durrës. Megjithatë, vetë presidenti i ekipit “Vllaznia” e hedh poshtë këtë pistë, duke u shprehur se e ka apartamentin tre kate me sipër dhe jo fqinj me Zenelin derë më derë. Megjithatë, policia vijon hetimet për zbardhjen e rastit dhe identifikimit të autorëve të kësaj ngjarjeje. Avokati Zeneli është një ndër gjyqtarët e dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, si anëtar i Gjykatës së Lartë, por që me shumicë votash u rrëzua bashkë me të tjerët gjatë votimit në Kuvend.

Somario

Burime policore bëjnë të ditur se dyshohet të jetë vendosur një sasi prej 50 gramësh tritol, ndërkohë që familja e avokatit, fatmirësisht, në momentin që ka ndodhur ngjarja, nuk ndodhej në banesë, pasi kishin shkuar për të pushuar në fundjavë në Mal të Zi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›