E Diel, 1 Nëntor 2026

A po largohen BE-ja dhe Ballkani nga njëri-tjetri

Autori i Lajmit: Nga Veton Surroi
1. Pas miratimit të Traktatit të Lisbonës nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian do të jetë i pritur interpretimi se janë rihapur dyert e BE-së për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Dhe kjo do të jetë e vërtetë, por vetëm nga perspektiva e Brukselit. Nuk do të jetë e vërtetë, megjithatë, nga perspektiva e të pazgjidhurave në një pjesë të Ballkanit Perëndimor, në hapësirën e shteteve të papërfunduara. Bosnjë-Hercegovina, në pamundësi të vendosjes së sovranitetit të qytetarëve të vet, me Kushtetutë vetjake e jo me pushtetin e Marrëveshjes së paqes së Daytonit, është një shtet i papërfunduar. Po ashtu është Kosova, e ndarë de facto territorialisht dhe me identitet të kontestuar ndërkombëtar. Rrjedhimisht, shtet i papërfunduar është Serbia, e cila duke ndihmuar ndarjen e Bosnjës dhe duke u angazhuar drejtpërsëdrejti në kontestimin e funksionimit të Kosovës e të legjitimitetit të saj ndërkombëtar, është duke e konsideruar të papërfunduar veten, përkatësisht sovranitetin e saj në territorin e Republikës së Serbisë. E tërë kjo ka, tërthorazi, ndikim në Maqedoni, me identitetin e brishtë të saj shtetëror.
Nuk mund të ketë proces të shpejtuar të integrimit të kësaj hapësire në BE pa e rrumbullakuar shtetësinë e tyre, e ky rrumbullakim nuk është i mundur pa ndikimin e sforcuar të BE-së, në partneritet me SHBA-në. Por, për dallim prej të gjitha viteve të deritanishme, prej fillimit të zhbërjes së ish-Jugosllavisë deri sot, Bashkimi Evropian ka rast të demonstrojë fuqinë e vet “të butë”. Problemet e tanishme në trekëndëshin Bosnjë-Kosovë-Serbi janë të natyrës së padhunshme, janë të paskonfliktit të armatosur, pra edhe të hapura për kushtëzime integruese të BE-së.

2. Bashkimi Evropian është tashmë në shkallë të ndryshme, aktor i përfshirë në ndryshimet që bëhen në hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Raporti i progresit i vendeve të kësaj hapësire ka mundësi të bëhet instrumenti kyç matjeje i shkallës së ndryshimit, pra dhe orientuesi i politikëbërjes në ato vende.
Por, në rastin e Kosovës Raporti i progresit është matës i dyfishtë: vlerëson shkallën e progresit të institucioneve vendore , duke vlerësuar njëkohësisht edhe veprimin e institucioneve të BE-së në Kosovë. Bashkimi Evropian nuk është vëzhgues i interesuar në Kosovë, por pjesëmarrës aktiv, me kompetenca ekzekutive në gjyqësor dhe qeverisje.
Nëse është kështu, atëherë në 12 muajt e ardhshëm mu Bashkimi Evropian do të ballafaqohet me dy pengesat kryesore të brendshme të Kosovës për avancimin në një rrugë evropiane të zhvillimit, që të dyja të identifikuara në Raportin e progresit (që, për shkak të prapakthimit të identifikuar në shumë fusha mund të quhej edhe Raport i regresit). Pengesa e parë është rritja dramatike e keqmenaxhimit të parasë publike që shpie drejt uzurpimit të qeverisjes nga një grup njerëzish. Një rritje kaq e shënuar e korrupsionit ka efekte paralizuese në shtetndërtim, pra edhe në aftësinë e shtetit për të vijuar politika integruese evropiane. Pengesa e dytë është ndarja faktike e vendit, përkatësisht mungesa e unifikimit të tij si një hapësirë ligjore, pengesë fundamentale për zhvillimin e politikave integruese (apo çfarë politike tjetër zhvillimore) për tërë vendin.
EULEX-i, më shumë se çdo faktor tjetër në Kosovë , ka kompetenca për të eliminuar këto pengesa, dhe moseliminimi i tyre do të mund të matej si dështim i BE-së, krahas dështimit evident të institucioneve kosovare të qeverisjes.

3. Komisioni Evropian është përpjekur të gjejë një zgjidhje për perspektivën evropiane të Kosovës, duke avancuar në Studimin e vet për Kosovën përtej “mekanizmit përcjellës të stabilizim-asociimit” që është përdorur deri tani. Ky hap mund të quhej i ndërmjetëm, përkatësisht hap mes “mekanizmit përcjellës” dhe marrëdhënies që duhet ta ketë shteti i Kosovës, si çdo shtet tjetër, marrëdhënia e kontraktualitetit.( Kosova është sot i vetmi vend në tërë hapësirën e Ballkanit Perëndimor që nuk ka marrëdhënie kontraktualiteti me BE-në.)
Hapi i ndërmjetëm do të mund të shfrytëzohej për të mbërritur te kontraktualiteti. Kam frikë, megjithatë, se në 12 muajt e ardhshëm nuk do të jetë kështu. Institucionet kosovare nuk kanë treguar kapacitet, vullnet e as prirje për zhvillimin e politikave integruese. BE-ja ndërkaq, duke mos e pasur të unifikuar qasjen e vet ndaj Kosovës (me pesë shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit) nuk ka qartësi kontraktuale në marrëdhënie me Kosovën. E duke mos e pasur këtë, nuk e ka fuqinë e nevojshme “të butë” për të ndikuar më shumë në zhvillimin e politikave reformiste në vend.
Kjo gjendje mund të çojë në një spiralë negative, ku qasja joevropiane apo antievropiane e qeverisjes së tanishme do të përforcojë ndarjet brenda BE-së, e këto ndarje do të ushqejnë më tepër politikat e tanishme të qeverisjes.
Do të dal nga kjo mundësi duke bërë një listë imediate gjërash që duhet përmbushur qeverisja e tanishme e që rrjedhin nga Raporti i Progresit. Njëkohësisht duhet rihapur, brenda 12 muajsh të ardhshëm, nevojën e unifikimit të vendeve të BE-së në çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

4.Çështja e liberalizimit të vizave është indikator i mirë i ndjeshmërive dhe dallimeve brenda rajonit. Qytetarët e Serbisë do të mund të udhëtonin pa viza në BE prej vitit të ardhshëm , ndonëse Qeveria e këtij vendi është duke penguar në mënyrë aktive mundësinë që Kosova, si një hapësirë ligjore, të mund të zhvillojë politikën e saj integruese evropiane. Njëkohësisht qytetarët e Kosovës do të ballafaqohen me regjimin më të ashpër të vizave evropiane brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor, ndonëse janë nën një lloj protektorati evropian.
BE-ja ka mundur të kushtëzonte liberalizimin e vizave të Serbisë me vendosjen e një normalizimi mes Serbisë e Kosovës, një normalizim i cili nuk do të thoshte fillimisht njohje të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Për BE-në duket se ka qenë interes më i madh afrimi i Serbisë, përkatësisht futja e Serbisë në binarët evropianë. Ndonëse mund të kontestohet se a është i merituar shpejtimi apo jo, ajo që tash e tutje nuk do të mund të kontestohet është se binarët evropianë për Serbinë janë mundësi e BE-së që të ndikojë në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës, përkatësisht të normalizimit të një gjendjeje kushtetuese në Bosnjë- Hercegovinë. Ndarja e Kosovës nuk ka lindur vetvetiu, por me një kontribut vendimtar dhe aktiv të Serbisë për të krijuar një gjendje të këtillë, pasi që kishte përkrahur me vite të tëra një ndarje tjetër, përkatësisht mbajtjen e Bosnjë-Hercegovinës nën administrimin e Marrëveshjes së Daytonit. Procesi i përfundimit të shtetësisë në Ballkanin Perëndimor është në masë të madhe peng i politikës së Beogradit. Tash e tutje duhet të jetë pjesë e kushtëzimeve të BE-së për Beogradin, dhe kështu, për rajonin në tërësi.
(Ky shkrim u mbështet në fjalën gjatë konferencës së nivelit të lartë të FES-it në Bruksel. Marrë nga www.koha.net)
Ky lajm është publikuar: 18/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›