Nëntë tregime japoneze

“Një mëngjes të acartë dikush u shfaq në lagje, i mbështjellë me disa copa të një gazete, po të njëjtën ditë ajo nuk ishte e sigurt se ku kishte dëgjuar për planet e Nobusë. Nesër ai nisej për shkollimin e tij për murg.
Midori e ndjente zemrën t’i copëtohej. Rrobat e tij s’do të kenë më kurrë ngjyrë tjetër”, kështu përfundon tregimi ‘Lojërat e fëmijërisë’ i autores japoneze Ichiyo Higuchi, i cili është tregimi i fundit në përmbledhjen me tregime të titulluar ‘Nëntë tregime’ dhe njëri prej më të mirëve të kësaj shkrimtareje. Kjo përmbledhje është përkthyer në shqip nga përkthyesja dhe poetja Trina Gojani, ndërsa është botuar, para disa javësh, nga shtëpia botuese ‘3Zen’ në Prishtinë. Botimin e librit në shqip e ka mbështetur financiarisht Drejtoria për Kulturë në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Brenda 195 faqeve të këtij libri, lexuesi mund të njihet me jetën në Japoninë e shekullit nëntëmbëdhjetë. Përzgjedhja e tregimeve përfshin karrierën e shkrimtares, prej veprave të saj të paformuara deri te tregimet e pjekura. Disa prej tregimeve janë të mahnitshme, veçanërisht ‘Lojërat e fëmijërisë’. Përpos këtij tregimi, përmbledhjen e përbëjnë edhe tregimet ‘Lulet në muzg’, ‘Një natë dimri’, ‘Rrugë të ndara’, ‘Tingulli i kotosë’, ‘Nata e trembëdhjetë’, ‘Në ditën e fundit të vitit’, ‘Takimi në natën e errët’ dhe ‘Ujërat e turbullta’.
Ichiyo Higuchi e jetoi jetën e shkrimtares tragjike klasike – varfëria, beteja për sukses, vdekja nga tuberkulozi në moshën 23-vjeçare. Ajo konsiderohet të jetë shkrimtarja e parë profesioniste femër në Japoni. Ajo është figurë letrare jashtëzakonisht e popullarizuar në Japoni, popullaritet ky që lidhet si me cilësinë e veprës së saj letrare e po ashtu edhe me jetën e saj.
Ichiyo Higuchi u lind më 2 maj të viti 1872. Lindi në epokën e Mejit (1868–1912) nga një familje me prejardhje samurajësh. Gjatë tërë jetës ajo ndërroi 12 herë vendin e jetesës.
Në moshën 14-vjeçare u regjistrua në Haginoya, një shkollë për poezi, ku mori një edukim klasik. Në moshën 15-vjeçare ajo vuajti shumë për vdekjen e vëllait dhe po në atë kohë dështoi edhe biznesi i babait të saj. Pas dy vitesh vdiq edhe babai i saj dhe Ichiyo u bë zot shtëpie.
Bashkë me nënën dhe motrat më të reja filloi të punojë si rrobaqepëse dhe po sikur edhe protagonistja e tregimit ‘Rrugë të ndara’ ato lanin rroba dhe bënin punë të tjera.
Në vitin 1892 pas suksesit që mbërriti miku i saj Tanabe Kaho me librin e botuar, Higuchi vendosi të shkruante novela, në mënyrë që t’i ndihmonte familjes.
Kur mbushi 20 vjet ajo shkroi novelën e parë dhe që prej këtij çasti e pagëzoi vetën me emrin letrar Ichiyo. Gjatë kësaj kohe ajo mori një propozim për martesë dhe u vendos të jetonte në Yoshimara.
Në vitin 1894 u botua tregimi i saj i parë ‘Otsugomori’ (Nata e Vitit të Ri) dhe vitin tjetër botoi tregimet: ‘Nigorie’ (Ujërat e turbullta), ‘Takekurabe’ (Lojërat e fëmijërisë) dhe ‘Jusan’ya’ (Nata e trembëdhjetë). Këto tregime u priten shumë mirë nga kritika dhe patën sukses të jashtëzakonshëm.
Tregimet: ‘Lojërat e fëmijërisë’, ‘Ujërat e turbullta’, dhe ‘Rrugë të ndara’ nxjerrin në pah karakteret dhe sjelljet e rrethit të saj në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Ngjarja e tregimit ‘Lojërat e fëmijërisë’ zhvillohet në një lagje të Yoshimarës. Në këtë tregim Higuchi luan me karakteret nga shtresat e ndryshme të shoqërisë.
Jeta e Higuchit ishte shumë e shkurtër. Me 23 nëntor të vitit 1896 ajo vdes e varfër nga tuberkulozi. Përkundër jetës së shkurtër, ajo njihet si një ndër femrat e para të letërsisë moderne në Japoni. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë femrat në Japoni luftonin për t’u shkolluar, ndërsa Higuchi u njoh si një grua me edukatë dhe me shumë ndikim në letërsinë e periudhës Meji. Shtëpia e saj në Tokio sot është shndërruar në muze.