E Shtunë, 31 Tetor 2026

500 vjet të Mercator’it

Filozofi, matematikani, vizionari dhe hartografi botërisht i njohur, Gerhard Mercator, u lind më 5 mars, para saktësisht 500 viteve. Ishte Mercator që i pari futi në përdorim termin ‘atlas’, ndërkohë që vizatimet e hartave të tij gjeografike vlejnë edhe sot. Ato madje konsiderohen bazë e të gjitha hartave të sotme moderne.

Në kohën kur në Holandën e sotme, por para saktësisht 500 viteve, u lind Gerhard Mercator, me të madhe po përhapeshin botëkuptime që do ta ndryshonin dramatikisht perceptimin e deriatëhershëm për botën. Lundruesit dhe aventurierët e njohur spanjollë të kohës po zbulonin kontinente të reja, Koperniku po insistonte se planetët rrotullohen rreth diellit, përderisa murgu gjerman, Martin Luther, tashmë kishte nisur rebelimin e tij kundër dogmave të kamotshme të Kishës Katolike në Gjermani.

Se edhe i biri i zdrukthëtarit, Gheert Kremer, do të hynte një ditë në histori dhe atë në mesin e personave të lartpërmendur, rëndësia e të cilëve nuk është zbehur as sot e kësaj dite, këtë në atë kohë nuk ka mundur ta dinte askush.

Familja tij, ose më saktësisht daja i tij i pasur, madje ia kishte përcaktuar një karrierë në kishë. Gheert studio latinishten, ndërsa mbiemrin e tij Kremer (tregtar) që në rininë e hershme e ndërroi me fjalën latine Mercator, në përputhje me trendet e modës së asokohshme. Mirëpo, ja që gjatë kohës së studimeve në Universitetin e Loewen Mercator takon shumë matematikanë si dhe hartografë, të cilët disi kontribuuan në atë që karriera e tij të ndërronte drejtimin. Pas studimeve, Mercator hap një atelie të veten në Antwerpen. Në fakt, ishte kjo një punëtori për prodhimin e hartave, gjeografike, globusëve dhe hartave të vogla, të cilat përpiloheshin në bazë të të dhënave të siguruara nga lundruesit e asaj kohe. Puna e tij po shkonte për mrekulli, deri në ditën kur për shkak të kritikave të bëra ndaj Biblës Mercator shpallet për ‘lutheran’, e pastaj arrestohet dhe dërgohet në burg, ku edhe i kalon disa vjet.

Shtatë vjet më vonë, sikurse edhe shumë intelektualë të tjerë holandezë, Mercator vendos ta braktisë vendin. Shpërngulet për në Gjermanisë, më saktësisht fillon të jetojë në Duisburg. Aty punësohet menjëherë, dhe fillon të punojë si mësues, edhe pse pasion i tij edhe më tej mbeten hartat gjeografike – të cilat vazhdonte t’i vizatonte nëpër pllaka të bronzit, me shumë mund e përkushtim, dhe në mënyrë tejet precize. Si rrjedhojë, punimet e krijuara në punëtorinë e tij ishin shumë të kërkuara në gjithë botën.

Diku pikërisht në atë kohë u krijua edhe vepra e tij më e njohur – Atlasi. Bëhej këtu fjalë për një punim, i cili u quajt kështu për shkak të astronomit mauritan, dhe i cili përpos hartografisë komplete të Tokës përmbante edhe një sërë sqarimesh dhe shkrimesh përshkruese për shumë vende e qytete, por edhe për Gjithësinë dhe për vetë krijimin e botës.

Sigurisht se veprat e tij më të njohura gjithsesi që mbesin hartat gjeografike, të cilat dhe sot e kësaj dite konsiderohen si bazë për të gjitha hartat moderne. Por, nga ana tjetër, edhe vetë termi ‘Atlas’, me të cilin Mercator dikur emërtoi përmbledhjen e tij hartografike, ka mbijetuar si term dhe si kuptim deri më sot.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›