E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nëntori” jo vetëm me ngjyrat cigane

Autori i Lajmit: Redaksia
“Nëntori” sjell ngjyrat, jo vetëm të vjeshtës apo të acarit dimëror, por dritën, ngrohtësinë e së kuqes, qetësinë e peizazhit dhe egërsinë e profilit. Në Muzeun Historik Kombëtar hapet së shpejti edicioni i 12-të i ekspozitës “Nëntori”. Këtë vit marrin pjesë 32 piktorë, 3 prej tyre artistë të rinj Andi Hila, Emil Pejtamalli dhe Sonilda Bardhoshi. Për dy javë rresht, në muret e Muzeut ekspozojnë pikturat e tyre Agim Zajmi, Agron Mesi, Aleksandër Filipi, Pashk Përvathit, e një numri të madh artistësh, disa prej tyre të pranishëm që në vitin e parë të hapjes së "Nëntorit". Artistët prezantohen me portrete, peizazhe, natyra të qeta, tema të lira ku spikatin. Modeli i ndjekur deri më tani për punën që pranohet në ekspozitë, sipas organizatorit Besim Tula, është "piktura figurative ku është shfrytëzuar mirë ana koloristike e saj". Edhe pa qenë vëzhgues i mirë i artit, përdorimi i ngjyrës vihet re tek të gjithë pikturat që prezantohen këtë vit: Ajo me titull "Urbane" e piktorit Agron Mesi, "Portret" nga Agim Zajmi, "Kompozim" nga Hasan Nallbani, peizazhi i Ksenofon Dilos "Vjeshtë anës Lumit", "Revoltë në ferr" nga Llazar Taçi, "Ciganja" e Pashk Përvathit. Pashk Përvathi është një piktor i lidhur ngushtë me natyrën, veçanërisht me peizazhin e vendlindjes, Lezhës dhe rrethinave të saj, që karakterizohet si një peizazh i larmishëm e me shumë dritë. Prandaj edhe në punimet e Pashk Përvathit ka gjithmonë shumë dritë dhe një “lojë dekorative” me dritën që reflektohet në forma të ndryshme në objektet që ai pikturon. Mund të ndodh që Pashk Përvathi ti rikthehet më shumë se një herë objekteve që ai ka më për zemër. Dhe sa herë i ripikturon ato, do të ndiesh emocione të reja, të cilët lidhen, sigurisht, me atë lojë të dritës që asnjëherë nuk është e njëjta në peizazhet që dalin nga dora e Pash Përvathit. Në ekspozitën “Nëntori” do të mund të shohim edhe "Ngjyrat e vjeshtës" së Robert Gucit, "Jeta është e bukur" e Stefan Taçit, i cili në ekspozitën e fundit ka abstraguar mbi temën. Paqësor, por bashkëkohës i një periudhe mbushur me shumë ngjarje për Shqipërinë, ai nuk ka qëndruar indiferent. Mesazhi i tij ka qenë i drejtpërdrejtë... dhe aspak i tërthortë dhe ka pasur në thelb qenien. Njeriu shpërfytyrohet në këtë stres të pamat dhe humbet gjithçka. Mbi kokën e tij pushtojnë insektet e ankthit dhe brengat e një propagande të pamëshirshme. Ndërsa në këtë shfaqje të tij piktori dëshiron të nxjerrë anën tjetër të jetës... Piktorë të tjerë do të marrin pjesë në ekspozitën që do të hapet në 25 nëntor. Që në vitin e parë të hapjes, "Nëntori" , i është përmbajtur të njëjtit profil, duke ftuar të marrin pjesë vetëm piktorë të ngjyrës dhe kombinues të mirë të saj.

“Nëntori”, tradita

Në nismat e para kjo ekspozitë ka pasur vetëm 12 artistë ndërsa sot ajo numëron 34 të tillë. Në hapat e para të saj ka pasur emra që i kanë dhënë artit shqiptar ndër vite. Ekspozita ka qenë një lloj fushe për të gjithë ata artistë që sjellin zhvillim në art. Aktualisht ky është aktiviteti më i rëndësishëm i pikturës. Tematikat e punëve kanë një larmi që vijon nga natyralizmi dhe realizmi, e deri tek impresionizmi abstraksionizmi. Në tematikë janë përfshirë dhe subjekte me prirje për evidentim të problemeve sociale. Nga njëra anë, artistët pjesëmarrës i kanë përzgjedhur vetë punët, të cilat ata i kanë vlerësuar si më të mirat, e, nga ana tjetër, gjatë seleksionimit janë parë nga syri i jashtëm, i muratorit. Ndërkohë që përzgjedhja e artistëve në këtë ekspozitë është bërë në bazë të disa parametrave të kërkuara që ata duhet ti disponojnë patjetër. Kështu një nga kriteret themelore ka qenë që çdo artistë duhet që të kishte hapur të paktën një ekspozitë personale.

Ky lajm është publikuar: 18/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›