E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Zanieri, vlerësohet kontributi i OKB-së në Kosovë

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryeministri Sali Berisha ka pritur dje përfaqësuesin special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zanieri. Kryeministri vlerësoi rolin e rëndësishëm që misioni i OKB-së ka luajtur në Kosovë, si dhe shprehu kënaqësinë për zhvillimet jashtëzakonisht pozitive dhe arritjet e rëndësishme të Kosovës në konsolidimin e institucioneve demokratike, të shtetit të së drejtës, respektimit të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, të cilat pati kënaqësinë ti konstatonte gjatë vizitës së fundit në Kosovë. Ambasadori Zanieri, pasi falënderoi për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe vlerësimet e kryeministrit Berisha për punën e misionit që ai drejton, e uroi atë për arritjet e jashtëzakonshme të qeverisë së tij si anëtarësimin në NATO, pranimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian, si dhe shprehu konsideratat për ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur dhe po ndodhin çdo ditë në Shqipëri, gjatë këtyre viteve të fundit. Ambasadori Zanieri e falënderoi gjithashtu, Berishën për kontributin që qeveria shqiptare ka dhënë për Kosovën dhe për rolin e rëndësishëm që Shqipëria po luan në shërbim të konsolidimit të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe frymës së miqësisë dhe bashkëpunimit në rajon. Në takim, u vlerësua organizimi dhe realizimi i zgjedhjeve të mira lokale në Kosovë, në klimë tërësisht të qetë dhe demokratike, si dhe pjesëmarrja cilësore e pjesëtarëve të minoritetit serb në shumë zona, ku ata banojnë. Po dje, ai zhvilloi një takim dhe me numrin dy të qeverisë njëkohësisht ministrin e Jashtëm, Ilir Meta.

Ky lajm është publikuar: 18/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›