Universitetet, shpallen listat me fituesit e fazës së tretë
Jonida Tashi
Shpallen zyrtarisht fituesit e fazës së tretë të pranimeve në universitete. Rreth 4 mijë studentë të rinj janë shpallur fitues në këtë fazë të fundit të pranimeve në universitete, të cilët në varësi të vendeve vakante dhe sistemit Meritë-Preferencë janë shpërndarë në universitete të ndryshme të vendit. Vetëm në Universitetin e Tiranës do të regjistrohen mbi 500 studentë të rinj, të shpallur fitues së fundi. Duke filluar që nga dita e sotme, do të nisë regjistrimi i studentëve fitues pranë sekretarive të fakulteteve ku ata do të ndjekin studimet. Me shpalljen e fituesve të fazës së tretë merr fund maratona e pranimeve në universitete për vitin akademik 2008-2009 për studimet e ciklit të parë, me kohë të plotë. Ditën e djeshme, Ministria e Arsimit ka dorëzuar listat me emrat e fituesve të fazës së tretë në çdo universitet publik të vendit. Menjëherë pas marrjes së këtyre listave, universitetet kanë ridorëzuar në fakultetet në varësi të tyre emrat fitues për çdo degë. Njëkohësisht, fakultetet kanë bërë afishimin e listave të fituesve në vende të dukshme në mjediset e tyre.
Regjistrimi
Pas përcaktimit të fituesve të fazës së fundit të pranimeve në universitete, do të nisë procesi i regjistrimit. Ky proces do të bëhet pranë sekretarive mësimore të fakulteteve deri më datën 15 nëntor 2008. Universitetet duhet të shpallin në vende të dukshme në mjediset e tyre datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit/çregjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim si dhe të dhëna të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë. Për regjistrim, kandidati të dorëzojë dosjen individuale, me dokumentet origjinale të mëposhtme: Dëftesë pjekurie, certifikatë lindjeje me fotografi, dy fotografi, mandatarkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekësh, ndërsa për kandidatët që kanë aplikuar për të ndryshuar degën e studimit nevojitet vërtetimi i çregjistrimit nga programi i mëparshëm i studimit. Në rast se kandidatët fitues nuk kanë dëftesë pjekurie origjinale, duhet të paraqesin dublikatën e dëftesës së pjekurisë së lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse.
7 Nentor 2008