BE-ja pyet sesi do të reagojnë kosovarët...?
Autori i Lajmit: Nga Augustin Palokaj /Bruksel
Bashkimi Evropian nuk do të mund deri në pakufi të akuzojë Kosovën se është “oazë e krimit të organizuar, korrupsionit dhe destinacion, burim dhe transit i trafikimit” e që në të njëjtën kohë të mendojë se “BE-ja nuk ka përgjegjësi fare me këtë realitet“. Mënyra se sa e kanë ngritur vetë rëndësinë e misionit të EULEX-it, sa janë interesuar që të sigurojnë për këtë mision fuqi maksimale për procesimin autonom (madje pa dijen e organeve të Kosovës) të disa rasteve të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit, e bën këtë mision bashkëpërgjegjës për situatën në fushën e drejtësisë dhe të sundimit të ligjit.
Është vetë Bashkimi Evropian i cili përmes Raportit të progresit të nxjerrë nga Komisioni Evropian para një muaji e ka përshkruar situatën në Kosovë pothuajse alarmante sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit, që ka identifikuar prokurimin publik si fushë ku ka pasur madje keqësim të situatës krahasuar me një vit më herët, se në Kosovë nuk garantohet liria e shprehjes, se politika përzihet jo vetëm në media, por edhe në gjyqësor dhe pothuajse në çdo fushë të jetës. Pra, sipas këtij përshkrimi, është konstatuar se organet e Kosovës nuk kanë bërë dhe nuk po bëjnë sa duhet për të penguar, parandaluar dhe dënuar këto dukuri negative. E sipas mandatit që ka BE-ja në Kosovë, janë pikërisht njerëzit e BE-së ata që duhet të ndërhyjnë për të përmirësuar këtë gjendje. Vetë sipas mandatit të tyre ata duhet të „ndihmojnë“ institucionet e Kosovës por, në rast nevoje, edhe të marrin masa ndaj atyre brenda këtyre institucioneve që janë pengesë e sundimit të ligjit, apo që janë përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar e që prokurorët dhe gjykatësit vendorë nuk kanë „mundësi“ ti ndjekin penalisht.
Dalëngadalë po vjen koha që EULEX-i të tregojë se nuk është një vëzhgues pasiv i cili bën “regjistrimin e situatës”, siç bën në kufirin mes Serbisë e Kosovës pa të drejtë që të ndërmarrë masa kundër krimit që zhvillohet atje. Fundi i fundit janë parlamentarët e BE-së dhe opinioni në BE që do të parashtronin edhe pyetjen se “pse aq para tona shkojnë për EULEX-in dhe praninë e BE-së në Kosovë nëse mungojnë rezultatet”. E këta nuk do të kënaqen me rezultatet se “janë përshpejtuar qindra raste të kontesteve të pazgjidhura pronësore para gjykatave lokale”. Opinioni evropian dhe parlamentarët që vendosin edhe për buxhetin e EULEX-it duan të dëgjojnë edhe zgjidhjen e rasteve të rënda të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Të përballur me pyetjen legjitime se “çfarë po bën EULEX-i me 2000 njerëz dhe qindra miliona euro nëse Kosova është bërë oazë e krimit, korrupsionit dhe trafikimit?”, ekipet e EULEX-it do të mund të ngrenë së shpejti akuza për korrupsion në „nivel të lartë“ në Kosovë, që, sipas burimeve në Bruksel, mund të përfshijnë edhe “njerëz të Qeverisë”. Por diplomatët në Bruksel brengosen se “si do të reagojë opinioni i Kosovës në këtë rast”.
Shqetësimi kryesor është se mos me këto masa në terren do të prishen ato që konsiderohen si “raporte të mira politike” mes njerëzve të BE-së në Kosovë dhe strukturave udhëheqëse vendore. Rreth kësaj tashmë kanë filluar të paraqiten shqetësimet e para në Bruksel dhe të fitohet përshtypja tek disa vende se përfaqësuesit e BE-së në Kosovë nuk janë sa duhet të qartë dhe të ashpër në kontakte me politikanët vendorë, kur duhet tërhequr vërejtjen për dukuritë e papranueshme. Ky “flert” politik mund të ndryshojë në të ardhmen, sepse, në të kundërtën, BE-ja praninë e saj në Kosovë do të bëjë të pakuptueshme. Natyrisht se “përparësia” në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë do tu lihet organeve kosovare të drejtësisë. Por në Bruksel e dinë po ashtu se nganjëherë në shtetet e Ballkanit për të luftuar korrupsionin do të thotë për politikanët, siç është shprehur një deputet i Parlamentit Evropian “të luftosh kundër vetvetes” dhe kjo nuk duket e lehtë. Kosova mund të thotë se nuk ndryshon shumë nga vendet e tjera të rajonit, kur bëhet fjalë për këto dukuri. Por asnjë vend tjetër i rajonit nuk ka 2000 policë, prokurorë dhe gjykatës të BE-së me mandat edhe ekzekutiv, siç ka Kosova.
Nëse EULEX-i vërtet fillon me vendosmëri të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë do të shënojë kjo një fazë të re të raporteve të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare. Do të shënojë në një mënyrë përfundimin e fazës në të cilën, për hir të stabilitetit politik dhe ambientit të sigurisë, nuk janë marrë hapa radikalë në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Padyshim se nuk do të jetë fazë e lehtë as për përfaqësuesit e BE-së në Kosovë e as për Qeverinë e Kosovës. Por do të jetë një test i jashtëzakonshëm se a mendojnë vërtet dhe a janë të sinqertë kur thonë se nuk do të kursejnë asgjë për ti luftuar këto dukuri. Nëse EULEX-i do të zgjedhë vetëm disa raste sa për të krijuar përshtypjen se “nuk po rrinë duarkryq”, por jo të shkojë deri në fund, atëherë në sytë e vetë qytetarëve evropianë dhe të disa qarqeve edhe diplomatike do të konsiderohet bashkëpërgjegjës për situatën në Kosovë.
Ky lajm është publikuar: 18/11/2009