E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti vjetor i universiteteve nga 1 janari me formulë të re



Buxheti vjetor i universiteteve, duke filluar nga data 1 janar e vitit të ardhshëm, do të shpërndahet sipas një formule të re, e cila pritet të kalojë për miratim në Kuvend. Kjo do të thotë se buxheti për universitetet nuk do të ndahet më sipas mënyrës aritmetike, ku merret në konsideratë vetëm numri i studentëve, por sipas kontributit të universitetit. Formula e re e ndarjes së buxhetit vjetor për 11 universitetet shtetërore në vend bëhet e ditur nga këshilltari i kryeministrit për Arsimin, Myqerem Tafaj. Bëhet fjalë për një formulë të krijuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me konsulencë të Bankës Botërore. Ajo bazohet në shumë parametra si në numrin e studentëve, kualifikimin e pedagogëve, zhvillimin e kërkimit shkencor, programet studimore, etj. Këshilltari për Arsimin i Kryeministrit sqaron se formula e re e shpërndarjes së buxhetit vjetor të universiteteve do të bazohet vetëm në meritat e institucioneve të arsimit të lartë. E thënë ndryshe, vitin që vjen universitetet do të konkurrojnë për investime. Për këshilltarin e Berishës për Arsimin, formula e re e buxhetit nxit rritjen e cilësisë së arsimit të lartë. Tafaj shprehet se në ligjin “Për arsimin e lartë” parashikohet që ai institucion që paraqet projekte të mira do të përfitojë fonde. “Është i njëjti parim si me pushtetin vendor, lidhur me grantet. Por parakushti është: struktura të afta administrate në universitete që mundësojnë hartimin në kohë të projektit, marrjen e fondeve dhe realizimin e tyre sipas afateve”, - përfundoi Tafaj.

Tabelat orientuese, rreth 2145 tabela për 908 sheshe dhe rrugica
Durrës - Qyteti i Durrësit është pajisur me të gjitha tabelat orientuese për lëvizjen në kryeqytet. Kështu, rreth 2145 tabela orientuese pritet të vendosen brenda muajit shkurt të vitit të ardhshëm në 908 sheshe të qytetit. Këtu përfshihen të gjitha rrugët dhe rrugicat e qytetit të Durrësit, të cilat do të ndihmojnë për orientimin e qytetarëve dhe vizitorëve, por njëkohësisht do të shërbejnë si bazë për regjistrin elektronik të adresave të banorëve. Qytetarët do të kenë mundësinë e një orientimi të saktë, ku mund të gjejnë vendndodhjen e të gjitha qendrave apo institucioneve ku duan të shkojnë. Drejtori i Departamentit të Urbanistikës në bashkinë e qytetit, Petraq Kote, u shpreh se bazuar në fotot ajrore të realizuara nga ALUIZNI, gjatë procesit të dokumentacionit për legalizimet, në qytetin e Durrësit janë evidentuar 598 rrugë, 307 rrugica si dhe tre sheshe, shumica e të cilave do të emërtohen brenda muajit dhjetor nga Këshilli Bashkiak. Në territorin e bashkisë ndodhet edhe një shëtitore, si dhe një pjesë e superstradës Durrës-Tiranë. Zgjerimi i qytetit në periferinë e tij e bën të domosdoshëm procesin e emërtimit dhe numërtimit të rrugëve e banesave. Një komision i ngritur posaçërisht po punon për të hartuar listën e emrave për rrugët e paemërtuara, sidomos në pjesët e reja të qytetit. Në fund të muajit shtator, në pesë rajonet e qytetit të Durrësit ishin të regjistruar 199.589 banorë gjithsej dhe emërtimi i rrugëve do të shërbejë edhe për adresat e sakta të tyre në regjistrin elektronik të zyrave të Gjendjes Civile në qytet.

7 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›