Bursat nga Bashkia, aplikojnë vetëm 35 studentë sipas kritereve
Emanuela Sako
Aplikimet për bursë në Bashkinë e Tiranës kanë nisur dhe aktualisht janë regjistruar vetëm 35 emra të studentëve, që përmbushin kriteret për ta përfituar atë. Burime nga Bashkia bëjnë të ditur se aplikimet kanë përfunduar, ndërsa kuotat e pranimit nuk janë përcaktuar. Por studentët dhe nxënësit janë të paqartë për numrin e atyre që do të trajtohen me bursë nga Bashkia e Tiranës. Kjo situatë i vë në vështirësi, pasi me vendosjen e kritereve dhe hapjen e “garës” për të fituar bursë duhet të njihen dhe kuotat sesa do të jetë numri i atyre që do të bëhen pjesë e përfitimeve nga Bashkia. Burime pranë Bashkisë shprehen se aktualisht specialistët janë në fazën e shqyrtimit të dokumentacionit dhe Këshilli Bashkiak do të vendosë për përfitimin e këtyre bursave, ndërkohë priten vendimet për përcaktimin e kuotave ushqimore për konviktet, që të shqyrtohen dhe miratohen po nga Këshilli Bashkiak.
Aplikimi
Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës po mbledh dokumentacionin e atyre që kërkojnë të trajtohen me bursë. Nga këta janë mjaft nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, që kërkojnë të përfitojnë bursë për shkak të problemeve të tyre sociale, lidhur me mundësitë ekonomike. Tashmë nxënësit do të njihen me kuotat e përfitimit të bursës pas vendimit që do të merret në Këshillin Bashkiak. Pas kësaj, të gjithë nxënësit do të dinë numrin e përfituesve të bursës dhe datën e shpërndarjes së saj. Afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve ka qenë data 20 tetor. Dokumentet janë dorëzuar pranë Bashkisë së Tiranës. Specialistët do të bëjnë eliminimet dhe pranimet në bazë të procedurave dhe dokumentacionit të nevojshëm që iu është paraqitur nga studentët. Në disa raste janë hasur edhe kërkesa të parregullta të dorëzuara nga studentët për shkak të mungesës së dokumentacionit të plotë. Pas përfundimit të këtij afati, asnjë nga nxënësit nuk ka të drejtë të aplikojë dhe detyrimisht humbet të drejtën e përfitimit të bursës për këtë vit, 2008-2009. Kështu, aplikantët që kanë kaluar afatin e dorëzimit të dokumentacionit të plotë, kanë të drejtë të aplikojnë vitin e ardhshëm duke nisur procedurat dhe plotësimin e dokumentacionit nga e para.
Përfitimi
Në përfitimin e bursës kriter kryesor është pamundësia ekonomike, si dhe largësia e shkollës nga një zonë në tjetrën. Po kështu, përfitojnë bursë të gjithë ata nxënës që mbarojnë shkollën me të gjitha notat 10, si dhe ata nxënës të shkollave profesionale që mbarojnë me mesataren mbi 8. Sipas vendimit të qeverisë do të kenë të drejtë të trajtohen me bursë nga shteti vetëm 190 nxënës dhe 1600 studentë në të gjithë vendin. Qeveria para pak kohësh përcaktoi kategoritë që do të marrin ndihmë nga shteti në vitin shkollor 2008-2009, ku afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para është data 15 dhjetor 2008, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitet e dyta e më sipër është data 30 nëntor 2008. Në raste të veçanta, kur këshilli i bashkisë apo i komunës nuk mund ta miratojë brenda këtij afati numrin e bursave të dhëna, mbetet kompetencë e Ministrisë së Arsimit shqyrtimi i këtyre vendimeve, rast pas rasti. Bursat e nxënësve, për vitet e dyta e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga këshilli i bashkisë dhe komunës, sipas vendndodhjes territoriale e administrative të konvikteve, ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Nxënësit, që në vitin e parë kanë përfituar bursë, me vendim të këshillit të bashkisë apo komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës. Bursat për nxënësit, të cilët studiojnë në shkollat profesionale, në degët parësore për zhvillimin e ekonomisë, si në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe në ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8, planifikohen dhe shpërndahen nga Ministria e Arsimit.
7 Nentor 2008