E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëntë vjet burg për ish-policin dhe tre djemtë

Ish-polici i Kosovës, Azem Shala bashkë më tre djemtë e tij, Fanolin, Elbasanin e Flamurin u dënuan të mërkurën në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, me gjithsej nëntë vjet e tre muaj burg. Babai u dënua për shfrytëzim të paautorizuar të armëve e armëmbajtje pa leje. Vç kësaj, djemtë u dënuan edhe për tentim vrasje. Ata kishin tentuar t'i vrisnin gjashtë policë të Kosovës.

Dënimi u shqiptua nga gjyqtari Mejdi Dehari dhe atë 21 muaj pas kryerjes së veprës penale të vrasjes në tentativë nga ana e të akuzuarve Shala.

Me këtë rast, Fanol e Elbasan Shala u dënuan me nga tri vjet e gjysmë burg, Flamuri me nëntë muaj, ndërsa babai i tyre, Azem Shala, me një vit e gjysmë.

Me rastin e dënimit, dy prej të akuzuarve që ishin në paraburgim, Fanol e Elbasan Shalës, iu ndërpre ajo masë deri në plotfuqishmërinë e dënimit.

Aktakuza konform së cilës janë dënuar katër personat sqaron se ngjarja ka ndodhur më 26 janar 2008 në lagjen Ulpiana të kryeqytetit, përkatësisht në parkingun e veturave. Rasti ka të bëjë me gjuajtjen me armë nga ana e Fanol Shalës në drejtim të katër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Fanoli, sipas aktakuzës, kishte tentuar të privonte nga jeta katër policë, të cilët në punën e tyre zyrtare po e ruanin të akuzuarin Flamur Shala. Ky i fundit ishte i dyshuar, ndërsa policia tek ai kishte gjetur një pushkë automatike AK 47, të kalibrit 7.62x39 mm, me 30 plumba.

Pas rezistencës së Fanolit afër veturës së Flamurit "Ford Siera", atë e kanë prangosur, duke e penguar që të ikë. Vç veprës penale të vrasjes së rëndë në tentativë, Fanoli akuzohet edhe për vepër penale të armëmbajtjes në mënyrë të paautorizuar.

"I arrestuari Elbasan Shala në të njëjtën ditë, rreth orës 21.05, në platonë përballë Bibliotekës Universitare dhe Kombëtare në Prishtinë me dashje ka tentuar që t'i privojë nga jeta dy policë të tjerë, derisa këta të fundit ishin në kryerje të detyrës zyrtare, pas kërkesës së kolegëve të tyre, të cilët ishin vënë në kërkim të Flamur Shalës”, bën me dije aktakuza.

Babai i tre të akuzuarve, Azem Shala, ngarkohet për vepër penale të shfrytëzimit të paautorizuar të armës dhe mbajtjes në pronësi të armëve të paautorizuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›